Ja si opozita po thyen muret e lobimit të qeverisë në Uashington
Fill pas një deklarate të një zyrtari të lartë amerikan që kërkoi pjesëmarrjen në zgjedhje pa kushte të të gjitha forcave politike drejtues të opozitës në Shqipëri kërkuan një takim me përfaqësues politikë të Departamentit Amerikan të Shtetit. Bëhet fjalë për deklaratën e 20 prillit ë zv. sekretarit për çështje politike në DASH, Tomas Shannon fill pas takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati.
Në dy kërkesa të bëra nëpërmjet lobistit të Partisë Demokratike në SHBA “Barnes & Thornburg LLP,” të cilat janë publikuar nga BIRN, Kryetari i PD-së, Basha dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu kanë kërkuar një takim 20 ose 30 minuta me zyrtarë të Departamentit të Shtetit në datat 27-28 prill ose 2-3 maj, për të diskutuar mbi integritetin e procesit zgjedhor në Shqipëri.
“Nën lidershipin e Partisë Socialiste, PD-ja shprehet se qeveria dhe institucionet kanë degraduar nga zyrtarë të korruptuar dhe influenca negative e entiteve të ekstremit të majtë në aleancë me Xhorxh Soros-in dhe fondacionin e tij Shqipëria e Hapur,” shton kërkesa.
“Barnes and Thornburg LLP” është një kompani e madhe lobimi nga shteti i Indianës, me zyra në 13 shtete amerikane, e themeluar në vitin 1982. Partneri menaxhues i firmës, Robert Grand ka qenë pjesë e komitetit për inagurimin e Donald Trump si president. Ai ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në fushatën e zëvendës Presidentit Mike Pence, i cili më parë ka shërbyer si guvernator i Indianës.
Në letrën që i dërgohet DASH, thuhet se për një kohë të gjatë Shqipëria ka shërbyer si bazë për trafikimin e kanabisit dhe të heroinës në Europë dhe qeveria e Edi Ramës ka futur në parlament bosët e drogës për të manipuluar zgjedhjet.
Ajo nënvizon se miliardat e prodhuara nga trafiku i drogës do të përdoren në zgjedhjet e 18 qershorit për të blerë vota.
Me datë 28-30 prill, kreu i Republikanëve ka udhëtuar drejt Uashingtonit, ku është takuar me Pam Pryor – këshilltaren e lartë të nënsekretarit të shtetit për sigurinë, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, si dhe me Këshilltarin e Lartë në Shtepinë e Bardhë, Matheë D.Mowers. Në këtë takim z Mediu theksoi se opozita është e vendosur në rrugën e saj për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Në Shqipëri duhet të vendosin qytetarët me votë të lirë dhe jo krimi e trafiku i drogës.
Përfaqësuesit e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit theksuan se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Shqipëria që të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe njëkohësisht zgjedhjet duhet të garantojnë pjesëmarrjen e qytetarëve dhe gjithë forcave politike,” tha Mediu nëpërmjet një njoftimi për shtyp
“Krimi i organizuar, trafiku i drogës përbën një rrezik real për demokracinë shqiptare,” përfundoi ai.