Kur edhe ligji për publikun s’është publik
Është një ligj që mban numrin 146 dhe që i detyron dikasteret shqiptare të jenë transparente përmes mekanizmave të tyre të informimit. Pjesëmarrja publike konsiderohet si një mekanizëm kyç rregullator i cili e nxit qeverinë shqiptare për të qenë e hapur me publikun, por sa realisht ka qenë e tillë…Në një shumicë rastesh, tregohet se informacioni ekziston por nuk jepet ose më keq akoma nuk dihet si të jepet!
Nga Ben Andoni
Për një njeri të thjeshtë përballja me dikasterin shtetëror përbën një shqetësim të pamatshëm. Në rastin më të mirë do të humbasësh kohë më kot, kurse në rastin më të keq nuk do të kuptosh asgjë. E gjitha kjo vjen për shkak të kulturës ende të pamjaftueshme të përballjes së qytetarit me instancën, por nga ana tjetër edhe nga shpërdorimi në masë që i bën punonjësi publik postit të vet. Rëndom, zyrtarët që mbulojnë përballjen me publikun, s’kanë formimin e duhur, bëjnë disa punë njëherësh, ndërsa jo pak janë tejet indiferentë për detyrën primare që kanë. Po ndërsa për një individ është e vështirë që të marrë informacion duket më e lehtë për një organizim, që përgjatë disa muajve monitoroi disa institucione në punën e tyre për konsultimet publike dhe projekt-akteve. Informacioni i dhënë nga Ministria e Integrimit, asaj të Mjedisit, e Energjisë dhe Industrisë, Transportit, Bujqësisë, Zhvillimit Urban, të kaluara në sitë pas monitorimit nga Qendra Eden (Qendra mjedisore për zhvillim, edukim dhe rrjetëzim) kanë treguar se informacioni në faqet respektive zyrtare ishte fare i mangët kur iu drejtua kërkesa për informacion. Në fakt, konkluzionet e këtij organizmi ishin tejet të dhimbshme: Institucionet jo vetëm nuk janë treguar bashkëpunuese por mbi të gjitha kanë shkelur ligjin “Për të drejtën e Informimit”.
Ligji
Për hir të së vërtetës, nëse do të shikosh sesi funksionon realisht administrata shqiptare, duhet të këqyrësh Ligjin 146/2014, që lidhet me informimin dhe që ishte objekt i këqyrjes së Eden. Përmes tre etapave, ku kalohet nga ana protokollare informacioni nga qeveria shqiptare, shtrohet detyra që publiku të informohet, të konsultohet dhe t’i kërkohet pjesëmarrja publikut për përmirësimin e tij. Ligji nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik” erdhi si një propozim i Ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, në përmbushje të angazhimeve që Shqipëria ndërmori në nismën globale “Partneritet për Qeverisje të Hapur”. Ai përfaqëson një nismë ligjore që ka nisur prej vitit 2011 me mbështetjen e Fondacionit SOROS, dhe miratuar në parlament në datën 30.10.2014.
Angazhimet e Shqipërisë
Nuk mund të thuhet se mungojnë nismat konkrete sa i përket implementimit të këtij ligji. Në këtë drejtim, Shqipëria ka miratuar disa dokumente ndërkombëtare të cilat i referohen transparencës dhe pjesëmarrjes së publikut në vendimmarrje, si Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (neni 19), Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut (neni 10), Konventa e Aarhus-it, e shumë të tjera. Qeveria shqiptare zbaton Programin e transparencës për Këshillin e Ministrave dhe ka përafruar në masën më të madhe legjislacionin kombëtar me Direktivat Evropiane të njohura si “Legjislacioni Horizontal ”. Të përmbledhura shkurt, ligjet, vendimet, rregulloret kryesore të cilat detyrojnë informimin dhe pjesëmarrjen e publikut në vendim-marrjen mjedisore janë të shumta. Më qartë në relacionin shpjegues të projektligjit: “Për njoftimin dhe konsultimin publik” theksohet se: “në kuadër të nismës për një qeverisje sa më transparente është parë si domosdoshmëri hartimi i një ligji të tillë për njoftimin dhe konsultimin më të gjerë me palët e interesuara me qëllim pjesëmarrjen e tyre në hartimin dhe vendimmarrjen në akte zyrtare”. Më tej raporti pranon: “Konsultimi e bën dialogun efektiv dhe përmirëson politikat e përmbajtjen e akteve juridike…”
Po pse nuk zbatohet si duhet
Fatkeqësisht Ligji për të drejtën e informimit zbatohet në mënyrë shumë dobët. EDEN provoi se paradoksalisht vetë personi i kontaktit, që ishte i caktuar nga ministritë e monitoruara për të mbështetur grupin e projektit, në shumicën e rasteve nuk kishte informacionin e nevojshëm për institucionin e tij, apo edhe për vetë ligjin!!! Koordinatorët bënin disa lloje punësh në dikaster dhe kjo bënte që personi të mos përgjigjej asnjëherë si duhet për informacionin, qoftë edhe kur kish predispozitë të mirë. Pasojat e të gjithë dobësisë së procesit ishin se Faqet zyrtare të institucioneve nuk e pasqyronin kurrsesi në nivelin e duhur procesin e zhvillimit të konsultimit publik dhe as nuk arrinin ta përditësonin realisht. Kjo bënte që të hasej në shumë vështirësi në grumbullimin e informacionit dhe të përballeshin dhe shumë mospërputhje të informacioneve që u morën nga faqet zyrtare të institucioneve dhe të informacioneve nga takimet me koordinatorët e ligjit. Por nuk mbaronte këtu, pasi të dhënat ndryshonin vazhdimisht dhe analizoheshin vazhdimisht çka e bëri procesin më të vështirë dhe të lodhshëm. Ndërkohë që nuk ishin mirë edhe institucionet e monitoruara për informimin e kohëzgjatjen e konsultimit publik edhe njoftimi i publikut është i kryer pjesërisht, por njoftimi i grupeve të interesit është kryer efektivisht. Kjo mangësi pritet që në të ardhmen të rregullohet me besimin më të madh që të mbulohet nga aktivizimi i faqes së regjistrit elektronik.
Me pak fjalë, Ligji për të drejtën e informimit mbetet në nivele të ulëta zbatimi dhe si rrjedhojë një pengesë serioze në transparencë dhe përfshirjen e publikut në vendimmarrjen e duhur. Dhe, si mund të jetë një ligj për publikun, kur vetë në shumë raste s’ është publik.