Policia arreston gazetarin Kastriot Myftaraj, e liron prokuroria
Policia shqiptare arrestuan mbrëmjen e kaluar gazetarin Kastriot Myftaraj, 51 vjeç, nën akuzat për thirrje publike për veprime të dhunshme.
Sipas njoftimit të forcave të rendit, Myftaraj ka botuar në media një shkrim ku bën thirrje të hapura për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues.
Policia bashkëpunoi në këtë arrestim me prokurorinë pranë gjykatës së Tiranës.
Ajo theksoi “thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.
Myftaraj botoi në rrjetet sociale 3 ditë më parë një shkrim mbi zhvillimet politike shqiptare, ku ka edhe fyerje ndaj ambasadores së BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin.
Ai është akuzuar edhe më parë për gjuhën e ashpër në shkrimet e tij.
Por prokuroria kërkoi lirimin e gazetarit Kastriot Myftaraj, pasi sipas saj, në veprimtarinë e tij më të fundit publicistike nuk ka vepra penale.