Albspirit

Media/News/Publishing

Debati në parlament në maj 1992, kur diskutohej ligji për partitë politike

Pjesë nga debati në parlament në maj të vitit 1992, kur diskutohej ligji për partitë politike.

Ilir Meta

Shoqëria shqiptare po përjeton një transformim demokratik i cili nuk mund të pretendohet se është i plotë, sepse ka vetëm dy vjet që ka nisur. Në këtë aspekt dhe partitë politike si pjesë integrale të kësaj shoqërie nuk kanë marrë fizionominë e plotë, prandaj dhe gjykimi nuk është i plotë e kategorik për secilën forcë politike nuk mund të jetë i lehte.

Për sa i përket problemit të Partisë Komuniste unë mbështes Presidentin Berisha, i cili tha që jashtë ligjit duhet të dali ajo që është e paligjshme, n.q.s programi e aktiviteti i ndonjë partie qoftë dhe e kësaj Komuniste është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi të mbahet qëndrim nga Ministria e Drejtësisë, nga Gjykata Kushtetuese e pastaj dhe nga Kuvendi Popullor.

Unë mendoj se antikomunizmi është një kulturë e demokratike, është argumentimi iavantazheve të sistemit demokratik ndaj sistemit komunist dhe për më tepër vërtetimi i këtyre avantazheve në praktike. Mendoj se komunizmi në Shqipëri do të zbehet e do të zhduket sa më shpejt të eci demokracia, sa më shpejt të ecin reformat.

Mendoj se agresiviteti nuk është i nevojshëm, prandaj thashë që ta shikojë Ministria e Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese e pastaj Kuvendi Popullor. Këtë e kanë vërtetuar Gjermania, Rusia e Carit, Spanja, Franca, ku me metoda të tilla e nxit komunizmi. E kundërta ndodhi në Angli kur me kulture demokratike e sfiduan komunizmin e pothuajse nuk e njohin fare.

Uran Butka 

Zoti Kryetar, jam dakord me ndryshimin e pjesshëm të ligjit “Për partitë politike”, sepse i shërbejnë qartësimit dhe zbatimit me të mirë të ligjit në kohën e sotme e të nesërmes se i shërben Shqipërisë.

Por, duke parë këtu reagimet e disa deputeteve socialist dua të theksoj se ndalimi i çdo partie apo shoqate që kanë karakter totalitar që propagandojnë envero-komunizmin, luftën e klasave, luftën civile, propagandojnë figurën e diktatorit Enver Hoxha, figure e urryer antikombëtare, antidemokrate, është kërkese e kohës, sepse komunizmi është i pranishëm ende në strukturë, në mentalitet, në praktikë dhe rrezikon demokracinë. Siç dihet Partia Komuniste Shqiptare krijese e agjenturës serbo-sllave e drejtuar nga një ideologji komuniste nga më të errëtat, më gjakatare e historisë së popullit tonë. Ajo ishte një përzierje e koncentruar i fashizmit e komunizmit sllav, pra partia shtet me në krye demonin Enver Hoxha i shkaktoi Shqipërisë një tragjedi gjysmë shekullore. Kurse sot Partia Komuniste Shqiptare e miratuar qëllimisht nga Ministria e Drejtësisë dhe Qeveria e Stabilitetit synon të ringjallë kohën e molepsur të Enver Hoxhës që të ktheje të kaluar “e lavdishme” socialiste, të rivendosi diktaturën e kuqe, të pengojë përparimin e demokracisë se brishtë shqiptare. Aq me tepër që këtë rol e kanë marrë përsipër aventurierë donkishotesk të tipit Hysni Milloshi, apo historian të zinj, falsifikatorë të paskrupull të historisë shqiptare të tipit Xhemil Frashri që përfundimisht e ka gjetur veten në gazetën komuniste “Zëri i së vërtetës” e cila dje kishte në faqet e saj fotografinë e diktatorit tradhtar Enver Hoxhës. Në këtë gazetë ishte shkruar artikulli vepër e lavdishme e Partisë Komuniste dhe e Enver Hoxhës.

Pandeli Majko 

Duke dëgjuar deputetin parafolës dëshiroja t’i bëja të ditur parlamentarëve një program një parti republikane shqiptare që qenka në Boston, meqenëse ky ligj ka të bëjë me partitë totalitare. Në një pikë të tij thuhet që të vriten në çdo katund, fshat e qendër pune ish anëtarë të Partisë Komuniste.

Kishte të bënte me qëndrimin e partive të majta e të djathta që e ngriti dhe përfaqësuesi i PSD-së. Përcaktimi i ligjit sipas relacionit ka të bëjë me nxjerrjen jashtë ligjit të ideologjisë komuniste e cila sundoj 40 vjet në vendin tonë duke shkelur të drejtat flagrante të drejtat njerëzore e politike të mbarë shqiptarëve.

Unë nuk e kuptoj fjalën nxjerrje jashtë ligjit të Partisë Komuniste që punon për diktaturën e proletariatit luftën e klasave që sollën aq vuajtje në vendet evropiane dhe kësaj partie që aspiron për marrjen e pushtetit me dhunë e me armë. Mendoj se kjo parti që aspiron luftë klasash apo marrje të pushtetit me dhunë ajo duhet të nxirret pa asnjë hezitim nga skena politike. Për sa i përket Partisë Komuniste Shqiptare nuk kam dijeni se si e kane programin, sepse për fat të mirë nuk kam qenë asnjëherë anëtar i Partisë Komuniste.

Mendoj se n.q.s ka parti që mendon për luftë klasash e marrje të pushtetit me dhunë nuk duhet të ekzistoje. Dua që ky Parlament të bëhet i vetëdijshëm që komunizmi ose çdo ideologji tjetër bëhen të pavlefshëm nga votat e popullit siç që rasti i 22 Marsit, i cili nuk lejoj që në këtë Parlament të hynte Partia Komuniste. Demokracia nuk mund të pajtohet me veprimet e ngjashme me ato që përdori shteti i diktaturës së proletariatit për të larë hesapet me kundërshtarët e tij. Forca e demokracisë qëndron në tolerancën dhe fuqinë e ligjit, të cilat e kanë treguar veten.

Mendoj se Kuvendi Popullor për periudhën që po përjeton vendi ynë duhet të ngrejë një komision të posaçëm i cili të shqyrtoj programet e të gjithë partive shqiptare me qëllim që kur ky Parlament të thotë fjalën e fundit çdo gjë të jetë e qartë dhe e argumentuar.

Please follow and like us: