50 fshatrat e Shqipërisë ku u vendosën shqiptarët nga Kosova e Turqia në vitet 1920! Si u krijuan katundet me emra britanikë e zviceranë “Herbert”, “Xheba” e “Suiss”
Në vitet 20, Shqipëria do të tregonte një kujdes të veçantë për shqiptarët e mbetur jashtë territorit zyrtar të republikës apo që persekutoheshin në vendin ku jetonin, duke krijuar kushte të favorshme për shpërnguljen e tyre në Shqipëri. Përmes një ligji të posaçëm, që mban datën 14 qershor të vitit 1923, të gjithë shqiptarët që kishin mbetur jashtë kufirit politik gëzonin të drejtën e përfitimit të menjëhershëm të nënshtetësisë shqiptare. Po ashtu, shqiptarët e jashtë kufirit që kërkonin të shpërnguleshin në Shqipëri përfitonin edhe 25 mijë metra katrorë tokë shtetërore e cila do të përdorej nga ata për banim e për punim toke.
Për këtë qëllim, në çdo prefekturë e nenprefekturë të vendit do të ngrihej një komision i posaçëm që kishte si detyrë të vërtetonte kombësinë e emigrantëve dhe që ndiqte nga afër procesin e vendosjes së tyre në tokën shtetërore, kujdesej për sigurimin e jetëses, mjekimin, punimin e tokës etj.
Komisionet për vendosjen e emigrantëve vepronin në varësinë e Ministrisë së Brendshme ku ishte ngritur edhe një drejtori e posaçme për emigracionin e që kryesohej nga Teki Selenica, inspektor i përgjithshëm i ministrisë. Në këtë detyrë, Selenica do të asistohej nga dy shqiptarë të Kosovës dhe një misionare e huaj që ishte anëtare nderi dhe ishte angazhuar në veprime bamirësie në Shqipëri.
Shqiptarët e ardhur kryesisht nga Kosova e Turqia do të vendoseshin në toka shtetërore në Krujë, Durrës, Kavajë, Lushnje, Fier, Berat e Delvinë.
Emigrantët e ardhur në Shqipëri, sapo shkelnin në tokën shqiptare u sigurohej ushqimi, banimi, mjekimi, transportimi i tyre si dhe dërgoheshin në vendin përkatës ku u ishte caktuar toka ku do të ndërtohej shtepia e do t’u jepej toka për punim. Krahas kësaj, atyre u jepeshin plugje për punimin e tokës, qetë që përdoreshin për tërheqjen e plugjeve në punimin e tokës, si dhe u jepej fara për mbjellje.
Toka që u jepej emigrantëve bëhej pronë e tyre dhe hiqej nga fondi shtetëror. Ligji parashikonte gjithashtu që të gjithë emigrantët përjashtoheshin për një periudhë 3 vjeçare nga çdo detyrim e taksë ndërsa u akordohej edhe një sasi të hollash në formë kredie me afat 10 vjeçar, me një periudhë 3 vjeçare falje.
Grupet e emigranteve që kanë ardhur vetë ose që janë sjellë me shpenzimet e qeverisë janë vendosur në tokat shtetërore, ku janë sistemuar në fshatra të veçantë, me vende të përcaktuara për strehim, kullotje bagëtie, prerje drunjsh apo varrim.
Referuar të dhënave të publikuara nga Teki Selenica, rezulton se në vitet 1925, 1926 dhe 1927 janë shpenzuar 452 mijë e 961 franga ari për këtë proces. Kjo shumë do të shpenzohej nga komisionet lokale të cilat për çdo familje akordonin 300 franga ari për vegla bujqësore, 25 franga për plugun dhe 5 franga ari në muaj për çdo anëtar të familjes për nevojat ushqimore. Po ashtu, në këtë periudhë është siguruar transporti për marrjen e familjeve shqiptare që ishin jashtë territorit e do të vendoseshin në Shqipëri. Tre ishin linjat kryesore; Turqi-Sarandë përmes detit e më pas nga Saranda transportoheshin në Vlorë ku dërgoheshin në vendin e përcaktuar.
Një linjë tjetër ishte ajo nga Selaniku në Korçë e më pas nga Korça transportoheshin në Korçë e Lushnje. Ndërkohë linja të tjera ishin ato nga Kosova në Shkodër e më pas në Durrës dhe nga Janina në Leskovik e Kolonjë.
Ndryshe nga vendet e tjera, Shqipëria nuk do të merrte mbështetje financiare nga institucionet ndërkombëtare në këtë process. Megjithatë, në këtë periudhë nuk do të mungonin iniciativat bamirëse. Një ndihmë do të ishte ajo e konteshës Karnarvon dhe një ndihmë tjetër nga misioni bamirës britanik “Save dhe Children” që drejtohej nga Sams.
Me fondet e konteshën Karnarvon do të ngrihej një fshat në Kavajë i cili në ndër të mbështetësit të Shqipërisë Aubrey Herbert do të emërtohej fshati “Herbert” dhe do të ngriheshin 51 shtëpi emigrantësh në vitet 1924-1925. Në vigtin 1927, do të ngrihej edhe një shkollë për djemtë e vajzat e fshatit.
Ndërkohë në vitin 1927, në Shqipëri do të vinte përfaqësuesi i fondit “Save the Children” që drejtohej nga zoti Sams. Me fondet e shoqërisë ai do të ngrinte një fshat të ri me 20 shtëpi në një zonë sipër Libofshës. Përveç shtëpive, ai siguroi për familjet emigrante ushqimin, veglat bujqësore, farën dhe qetë që përdoreshin për punimin e tokës.
“Shtëpitë e emigrantëve janë aq të bukura sa duhet të jenë model për formimin e katundeve” do të shkruante Selenica në botimin e tij “Shqipëria 1927”. Fshati i ri do të emërtohej “Xheba”, nën emrin e një zonje bamirëse që kishte financuar shoqërinë angleze për një projekt të tillë. Në vitin 1927, përfaqësuesi i shoqërisë britanike arriti të siguronte fondet për ngritjen e një fshati tjetër në Leskovik me 20 shtëpi. Duke qenë se fondet ishin mundësuar nga bamirësia e disa zonjave në Zvicër, ky fshat do të emërtohej “Suiss”. Emigrantët shqiptarë do të merreshin me artizanat dhe punimet e tyre si qilimët, rrobat e leshit e punimet e tjera prej pambuku do të shiteshin në Angli me çmime të larta,duke siguruar të ardhura.
Kreshnik KUÇAJ/SCAN