‘Kavaja e Bashës’ shpëtoi ’18 qershorin e Ramës’
Alfred Lela
Kavaja shënoi një moment kthese në zhvillimet e krizës politike në Shqipëri dhe i hapi horizont, jo vetëm pikëpamjeve, por edhe zgjidhjeve të reja.
Përpara se të shkohet te efekti që do të ketë Kavaja në ditët vijuese, dhe në mënyrën se si do të pozicionohen aktorët politikë në raport me krizën, pse të mos hedhim sytë në fillim mbi disa shenja që na zbuloi qyteti i vogël.
Shenja e parë ishte deklarimi i kandidatit socialist të Kavajës se tërheqjen nga gara e mori vesh nga media. Klodian Shehi ishte në një ‘fiesta elektorale’ në stadiumin e Kavajës me të rinjtë e FRESH, kur gazetarët i drejtuan mikrofonin për t’i dhënë lajmin se “Rama e kish tërhequr”.
Shenja e dytë ishte tërheqja e dytë, pa një pa dy, edhe e kandidatit të pavarur, të ashtuquajturit të tillë. Gatishmëria e tij për të lënë garën pa u menduar, pa u konsultuar, apo pa bërë sikur, identifikon si fakt dyshimin se ai ishte hedhur në fushë për ‘zbukurim’.
Shenja e tretë ishin deklarata e përfaqësive të huaja diplomatike të cilat e përshëndetën aktin e Kryeministrit, duke theksuar se tërheqja i jepte mundësinë palëve të riktheheshin te dialogu.
Shenja që dha ky qytet i vogël duhet t’i shërbejë ambasadorëve për ta projektuar mikroklimën e Kavajës në makroklimën e Shqipërisë. Nëse nuk mund të funksiononte Kavaja nuk ka për të funksionuar as Shqipëria. Shpresa për ta kryer eksperimentin vetëm sa do të vonojë zgjidhjen duke e zgjatur krizën.
Kavaja, duhet thënë, i ktheu edhe ambasadorët në realitet.
Të tria shenjat dekonspirojnë përpjekjet për t’i hedhur tisin e normalitetit një gjendjeje bizare dhe aspak normale. Përfshirja në këtë përpjekje të qeverisë, diplomatëve të huaj dhe një pjese të madhe të medias nuk e nivelonte anomalitetin. Parakosalisht, e bënte të dukej më i thepët.
Shenjat pra, janë paralajmërime të sindromës. E cila shfaqet te vektorët qendërikës, si kandidatët e Kavajës, media dhe diplomatët, por bash te qendra kthehen dhe e gjejnë shpjegimin.
Me qendër, kupto Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Në fillim ai duhet përshëndetur ngrohtësisht dhe demokratikisht për aktin e tërheqjes. Shtysat drejt këtij vendimi kanë rëndësinë e tyre, por bëhen të parëndësishme para lartësisë së aktit politik. Thënë këtë, Kryeministrit i duhen kujtuar ‘shenjat’ për të cilat u fol më lart, që ilustrojnë Kavajën dhe shpjegojnë sindromën.
Rama duhet ta përkthejë Kavajën në gjuhën e duhur: ai ka fituar një shenjë, edhe pse ‘ka humbur nderin’, ndërkohë të nëpërkëmbur qysh kur mori vendimin që Kuvendin dhe disa prej bashkive t’i ‘stoliste’ me personazhe problematike.
Tërheqja e tij nga ‘Paketa McAllister’, duke përdorur një gjuhë amatoreske politike ‘se gjërat kanë ndryshuar pasi ka kaluar një javë’, është ridimensionuar me tërheqjen nga Kavaja.
Me këtë zero-zero, Kryeministri duhet të ulet sërish me liderin e opozitës dhe të fillojnë diskutimet nga Paketa e lart./Politiko.al/