Parqet arkeologjike, shesh fushate elektorale dhe përshesh investimesh
Shqipëria nga skaji verior në atë jugor ka një larmishmëri gjetjesh arkeologjike, që krijojnë një mozaik të kronologjisë të qytetërimeve të ngritura ndër shekuj në trojet tona.
Në qytetin e Fierit që prej vitit 2005, Apollonia funksionon si Park Arkeologjik Kombëtar. Apollonia u themelua si qytet në fillim të shekullit të shtatë para Krishtit, nga kolonizatorët grekë që vinin nga Korinti.
Rëndësi kjo që e ktheu në shënjestër të prag-fushatës elektorale të këtij viti, ku muajin e kaluar kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zgjodhi këtë park për të diskutuar në lidhje me platformën e LSI-së për zhvillimin e turizmit.
“Turizmi është një nga shtyllat më të rëndësishme dhe ende në fillimet e veta të shfrytëzimit…por kryesisht është keqshfrytëzuar”, ushpreh Meta lirshëm për ministrinë që drejtohet nga socialistët. Por slogani “Një shans përmes turizmit” duket shumë ironik për këtë sektor. Shansin kjo parti që prej 8 vitesh ka kaluar nga kalicioni me të djathtët në atë me të majtët, mund t’ia kishte dhënë prej kohësh turizmit.
Mund ta kundërshtonte shkatërrimin e “Pompeit shqiptar” për ndërtimin e një kompleksi pallatesh në Durrës. Po ashtu për hir të turizmit Ministria e Mjedisit mund t’i ndërpriste lidhjet që shkarkojnë ujëra të zeza në det, që u raportuan gushtin e kaluar nga Ishull.com
Por ndryshe nga kujdesi i LSI-së që mos t’i largohej kontekstit të turizmit dhe arkeologjisë, kryesocialisti Rama e përdori këtë muaj Parkun e Apollonisë si arenë e komunikimit me të rinjtë besnik të kësaj force politike. Por togfjalëshi që dominonte ishte, “qeveri besimi”, “qeveri teknike” dhe nuk dëgjohej gjëkundi mbrojtja e arkeologjisë, zhvillimi i turizmit apo ndonjë fjalë tjetër e huaj për investimet e qeverisë.
Kryetari i Departamentit të Artit edhe Kulturës në Partinë Demokratike, Arben Skënderi, reagoi për këtë ngjarje duke u shprehur ishte një shkelje e ligjit, pasi organizimi i çdo lloj aktiviteti që nuk ka në fokus vlera kulturore të lidhura drejtperdrejt apo indirekt me promovimin e trashgimisë kulturore apo të vetë sitit ku aktiviteti ndodh, është i ndaluar. Por edhe takimi për shpalosjen e programit të LSI-së për turizmin, duket se ka rënë në të njëjtën shkelje.
Meta e Rama mund t’i shpëtojnë skenës së krimit, rrethuar me shirita nga prokuroria e Durrësit në sheshin “Veliera”, por jo tokës së pasur të Apollonisë. Në fillim të muajit shkurt, dy vëllezër banorë të fshatit Radostimë në Fier, që ndodhet rrëzë kodrave të Apollonisë, u arrestuan nga policia që u gjeti 264 artefakte.
Nekropoli i Apollonisë na ishte shndërruar në “Park vjedhjesh” dhe megjithëse ka përgjegjës për ruajtjen e parkut, gjuetia e thesareve kryhej sikur po shponin blindat e “Velierës” në mes të ditës.
Por teksa u duk se politika ju shqep Apollonisë, një ngjarje me rëndësi për parkun, si rehabilitimi i Manastirit të Shën Marisë dhe peizazhit në Parkun Arkeologjik të Apollonisë, investim i Bashkimit Europian, u ul në nivelin e akuzave politike.
Kryeministri ndryshe nga muaji i kaluar, ku thumbonte aleatin e tij për vijimin e koalicionit, dje u shfaq duke u marrë me protestën e opozitës, në një ngjarje që mendohej se nuk na kishte lidhje me politikën.
Por zaptimi i një tempulli të kulturës, si Parku i Apollonisë, tregon varfërinë e investimeve për arkeologjinë në vend. Mund të ishte zgjedhur Parku Arkeologjik i Bylisit, ku ilirët kanë lënë gjurmët e tyre, por këtu nuk ka rrugë të mirë për të shkuar. Mund të ishte zgjedhur kalaja që mendohet si më e madhja e Ballkanit, ajo e Grezhdanit në Dibër, por ajo është harruar në tokat e fshatit.
Por mund të ishin zgjdhur edhe kodrat e Spitallës në Durrës, por atje gërmimet arkeologjike kanë dekada që nuk duken, periudha prehistorike, arkaike e në vijim është lënë të flejë e qetë, me shpresën se vilat luksoze të bregdetit të Kallmit, do të ngjiten edhe në kodër.
Por kryeministri njëkohësisht është edhe kreu i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe kur firmos për vijimin e “Rilindjes Urbane”, duhet të shoh zonifikimin arkeologjik të qytetit të Durrësit, se nuk ja kanë për borxh romakët, osmanët e kushedi se kush që t’i ngulin blindat e betonit pas shpine në kohë paqeje. Muajt e fundit janë firmosur një sërë projektesh publike dhe private, zona për të cilat ka punime shkencore që vërtetojnë praninë e objekteve të lashta, mozaikëve dhe ndërtimeve luksoze romake.
E teksa trashëgimia kulturore do të kthehet në kartë zgjedhore, post-zgjedhjet do të vulosin fatin e nëntokës së Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, pasi e sotmja nuk është tjetër vetëm se qetësia përpara stuhisë.
Ky artikull është botuar më parë tek Amfora.al.