Albspirit

Media/News/Publishing

Bojaxhi: Na duhen antitrupa kundër populizmit të partive tradicionale

“Partitë tradicionale janë populiste. Duhet të prodhojmë antitrupa kundër populizmit që kanë instaluar ato”- kështu u shpreh sot Gjergj Bojaxhi, themelues i Sfida për Shqipërinë, i ftuar në panelin e Forumit Ekonomik të Tiranës ku diskutohej për kërcënimin nga populizmi.
“E vetmja mënyrë që shoqëria shqiptare të rregullojë problemin që ka me partitë e mëdha është të prodhojë antitrupa që të rregullojmë ato defekte që ekzistojnë në sistemin politik”- theksoi Bojaxhi. Sipas tij korrusioni nuk fillon kur një parti politike merr pushtetin, por si me mënyrën sesi është e ndërtuar një parti politike dhe se si funksionon nga brenda, ku në proceset që këto parti kanë brenda vetes, është e vështirë që për njerëz profesionistë dhe me integritet të bëjnë karrierë politike dhe të vlerësohen.
“Nëse ne nuk fillojmë të ndërtojmë grupime shoqërore, parti politike, shoqata,të cilët nuk rregullojnë këtë defekt, këtë kalbëzim që ekziston brenda strukturave ekzistuese, është e pamundur që ne të bëjmë atë ndryshimin që ka nevojë shoqëria. Nuk mendoj që shtresa gri ka humbur, mendoj se shtresa gri është e mpirë. Ata që janë të ndershëm dhe të drejtë që dalin publikisht për të mbajtur një qëndrim i hedhin baltë dhe i bëjnë të pisët. Ata që kanë qenë mëkatarë brenda sistemit dhe në një moment kanë reflektuar dhe mendojnë se mund të bëjnë diçka ndryshe i kujtohet se si keni qenë brenda dhe për këtë arsye ske të drejtë të kërkosh ndryshim. “
“Jetojmë në një konteskt, ku me populizëm nuk e mund dot këtë klasë politike, kur del të tregosh një model tjetër, propaganda dhe media të thonë që nuk e bën dot. Ka një mosbesim dhe skepticizëm, i cili ruan status-quonë dhe ne pikërisht këtë duam të ndryshojmë, status-quonë.”- tha Bojaxhi. Sipas tij, Shqipëria ka ndryshim nga vendet e tjera ku flitet për populizmin,ku ka prurje të popullatës nga vende të ndryshme të botës. Por në vendin tonë sipas Bojaxhiut, është si një tenxhere pa kapak ku nuk vlon, por avullon dhe kemi si valvul shkarkimi emigracionin. “Që do të thotë se një qytetar në vend që të zgjedhë të aktivizohet e të zgjidhë problemet e veta, zgjedh të largohet dhe kjo nuk mundëson krijimin e një mase kritike”- theksoi ai.
28/02/2017
Please follow and like us: