Albspirit

Media/News/Publishing

Injoranca e Ledion Liços, si simbol i një brezi

Në stilin e tij të zakonshëm, prezantuesi i “The Voice” Ledion Liço, u mundua të bëjë humor edhe këtë të premte në mbrëmjen gjysmëfinale të këtij spektakli. I veshur me një xhaketë ku shquheshin me dhjetëra simbole që ngjanin si dekorata, dhëndëri i trashëgimtares së Top Channel u përpoq të gjejë një lidhje absurde midis look-ut të tij dhe datës që e kishte bërë të përzgjidhte atë pamje.

Të mos harrojmë, e premtja e “The Voice” ishte 5 maj. Për ata që nuk e dinë ajo është kujtuar si dita e dëshmorëve. Dhe Ledion Liço me një humor kaps, gjithë fryrje dhe krenari, argumentoi se ai e ka veshur këtë xhaketë të veçantë enkas për këtë datë.

Injoranca e një njeriu që nuk sheh përtej imazhit vizual duket sheshit. Sepse shakaja e Ledionit e lidh xhaketën e tij me fotografitë që mund të ketë parë, të atyre dhjetëra veteranëve që derdhën rrugëve duke nxjerrë nga sepeti kostumet ushtarake dhe duke i tejmbushur ato me dekoratat e luftës.

Pra për Ledionin 5 maji është vetëm ky imazh. Aq sa ka parë. Aq sa i kanë zënë sytë në kronikat sipërfaqësore të lajmeve. Aq sa e njeh një brez i tërë që historinë e prek përmes fotografive dhe jo falë shkronjave.

Ata të gjithë ndoshta nuk e dinë se 5 maji është dita e vrasjes së Qemal Stafës. Se ky i panjohuri që u vra në këtë datë nga pushtuesit italianë, qe një antifashist, një nga ata të shumtit që vazhdojnë respektohen në gjithë botën. Se në kujtim të tij, kjo datë vdekjeje, (dikush pretendon tradhtie nga Enver Hoxha) u bë data simbol e gjithë atyre që ranë në luftë.

Një nga portalet e shumta që qe marrë me sot me humorin e trashë të Ledionit, e akuzonte atë se nuk mund të tallej me 5 majin. Se askush nuk mund ta prekte tabunë e vënies në lojë të dëshmorëve.

Por, në fakt problemi i Ledionit, dhe i kategorisë së trushpëlarësve televizivë si ai, nuk është mëkati se guxojnë të bëjnë humor me heronjtë.

Në një shoqëri të hapur, demokratike dhe që tenton të demistifikohet, as pikëpyetjet mbi Qemal Stafën, as vënia në lojë e shifrës bombastike të 28 mijë dëshmorëve, as parodia ndaj atyre që dhanë jetën për një utopi, nuk ka pse përbën një sakrilegj.

Por humori i Ledionit as nuk mëtonte t’i prekte këto tabu. Ai thjeshtë tentoi të bënte një asosacion me aq sa kishte parë. Ai e lidhi xhaketën e tij me xhaketat e rënduara të veteranëve në 5 maj dhe kaq i mjaftoi për batutën e tij që e merrte si gallatë.

Prandaj është e kotë që atë ta fshikullosh se kaloi cakun duke u tallur me dëshmorët. Ai është thjeshtë një trushpëlarës televiziv sipërfaqësor dhe për këtë duhet mëshiruar. Ai e njeh historinë thjeshtë nga imazhet dhe prandaj është e kotë të trajtosh seriozisht. /T Çela

Please follow and like us: