Ministri Hoxhaj: Do të aplikojmë për anëtarësim në BE
Ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj ka folur sot para komisionit për politikë të jashtme në Parlamentin evropian për situatën në Kosovë, procesin e liberalizimit të vizave, ratifikimin e marrëveshjes për kufirin me Malin e zi dhe për planet e Kosovës në rrugëtimin drejt BE-s. Para këtij debati në Parlamentin Evropian është krijuar sot grupi i miqve të Kosovës, një grup joformal i deputetëve të Parlamentit Evropian që dëshiron të ndihmojë Kosovës. Në paraqitjen e tij Hoxhaj ka thënë se situata në rajon është me shumë sfida si nga aktorë të jashtëm ashtu edhe nga tensione të brendshme në shumë shtete të rajonit. Ndër të arriturat e Kosovës ai ka përmendur forcimin e shtetit, stabilitetin fiskal dhe rritje të qëndrueshme ekonomike. Sa I përket konsolidimit ndërkombëtarë të Kosovës ai ka përmendur njohjen nga 114 shtete. “Shpresoj që shpejt edhe 5 shtete të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë. Një gjë e tillë do ta bënte dhe BE-në edhe Kosovën më të fortë. Asnjëherë nuk kamë besuar se pas dhjetë vitesh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës do të ulem para deputetëve të Parlamentit Evropian në rrethana që ende 5 shtete anëtare të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën si shtet”, ka thënë Hoxhaj.