Albspirit

Media/News/Publishing

Corrispondenza Politica, (1901): Memorandumi i përfaqësuesve të Kombit Shqiptar dërguar deputetëve italianë

Revista « L’Orient », në shërbim të Perandorisë Osmane, ka botuar, në versionin e saj në gjuhën frënge, gjatë fundit të muajit maj të vitit 1901, në faqen n°8, memorandumin e përfaqësuesve të Kombit Shqiptar dërguar deputetëve italianë.

Revista shkruan se ky dokument kurioz është publikuar më parë në median «Corrispondenza Politica». Cilët përfaqësuesë e dërguan atë? Nga se druheshin bashkatdhetarët tanë? Cilat ishin kërkesat e tyre ndaj deputetëve italianë?

Capture

Në vijim memorandumi i tyre, sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu «Dars (Klos), Mat – Albania»:

«Zotërinj Deputetë,

Disa orë pranë Italisë, në bregun përballë detit Adriatik, në qendër të Evropës së qytetëruar; pavarësisht nga traditat e tij të lavdishme dhe origjina e tij e pastër Pellazgo-latine, jeton në një gjendje thuajse primitive, populli shqiptar, më trimi midis të gjithë atyre që jetojnë në Gadishullin Ballkanik.
Popull i braktisur nga të gjithë, ai i nënshtrohet një qeverie çnjerëzore, rezistente ndaj çdo ideje të lirisë, drejtësisë dhe qytetërimit.

Atij i mohohet gjuha amtare, edhe pse filologët më të mëdhenj evropianë kanë gjetur në të rrënjë (idioma) të padiskutueshme të pellazgjishtesh, ndërsa, në të kundërt, janë themeluar aty shkollat të cilat mbrohen nga serbët, bullgarët, austriakët dhe grekët.
Për shkak se industria dhe tregtia i janë ndaluar shqiptarit, ai është i detyruar të jetojë si në kohën e fiseve pothuajse parahistorike, dhe duhet të përdorë forcën për tu ushqyer.

Ja pra, mbi këtë popull sa fisnik dhe fatkeq, por gjithmonë krenar që i përket racës së madhe latine(Mund të jetë lojë diplomatike e pales shqiptare), shtrihet dora grabitqare e Austrisë ! Nëpërmjet mënyrave më tinzake, kompanive dhe shoqërive të ndryshme, ajo kërkon të zgjerojë dominimin e saj atje, kundër interesave italiane në detin Adriatik, dhe të drejtave të Shqipërisë, e cila, nëpërmjet cilësive të saj kombëtare, e meriton pavarësinë dhe lirinë e saj të plotë.

Xhuzepe Garibaldi, heroi i madh, ka thënë :

« Çështja e shqiptarëve më përket. Sigurisht, unë do të jem shumë i lumtur për të vënë në shërbim pjesën tjetër të jetës sime për të mirën e këtij populli trim, sepse shqiptarët janë heronj që e kanë dalluar veten në çdo luftë për qytetërim ».

Parlamenti i Italisë, përfaqësuesit e popullit fisnik dhe të lavdishëm italian, të mbështesin pranë Fuqive të Mëdha, në emër të qytetërimit dhe të lirisë, në emër të vëllazërisë së madhe latine, në emër të të drejtave të shenjta të Italisë në detin Adriatik, iniciativën e njohjes së kombësisë shqiptare dhe kështu të marrë fund skllavëria turke ! Pavarësia mbetet barrikada e vetme kundër ambicieve të Austrisë, Serbisë dhe Bullgarisë».

  1. Dervish Bej Hima (përfaqësues i delegacionit të Komitetit të Shqipërisë Veriore)
  2. Manlio Bennici (përfaqësues i 22 kolonive shqiptare në Itali dhe i Komitetit shqiptar « Pro Patria »)
  3. Jashar Erebara (përfqësues i delegacionit të rinisë shqiptare në Bukuresht)
  4. Ibrahim Themo dhe Halil Zenel Beu (përfaqësuesë të delegacionit të shqiptarëve të Shqipërisë Jugore)
  5. Ali Efendiu (përfaqësues i delegacionit të Vilajetit të Shkodrës)
  6. Mahmud Lufta Beu (përfaqësues i delegacionit të shqiptarëve të Maqedonisë)
  7. Ahmet Gani Beu (përfaqësues i delegacionit të shqiptarëve të Pejës, Shkupit dhe Prizrenit)

Burimi: gallica.bnf.fr/Bibliothèque nationale de France

* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/corrispondenza-politica-1901-memorandumi-i-perfaqesuesve-te-kombit-shqiptar-derguar-deputeteve-italiane/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.

Please follow and like us: