Politika, biznesi, hajdutët dhe Lotaria Amerikane
Agim Xhafka
Pardje dhe dje, mbi 200 mijë shqiptarë shqyen sytë mbi kompjuter për të parë nëse do ishin fitues të lotarisë amerikane. Shumë syresh u gëzuan dhe nisën planet e ikjes, të largimit nga atdheu, farefisi, kujtimet, varret e brezave. Me shumë gëzim, por edhe me nostalgji, po nxjerrin valixhet e po mendojnë çfarë do marrin e çfarë do lënë. Si barka e Noes do jenë baulet e tyre. Me foto, relikte, ndoshta një shishe me dhé nga toka që po e braktisin me dhimbje, por nga halli dhe nga dëshira që fëmijët t’u rrojnë si njerëz.
Amerika është vend shumë i pasur dhe shumë i bukur. I magjishëm në sy dhe plot mundësi për të mishëruar çdo ëndërr. Ndaj gëzohem me gëzimin e fituesve. Welcome in America!
Por më shumë u gëzova për ata që humbën, nuk u përzgjodhën dhe ngelën të jetojnë e punojnë në Shqipëri. Se nuk mund të ikte Erioni, Vasili, Preçi, Gëzimi, Berti, Nikolla, Mirela, Zyhraja, Vjollca, Astrit, Blendi… Janë qindra miq të mi që nuk u aprovuan e ata u mërzitën, por vendit iu bë mirë. Se këta që përmenda janë ajka e inteligjencës, janë më të shkolluarit. Ata punojnë në poste mjaft të lakmuara për atë vend, janë drejtorë e menaxherë, biznesmenë e CEO në kompani të mëdha. Paguhen mirë dhe jetojnë mirë. Por duan të ikin se atdheu nuk është më baba, nuk shfaq siguri e ngrohtësi, mbrojtje e shpresë. Ai, si një pijanec, nuk do t’ia dijë për fëmijët. U merr paret nga portofolat e tyre dhe ikën e argëtohet me klikën e vet. Nuk i plas se si do rregullohet çatia apo si do vihen xhama te dritarja.
Këta njerëz u vrenjtën këto ditë, por shoqëria qeshi se nuk u largua truri, motori i progresit. Ndaj gëzohem që m’u realizua një lutja ime: “Amerikë, mos na e merr palcën e vendit se do thahet atdheu e nuk do na ngelet as emri!”
Në vjeshtë do ikin fituesit dhe sërish do nisin regjistrimet për lotarinë e re. Mbi 200 mijë do jenë prapë e kështu ndër vite deri sa një ditë, kur vendi do jetohet veç nga pleq, do kujtohet qeveria e asaj kohe të shpallë “lotarinë shqiptare”, një green card për çdo kinez, meksikan a brazilian që të vijë të punojë e të jetojë në Shqipërinë pa shqiptarë. Një e vërtetë që dhemb, por që po e gatuajmë të gjithë, populli dhe banditët që na qeverisin hë për hë. E nga “Welcome” do themi: “Mirë se erdhët shqiptarët e nesërm”