Albspirit

Media/News/Publishing

Letra e fshehur për 194 vite sfidon versionin e historisë mbi fundin e Ali Pashës

Falë një bashkëpunimi me Auron Taren dhe studiuesin kosovar Bejtullah Destani, gazeta DITA sjell për herë të parë një dokument të rëndësishëm që sfidon atë që kemi ditur deri sot mbi vdekjen e Ali Pashë Tepelenës.

Ali Pasha nuk është vrarë në përpjekje të armatosur ndërsa gruaja e tij Vasiliqia nuk është ajo që ka paraqitur deri më sot historia.

Ky dokument FO195 /34 i ruajtur në Arkivin e Ministrisë së Jashtme Britanike për 194 vjet hedh dritë mbi disa fakte të panjohura deri më sot mbi njerëzit që komplotuan në vrasjen e Luanit të Janinës.

Në të gjitha veprat deri më sot vrasja e Aliut njihet gjerësisht ajo që përshkruhet nga konsulli francez Pouqueville (Pukëvil), i cili flet për një betejë heroike të Aliut dhe rojeve të tija në shkallët e shtëpisë në ishullin e Liqenit të Janinës.

Falë këtij përshkrimi ku nuk mungojnë edhe dialogët midis palës sulmuese dhe asaj mbrojtëse të bie në sy “fjalët e fundit të Aliut” i cili kërkonte që rojet e tij të vrisnin Vasiliqinë besnike gruan e Pashait “që ajo të mos binte në duart e turkut”.

Hrushid Pasha, rrethuesi i Aliut, vrau veten në rrethana të paqarta disa muaj më pas.

Në mungesë të dëshmitarëve apo dokumentave autentike, vdekja e Aliut njihet ende nga kjo veper e Pouqueville, madje dhe në ditët e sotme në shtëpinë e ishullit te Janines turisteve kurioze ju tregohen “vrimat e plumbave te cilat vranë Vezirin e Famshem”.

Por dokumentat sjellin ndërmjet dëshmive autentike një tablo te ndryshme mbi fundin e Aliut duke i dhënë fund ngjarjes së treguar nga Pouqueville.

Bëhet fjalë për zbulimin e një letre-dëshmi të shkurtit të vitit 1822 që Reis Efendi, ministri i jashtëm i Perandorisë Otomane të kohës i jep Ambasadorit të Britanisë Lordit Strangford për Sekretarin e Shtetit, Lord Castlereagh mbi fundin e Aliut.

“Këto dëshmi jane të vetmet fakte që vijnë nga burimet osmane në kohë reale mbi përfundimin e rebelimit të Pashait shqiptar. Prandaj mendojmë se vertetesia e tyre është shumë afër ngjarjes së vërtetë – thotë Auron Tare.

Nga dëshmia ku përshkruhet me hollësi vrasja e Aliut, del se veziri i madh i Janinës, personalitet i jashtëzakonshëm i epokës së tij, vdiq në vetmi, i vrarë nga një shqiptar dhe se gruaja e tij Vasiliqia ishte bashkëpunëtore e fshehtë e Portës së Lartë.

Dëshmia se Vasiliqia ka bashkëpunuar me Portën e Lartë për vdekjen e Aliut është vërtet mbresëlënëse, pasi figura e saj e njohur nga një sërë veprash të orientalizmit europian është konsideruar si simboli i besnikerise ndaj Pashait plak.

Portret i zonjës Vasiliqi. Autor i panjohur, shtëpia e ankandeve Sotheby.

E trajtuar gjithmonë me nota idealizmi dhe keqardhje për fatin e saj tragjik, roli i Vasiliqisë në vdekjen e Aliut sipas burimit osman që sjellin Tare-Destani, duket se ka qenë vendimtar.

Nje tjeter fakt shumë i rëndësishëm mbi figurën e Vasiliqisë është cilësimi i saj qartësisht në raportin e ministrit otoman si “vajza e një prifti grek”. Kjo dëshmi mbi prejardhjen e saj hedh poshtë ndonjë perpjekje sporadike të studiuesve për shndërrimin e saj në “shqiptare ortodokse nga Çamëria”.

Roli i Vasiliqisë në fundin e Vezirit nuk ka qene asnje herë i ndriçuar nga burimet e kohes. Me sa duket veprimet e saja ne dobi te Portës së Lartë kanë qenë aq sekrete, sa askush deri më sot nuk ka dyshuar mbi tradhetine e saj, edhe pse dihej se pas renies se Aliut ajo mori papritur në zotërim disa prona të rëndësishme.

Por dëshmia më interesante e raportit britanik bazuar në informacionin e Ministrit te Jashtem Otoman eshte emri i personit që ekzekutoi atë.

Ne kundërshti nga pershkrimi plot ngjyra i Pouqueville për një fund plot lavdi, Ambasadori Britanik e quan vdekjen e Aliut “nje vrasje të pastër”.

Dhe jo pa arsye. Pasi la me këmbënguljen e gruas fortesën e tij Aliu u strehua ne nje shtepize te vogel ne Ishullin e Janines, ku priste faljen e premtuar nga Stambolli.

Më shume pak pasues nga te cilet disa po komplotonin per fundin e tij duket se Aliu ishte rrethuar nga tradhtia.

Mohamed Pasha, ekzekutori i Aliut

I përgatitur ndoshta për një betejë përfundimtare, por i genjyer nga te gjithe personazhet që e vizitonin nga kampi kundërshtar, Aliu pret ne audience nje shqiptar mjaft të shquar por shume pak te njohur nga historia. Muhamed Pashën e Moresë i njohur edhe si Dramaliu, i cili ishte Princ i Portës së Lartë.

Me sa duket rangu dhe qenia shqiptar e Muhamedit të Moresë mund të mos kenë ngjallur dyshime te Aliu.

Por ishte pikërisht ky shqiptar, i cili sipas deshmise se Ministrit të Jashtëm Otoman ka ngulur ne trupin e Vezirit plak kamën e Sulltanit duke i dhene fund një jetë plot trazira dhe lavdi.

Të njëjtat rrethana të vrasjes së Aliut si dhe tradhtia e gruas së tij janë publikuar 4 vjet më vonë, në 1826 në një botim ende të panjohur për publikun shqiptar që ka për autor Robert Walsh, ish-prifti i Ambasadës Britanike.

Gravura që shoqëron këtë shënim ka për autor pikërisht Walshin dhe tregon ekspozimin e kokës së Aliut në kamaren e Portës së Lartë.

Walsh, i cili ka vizituar personalisht ekspozenë e kokës së pashait jep një përshkrim me detaje dhe përcakton si datë të kësaj ekspozeje 24 shkurtin e vitit 1822.

Please follow and like us: