Ilir VATA: Demokracia në letër, reminishencë e diktaturës
Ende ka që besojnë se do bëhen zgjedhjet me 18 qershor, ndonëse procesi zgjedhor është deligjitimuar në të gjitha afatet ligjore, si regjistrimi i subjekteve zgjedhore, regjistrimi i koalicioneve dhe dorëzimi i listave të kandidatëve për deputetë. Në palën e atyre që duan zgjedhje janë partitë e pushtetit, që në total janë 17 parti të regjistruara në zgjedhje, të gjitha të një spektri në qeveri dhe rreth saj, dy qejfmbetës në rol dhe ndonjë zyrtar i qeverisë, duke bërë kështu që në garë të jetë vetëm qeveria pa alternativën ndryshe, opozitën.
Kjo është njëra anë e medaljes, por ajo që vret më shumë është fakti se manovra për të bërë në letër demokracinë është një lajthitje politike, pasi po vritet pluralizmi politik në Shqipëri, sepse në këto zgjedhje vetëm 25% e partive marrin pjesë në garë, ndërsa shumica, pra 46 parti politike nuk marrin pjesë, duke llogaritur se në dy zgjedhjet e fundit kanë qenë pjesëmarrëse 63 parti politike.
Demokracia në letër nuk është e panjohur për shqiptarët, sepse 27 vite më parë ish-presidenti i fundit i diktaturës, Ramiz Alia skicoi pluralizmin politik nga zyra e tij dhe nxori në opozitë disa nga eksponentët e besuar që në të ardhmen do ta bënin demokracinë të kontrolluar, madje të gjitha protestat ishin të parapërgatitura dhe në një farë mënyre ai shpëtoi gjakderdhjen, por vrau demokracinë.
Për ofro tri dekada, demokracia në Shqipëri ka qenë e vrazhdë dhe diktatura shfaqej herë pas here përsa i përket demokracisë politike, drejtësisë politike, policisë politike dhe politizimin e gjithçkaje, madje dhe kontrollin e mediave. Çdo liri në një farë mënyre kontrollohet sepse politika përdor demagogjinë për të fshirë memorien kolektive dhe përdor popullin si turmë politike.
Tri dekada radhazi, Shqipëria në tranzicion në një formë qeverisjeje të pahasur më parë ku zot të shtetit dhe të institucioneve të pavarura janë një dorë njerëzish politikanë që kontrollojnë gjithçka.
Asgjë s’u bë për dekomunistizimin e vendit, kurimin e së shkuarës, rishikimin e historisë së tjetërsuar, vlerësimin e vlerave kombëtare, hetimin e krimeve të komunizmit, kurimin e shtresës së të përndjekurve në aspektin moral dhe financiar, por vetëm demagogji për ta përdorur këtë shtresë si mburojë për të fshehur mëkatet dhe krimet e diktaturës. Në këtë dimension, politika ngjason më shumë me regjimin se sa me demokracinë.
Pas 27 vitesh shfaqet e njëjta skenë politike, pas dështimit të politikës së vjetër për afro tri dekada. Skicimi i demokracisë në mënyrë të turpshme, si për të thënë se historia përsëritet, pasi ish-eksponentë të diktaturës sot të pushtetshëm hartojnë skicën e pluralizmit të dytë duke e vrarë atë, pasi zgjodhën drejtuesit e rinj të pushtetit dhe opozitës, disa janë të pushtetit që u delegon atribute opozitare, disa në qendër ndonëse janë të korruptuar, madje kanë menduar dhe për pronarët dhe të përndjekurit, duke e deleguar atë.
Edhe nëse do zhvillohen zgjedhje, atëherë demokracia është vrarë, pluralizmi është gjymtuar, e drejta e përfaqësimit politik është rrënuar dhe shumica politike nuk mendon si ata, por duke kundërshtuar çdo ditë dhe pa mbarim, sa qeverisja do bëhet e pamundur, madje mund të krijohet një pushtet paralel, me pushtetin vendor dhe mosnjohjen e pushtetit real.
Nuk ka zgjedhje të një grupi të pakicës politike mazhorancë sot, pa arritur paktin politik, reformën zgjedhore, ndryshimin e Kodit Zgjedhor, votimin e Vettingut dhe çuarjen para të reformës në drejtësi dhe pas tyre një datë zgjedhjesh ku të gjithë palët të hyjnë në garë të barabartë dhe të gjithë të urojnë fituesin, sepse fundja është vullneti i qytetarëve ai që përcakton pushtetin dhe jo pushteti ai që përcakton rregullat e demokracisë.
Një palë, apo një tufë njerëzish po e çojnë dhe vetë pushtetin në gabim, pasi duke e nisur mendimin nga interesi i tyre personal dhe mundësimi i përfitimit në maksimum nga pushteti në mënyrë të paligjshme, përpiqen që me demagogji të mbarsin një paligjshmëri demokratike dhe kësisoj ata po e thellojnë qëndrimin e mazhorancës për të hyrë në zgjedhje dhe të vetëm.
Zgjedhjet nuk bëhen vetë dhe as duke rrëzuar pushtetin e ligjshëm, por duke gjetur një marrëveshje politike, mbase një bashkëqeverisje të të gjithë aktorëve politike për t’u bërë bashkë për të çuar para reformat deri në ditën e zgjedhjeve për të gjithë dhe të pranueshme nga të gjithë sepse fundja të gjithë bashkë mund t’ja dalim për një farë kohe deri sa ta bëjmë gati Shqipërinë për të zhvilluar negociatat për antarësim në BE.
Ka politikanë të rinj që mund t’ia dalin mbi këtë klasë politike të vjetër dhe krerët e partive të mëdha janë relativisht të rinj me përvojën e duhur për të bërë një zgjidhje kombëtare për interesat kombëtare dhe vetë të shqiptarëve, pasi çdo tentativë kryeneçe do jetë në dëm të shqiptarëve.
Të dy palët kanë nga një kauzë, mazhoranca reformën në drejtësi dhe opozita votën e lirë, dhe është privilegj t’i kesh në kohë elektorale, por ajo që duhet theksuar është fakti se më e rëndësishme është t’i realizosh ato, dhe pa njëra-tjetrën asgjë nuk mund të bëjnë. Pra do bien të dy kauzat që sot janë të shenjta dhe thelbësore për shqiptarët.