Skandal me fondet publike në Shkodër, punonjësit e Ujësjellësit bëjnë punën kompanisë private
Skandal në Ujësjellësin e Shkodrës. Firma “Exalco Al” fitoi tenderin prej 3 milionë lekë të reja për rikonstruksionin e qendrës së kujdesit ndaj klientit të Ujësjellësit, por punimet nuk u kryen vetëm nga firma fituese, por dhe nga punonjësit e ndërmarrjes. Madje, në punime mori pjesë edhe firma e teknikut të Ujësjellësit, Fred Toma, firmë e cila punon në të zezë.
Ujësjellës Kanalizimet e Shkodrës shpalli tenderin me objekt “Rikonstruksion i Qendrës së Kujdesit ndaj Klientit Shkodër”, fillimisht më 8 nëntor të vitit 2016. Fondi ishte rreth 3 milionë lekë të reja. Më datë 18, ky tender u anulua pasi asnjë nga ofertuesit nuk përmbushte kriteret e kualifikimit.
Më pas ky tender u zhvillua më 5 janar 2017, ku konkurruan 5 operatorë. Mes tyre u shpall fituese firma “Exalco Al”, vetëm 5 ditë më vonë. Për shkak të ankesave që pati nga operatorët pjesëmarrës, kontrata me “Exalco Al” u lidh vetëm më datë 3 mars.
Punimet duhet të kryheshin brenda 15 ditëve. Gjatë kohës që puna vazhdonte normalisht, pranë redaksisë së emisionit “Fiks Fare” mbërriti një foto, ku brenda kësaj qendre ishin duke punuar punëtorët e Ujësjellësit të Shkodrës dhe jo punëtorë të firmës “Exalco Al”.
Bashkëpunëtorët e “Fiksit” arritën të vërtetonin, fillimisht duke pyetur rojën dhe një teknik të Ujësjellësit se aty kishin punuar punonjësit e ndërmarrjes, por jo vetëm. Tekniku i Ujërave të Bardha, Fred Toma, i punësuar pranë Ujësjellësit tregoi teksa xhirohej nga kamera e fshehtë e “Fiksit”, se në këtë qendër kishte kryer punime edhe firma e tij, e cila punon në të zezë.
Ndërkohë, po i njëjti teknik kur u kap duke punuar bashkë me një tjetër punëtor të Ujësjellësit, pretendoi se po bënte punimet elektrike. Pyetjes së gazetarit se për kë punon, Fred Toma iu përgjigj: “Nuk po e marrim vesh në varësi të kujt firme jemi”.
Gazetarët e “Fiksit” gjithashtu filmuan duke punuar dhe intervistuan një punonjës të Ujësjellësit, i cili e pranoi se kishin mbi dhjetë ditë që punonin në këtë qendër. “Nëse do të shikosh se çfarë punimesh kemi bërë, futuni e shikoni brenda”, tha ai, duke vazhduar qetësisht punën, ndërkohë që punëtorët e “Exalco Al” rrinin të ulur në një cep të qendrës. Ai tregoi se kishin qenë disa punonjës që kishin punuar aty, por nuk pranoi të fliste më gjatë.
Këshilltari për mediat pranë UK, përgjegjësi i Qendrës së Klientit dhe administratori i firmës fituese të tenderit, kur u ballafaquan me fotot e punëtorëve të Ujësjellësit që ishin duke punuar brenda në qendër, e mohuan njëzëri këtë dhe thanë se punëtorët vetëm kanë pastruar.
Zëdhënësi Gjon Gjeka tha se vetëm firma e kontraktuar ka për të bërë punimet brenda qendrës. Sipas tij, objekt i tenderit janë vetëm pjesët e brendshme të zyrave.
“Punëtorët e Ujësjellësit i kemi sjellë vetëm për të bërë spostimin e mobilieve, rafteve e dollapëve, ku gjenden dosje, vula, etj. Në godinë, për punime të brendshme, me urdhër apo me dijeninë tonë nuk ka patur asnjë punëtor të Ujësjellësit. Dhe nëse ka ndodhur kjo është shumë gabim. Nëse kanë punuar brenda kanë punuar pa urdhër. Me dijeninë tonë, jo”, tha Gjeka.
Sipas zëdhënësit, nga inxhinieri përkatës u është thënë se punëtorët kishin qëndruar për të kontrolluar punën e punëtorëve të firmës, sepse ata nuk kishin kujdes.
Ai shtoi se punëtorët kanë bërë edhe disa riparime tek shkallët jashtë ndërtesës. “Kanë ndërtuar rampën për njerëzit në nevojë dhe kanë pastruar”, tha zëdhënësi. Gjeka shkoi më tutje kur pretendoi se ata mund të kenë punuar edhe pa urdhër.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe administratori i firmës “Exalco Al”. Ai tha se punimet brenda qendrës ishin bërë sipas kontratës. Por në dokumentet e tenderit që “Fiks Fare” i siguroi shkruhej se edhe punimet e pjesës së jashtme të godinës, si shkallët apo bordurat, ishin objekt i tenderit.
Në dokumentet e tenderit të siguruara nga “Fiks Fare” shkruhet se në detajet e punimeve ishin të përfshira edhe:
-punim prishje mure e tulle;
-transporti i mbeturinave;
-veshje shkalle me mermer, podi dhe dhëmbët e shkallës.
Punime këto për të cilat, si nga administratori i firmës, por edhe këshilltari i Ujësjellësit u pretendua se janë bërë dhe po bëheshin nga punonjësit e Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve Shkodër./ TCh