Presidenti mbron vendimin për shkarkimin e drejtorit të FBI
Presidenti Donald Trump i ka dalë në mbrojtje vendimit për të shkarkuar Drejtorin e FBI-së James Comey, duke thënë se zoti Comey “nuk po bënte punë të mirë. Thjesht kaq”.
Presidenti i bëri komentet të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë.
Më herët, përmes një postimi në Twitter, ai tha se Comey kishte humbur besimin “e të gjithëve në Uashington, si të republikanëve, ashtu edhe të demokratëve”.
Përmes një numër postimesh në Twitter, ai tha se “Comey do të zëvendësohet nga dikush që do të bëjë punë shumë më të mirë, duke rikthyer shpirtin dhe prestigjin e FBI-së”.
Nënpresidenti Mike Pence i doli në mbrojtje masës së presidentit duke thënë se zoti Trump “kishte marrë vendimin e duhur në momentin e duhur,” kur kishte shkarkuar James Comeyn.
Kritikët e këtij vendimi thonë se ai krijon dilema për hetimet e FBI-së lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit si dhe marrëveshjet e fshehta që mund të kenë pasur disa persona të afërt me fushatën Trump dhe përfaqësues të interesave ruse.
Hetues të FBI-së dhe punonjës të Departamentit të Drejtësisë do të jenë shumë të interesuar “të shohin se si vijojnë gjërat më tutje lidhur me provat nëse ka pasur shkelje, nëse ka pasur lidhje me ndërhyrjet ruse,” tha për Zërin e Amerikës ish-Prokurori i Përgjithshëm Alberto Gonzales. “Do ta konsideroja veprim të pamenduar nga presidenti nëse beson se do të ndalë hetimet,” tha zoti Gonzales.
Senatorja Dianne Feinstein, demokratja më e lartë në Komisionin e Senatit për Drejtësinë, i cilësoi të pabesueshme veprimet e presidentit. Ajo tha se mënyra dhe momenti i shkarkimit të zotit Comey mund të implikojnë administratën dhe bëri thirrje që të ndriçohet situata.
Përmes një letre pa rezerva, Presidenti Trump shkarkoi dje drejtorin e FBI-së: “Jeni i shkarkuar dhe i larguar nga detyra; vendimi hyn në fuqi menjëherë”. Presidenti shtonte në letër se zoti Comey nuk ishte në gjendje të drejtonte Byronë Federale të Hetimeve.
Arsyet për largimin e zotit Comey u renditën në dy letra të veçanta të shkruara nga Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions dhe zëvendësi i tij, Rod Rosenstein. Në to thuhet se zoti Comey “ka bërë gabime serioze” në trajtimin e përfundimeve të hetimit mbi emailet e rivales së zotit Trump, Hillary Clinton. Zoti Rosenstein akuzonte ish-drejtorin e FBI-së se kishte shtrirë autoritetin e tij deri tek kompetencat e prokurorit të përgjithshëm kur kishte shprehur opinionin se nuk duhet të kishte ndjekje penale për zonjën Clinton.
Senatori Lindsey Graham, anëtar i Komisionit për Gjyqësorin, tha se “duke pasur parasysh dilemat dhe debatet lidhur me punën e drejtorit, një fillim i ri do të ishte në të mirë të FBI-së dhe vendit”.
Por anëtarë të tjerë të Kongresit kanë ngritur idenë se presidenti ka kryer shkelje me këto veprime.
Richard Burr, kryetar i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Zbulimit tha se ishte “shqetësuar nga momenti dhe arsyetimi për shkarkimin”. Ai e cilësoi shkarkimin e zotit Comey “një humbje për byronë dhe vendin”.
John McCain, anëtar republikan në Komisionin e Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Çështjet Qeveritare tha “Megjithëse presidenti ka autoritetin ligjor për të shkarkuar drejtorin e FBI-së, u zhgënjeva nga vendimi për shkarkimin e James Comeyt”.
Ligjvënësi Justin Amash, anëtar republikan i Grupimit për Lirinë me pikëpamje konservatore tha në një postim në Twitter se “po analizon kornizën ligjore për të ngritur një komision të pavarur për Rusinë”. Ligjvënësi Amash u shpreh se i ishte dukur “i çuditshëm” komenti që presidenti bënte në letrën e tij ku përmendte se drejtori i FBI-së e kishte siguruar se vetë zoti Trump nuk ishte objekt hetimesh.
Demokratët në Senat e kanë cilësuar aktin e presidentit si ‘Niksonian’ – një referencë ndaj shkarkimit të zyrtarëve nga Presidenti Richard Nixon gjatë skandalit Watergate në fillim të viteve 1970.
Disa senatorë demokratë bënë të mërkurën thirrje për emërimin e një prokurori të posaçëm për të vazhduar hetimet e Departamentit të Drejtësisë mbi dyshimet se mund të ketë pasur kontakte mes individëve që punonin për fushatën e zotit Trump dhe zyrtarëve rusë.
Demokrati Dick Durbin, anëtar i Komisionit të Senatit për Gjyqësorin tha se çdo përpjekje për të penguar ose minuar hetimin e FBI-së lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhje “do të ngrinte shqetësime të rënda kushtetuese”.
Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer tha se i kishte thënë presidentit: “Po bëni një gabim shumë të madh” me shkarkimin e zotit Comey, ndërkohë që vazhdojnë një numër procesesh hetimore mbi fushatën e presidentit në 2016.
“Memorandumi i Rosensteinit bazohet në parimin ekzistues për hetimet kriminale, por momenti kur u bë është problematik dhe shqetësues,” thotë për Zërin e Amerikës profesori i jurisprudencës në Universitetin George Washington, Jonathan Turley.
Vetëm disa orë pas shkarkimit të zotit Comey, rrjeti televiziv CNN njoftoi se FBI-ja kishte thirrur ish-bashkëpunëtorin e presidentit Michael Flynn të paraqitej për të dhënë dëshmi. Zoti Flynn u shkarkua nga detyra e këshilltarit të presidentit për sigurinë kombëtare, pasi u bë i njohur fakti që kishte gënjyer presidentin lidhur me komunikimet që kishte pasur me zyrtarë rusë.