Albspirit

Media/News/Publishing

Paguhet rregullisht, por nuk shkonte prej 10 muajsh në punë, 1 vit burg për ish-zyrtarin e Kuvendit

Gjykata e Tiranës ka dënuar me 1 vit burg një ish-zyrtar të lartë të Kuvendit të Shqipërisë, të akuzuar për “shpërdorim të detyrës”. Vepra penale për të cilën është fajësuar i pandehuri Rikard Marku, ish-drejtori i Shërbimeve të Komisioneve të Kuvendit, dyshohet të jetë kryer në harkun kohor 2009- 2010. Sipas gjykatës, Marku ka lejuar që një vartës i tij të paguhet rregullisht nga Kuvendi, ndonëse ky i fundit nuk është paraqitur për gati 10 muaj në punë. Gjykata vendosi përfundimisht pezullimin e ekzekutimit të dënimit të tij me burg për Markun, duke e lënë atë në shërbim prove për një periudhë prej 18 muajsh.

Procedimi penal ndaj Markut ka nisur pas një kallëzimi të bërë në Prokurori nga vetë strukturat e Kuvendit të Republikës, në shtator të vitit 2015. Në këtë vit strukturat e Kuvendit kanë konstatuar faktin se D. G., një nga këshilltarët e Komisionit të Integrimit Europian, ishte paguar rregullisht, ndonëse në periudhën shtator 2009-korrik 2010 kishte kryer një studim master në Itali. Sipas vendimit, këshilltari D. G. kishte kërkuar leje pa të drejtë page për shtator-tetor 2009, leje e cila i ishte miratuar. Nga ana tjetër, pas daljes nga vendi, ai është kthyer gati 10 muaj më vonë.

Please follow and like us: