Albspirit

Media/News/Publishing

Si kaloi në heshtje “amnistia” për politikanët

Neni 449 në Kodin e Procedurës Penale ngriti në protesta një pjesë të shoqërisë civile.

Qytetarët akuzuan politikanët se po amnistonin “mëkatet” e tyre.

Ky nen nuk lejon rihapjen e dosjeve penale: as rishikimin e dënimit dhe as atë të pafajësisë.

Neni 449 i vitit 2013 parashikonte se: “Në rastet e caktuara me ligj lejohet në çdo kohë rishikimi i vendimeve që kanë marrë formën e prerë dhe kur dënimi është ekzekutuar ose është shuar”.

Ndryshimi i fundit i vitit 2017 që ka hyrë në fuqi parashikon se: “Nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit”.

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale janë publikuar në Fletoren Zyrtare më 5 maj. Ato mbajnë numrin 97. Parlamenti i miratoi ato më 30 mars, ndërsa efektet ligjore do të fillojnë nga data 1 gusht.

Presidenti i Republikës Bujar Nishani e kaloi atë në heshtje, ndryshe nga sa kishte deklaruar publikisht.

“Për mua është krejt e padrejtë dhe e paargumentuar. Veçanërisht në kushtet e Shqipërisë, Presidenti nuk ka fuqi ta ndryshojë ligjin, por nuk do ta dekretojë atë”.

Kalimi në heshtje i jep të njëjtën fuqi ligjit. Nishani ishte mundësia e fundit që neni 449 të rishikohej. Por presidenti në largim nuk e ndërmori këtë hap edhe pse i kishte quajtur abuzive dhe të padrejta.

Edhe misioni EURALIUS i Bashkimit Europian ishte shprehur kundër.

“Nuk ekziston një parim i qartë europian i ndërtuar në këtë drejtim”, thuhej në një reagim të tij për BIRN.

“EURALIUS rekomandoi parashikimin e një dispozite të ngjashme me modelet e vendeve si Gjermania, Austria apo Suedia, të cilat lejojnë rihapjen e çështjeve penale në raste të caktuara, edhe nëse kishte pafajësi”, vijonte reagimi.

Juristë të ndryshëm janë shprehur kundër këtij neni, gjithashtu.

“Në rastet kur gjenden prova të reja, çështjet mund të rihapen, edhe kur ka dënime, edhe kur ka pafajësi”, është shprehur ish –kryeprokurori Arben Rakipi për BIRN.

Shoqëria civile protestoi duke akuzuar politikanët se në këtë mënyrë po amnistojnë veten e tyre, duke mbyllur çështje të gjykuara, për të cilat janë dhënë vendime të dyshimta.

Në një shkrim të datës 5 prill 2017, Exit.al jepte këtë shpjegim për efektet e ligjit.

Efektet

  • Do të nxisë të akuzuarit të pranojnë fajësinë më shpejtë, në mënyrë që procesi i gjykimit të përshpejtohet, me shpresën se nuk do të zbulohen prova që rëndojnë pozitat e tyre. Ata tashmë e dinë se nëse marrin një vendim të formës së prerë, më vonë ata nuk do të marrin kurrë një dënim më të lartë, pavarësisht provave të reja të gjetura.
  • Do të demotivojë dëshmitarët e rinj për të sjellë fakte të reja, pasi dëshmia e tyre nuk do të ketë ndikim në një gjykim më të plotë dhe dënim më të lartë.
  • Do të demotivojë prokurorët për të rihapur çështjet dhe nëse ka prova të reja. Nëse nuk mund të rishikohet vendimi dhe të jepet një dënim më i lartë uk ka përse të rihapet çështja.
  • Do të dobësojë pozitën e gjyqtarëve në rastet e korrupsionit. Le të marrin një rast kur një politikan apo një i akuzuar për vepra penale, i ofron rryshfet gjykatësit në këmbim të një dënimi më të ulët. Nëse fakti se i akuzuari ka korruptuar gjyqtarit zbulohet pas dhënies së vendimit, politikani apo i akuzuari nuk mund të rigjykohet më. Ndaj gjyqtarit mund të hapër një çështje e re për korrupsion pasiv. Me fjalë të tjera, nëse një gjyqtar pranon  ryshfetin njëherë, ai është peng i politikanit apo kriminelit.

Me pak fjalë, ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale shuajnë çdo mundësi të rihapjes së çështjeve penale, edhe pasi procesi i vetingut të jetë bërë, dhe sistemi gjyqësor të jetë “pastruar”.

Po ashtu, sistemi gjyqësor do të jëtë edhe më shumë nën varësinë e Ministrisë së Brendshme dhe  Policisë së Shtetit, të cilët në shumicën e rasteve kryejnë fazën e parë të mbledhjes së provave. Meqë rastet nuk mund të rishikohen më, prokurorët dhe gjyqtarët do të varen tërësisht në profesionalizmin e policisë.

Protestat e shoqërisë civile dhe një peticion online i nisur prej tyre nuk u dëgjuan nga politika. Neni famëkeq kaloi në heshtje jo vetëm nga presidenti, por edhe nga opozita që po proteston prej afro 80 ditësh.

Please follow and like us: