Albspirit

Media/News/Publishing

Shkrimtari dhe kandidati për Nobël, Kadare i ka shkruar një letër ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin

Letra vjen pas thirrjeve për vrasjen e ambasadores, nga analisti Kastriot Myftaraj, i cili u ndalua nga Policia, por më pas u lirua. Kadare, në letrën drejtuar ambasadores thotë se ai është gati të kërkojë ndjesë në gjunjë para saj, për të treguar se mirënjohja e tij për të është e pacenueshme.

LETRA

Letër për Romana Vlahutin, ambasadore e BE në Shqipëri

E nderuara Zonjë,

Më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër krejtësisht personale, për tronditjen që më shkaktoi sot fyerja e paskrupullt që u bë publikisht kundër jush në shtypin shqiptar. Nuk është fjala për të sqaruar këtu se ç’është fyerja e një njeriu jo normal dhe se sa pak lidhje ka ajo me një popull e një shoqëri të tërë. Megjithatë ajo fyerje u botua nga shtypi i vendit tim, kështu që në një mënyrë ose një tjetër na vuri para përgjegjësisë të gjithëve.

Ndonëse shkrimtar i njohur, nuk marr përsipër të përgjigjem për ato çka mund të ndodhin në këtë vend, për mirë apo për keq. Do të doja thjesht të ndaja me ju pikëllimin që mund të ndiejë njeriu, i cili, në vendin ku vjen të ndihmojë për kapêrcimin e brengave, ndeshet me një mosmirënjohje të tillë. E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t’ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t’ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacënueshme.

Ismail Kadare

Paris, 10 maj 2017

Please follow and like us: