Albspirit

Media/News/Publishing

Kotzias: Do ta mbrojmë ekzistencën e Maqedonisë kundër ‘nacionalizmit’ shqiptar

Athina zyrtare tani duket se ka ndryshuar qëndrimin ndaj Maqedonisë. Prej zyrtarëve më të lartë shtetërorë e deri te politikanë të ndryshëm, nuk flitet më për ‘irredentizmin maqedonas’ dhe as për ‘vjedhje të historisë greke’.

Diplomacia greke tani shqetësimin kryesor e ka kahëzuar drejt ‘nacionalizmit shqiptar’ në Maqedoni dhe rajon. Nëse dikur kryeministri grek Antonis Samaras bënte thirrje për ndarjen e Maqedonisë, tani Athina shprehet e vendosur për mbrojtjen e ekzistencës së ‘Shkupit’, shkruan Konica.al

Ministri grek i Punëve të Jashtme, Nikos Kotzias, së fundmi ka folur kundër thirrjeve për destabilizimin e rajonit dhe ndryshimit të kufijve në rajon.

“Greqia mbështet fuqishëm stabilitetin në rajon, dhe kjo vlen edhe për fqinjin tonë verior. Ne mbështesim vendosmërisht karakterin unitar të Maqedonisë dhe jemi e vetmja palë që nuk ndërhyn në çështjet e saj të brendshme dhe do të mbrojmë ekzistencën e saj”, ka deklaruar Kotzias.

Edhe deputeti i SYRIZA-s në Parlamentin Evropian, Dimitrios Papadimulis, ka reaguar ndaj ‘retorikës nacionaliste’ të kryeministrit Edi Rama dhe politikanëve në Kosovë.

“Gjendja brengosëse në Maqedoni është përkeqësuar nga retorika e papërgjegjshme nacionaliste e kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe politikanëve të Kosovës, të cilët përpiqen të zhvendosin vëmendjen e opinionit të tyre publik nga problemet reale të varfërisë dhe korrupsionit të gjerë. Këto ngjarje e kërcenojnë stabilitetin dhe zhvillimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe rrugën e tyre evropiane”, ka deklaruar deputeti i SYRIZA-s.

Papadimulis, po ashtu, ka kërkuar nga Mogherini që të reagojë ndaj ‘deklaratave provokative’ që e kanosin integritetin territorial të shteteve në Ballkan.

Please follow and like us: