Albspirit

Media/News/Publishing

Takimi i presidentit Trump me ministrin e Jashtëm rus

Një ditë pasi shkarkoi drejtorin e agjencisë që po hetonte rreth lidhjeve të zyrtarëve të administratës së tij me Rusinë, presidenti Donald Trump priti ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov në Shtëpinë e Bardhë për bisedime që u përqëndruan kryesisht tek Siria.

“Pata një takim shumë të mirë me zotin Lavrov. Mendoj se ishte një takim shumë, shumë i mirë,” tha zoti Trump për gazetarët.

Duke folur në Zyrën Ovale, me ish Sekretarin e Shtetit Henry Kissinger në krah të tij, zoti Trump dha disa hollësi rreth diskutimeve me diplomatin rus. “Mendoj se do të punojmë shumë mirë në të ardhmen përsa i përket Sirisë. Po ndodhin veprime që janë shumë, shumë pozitive. Do të ndalim vrasjet dhe vdekjet.”

Vizita e zotit Lavrov shënon takimin e nivelit më të lartë të zotit Trump me një zyrtar të lartë të Moskës që kur ai mori pushtetin dhe vjen një muaj pasi presidenti tha se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës mund të ishin në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave.

Duke folur me gazetarët në ambasadën ruse pas takimit, zoti Lavrov ishte më specifik rreth çështjeve të diskutuara. “Diskutuam në hollësi për Sirinë në kontekstin e ideve që janë paraqitur lidhur me ngritjen e zonave të sigurta për civilët” tha ai. “Ne kemi një mirëkuptim të përbashkët përsa i përket faktit, se ky hap do të kontribuojë në ndërprerjen e dhunës në mbarë territorin e Sirisë. Do të jetë një hap për të kontribuar drejt zgjidhjes së problemeve humanitare.”

Një deklaratë e publikuar nga Shtëpia e Bardhë pas bisedimeve përfshin gjithashtu pika të tjera të nxehta rajonale.

“Presidenti Trump theksoi nevojën për të punuar së bashku për t’i dhënë fund konfliktit në Siri, dhe nënvizoi nevojën që Rusia të frenojë regjimin e Asadit, Iranin dhe grupet që mbështet Irani, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë theksohet dëshira e zotit Trump për të ndërtuar marrëdhënie të mira dypalëshe me Moskën për një numër të gjerë çështjesh.

“Presidenti ngriti çështjen e Ukrainës dhe shprehu vendosmërinë e administratës së tij për të mbetur i angazhuar në zgjidhjen e konfliktit dhe theksoi përgjegjësinë e Rusisë për të zbatuar plotësisht marrëveshjet e Minskut. Ai shtroi gjithashtu mundësinë e bashkëpunimit më të gjerë në zgjidhjen e konflikteve në Lindjen e Mesme dhe gjetkë”, thuhet në deklaratë.

Në një takim paradite me Sekretarin e Shtetit Rex Tillerson, ndërsa gazetarët bën pyetje për shkarkimin e drejtorit të FBI-së James Comey, zoti Lavrov bëri shaka duke pretenduar të mos dinte gjë: “Vërtetë është shkarkuar?! Po tallesh!

Homologët Tillerson dhe Lavrov u takuan në Moskë muajin e kaluar, mes tensioneve lidhur me bombardimin amerikan të një aeroporti sirian pas dyshimeve për ndërmarrjen prej andej të sulmeve kimike nga forcat siriane mbi civilët, përfshi fëmijë.

Vizita e diplomatit të lartë rus duket se sinjalizon një hap përpara në marrëdhëniet e ftohura mes Moskës dhe Uashingtonit. Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë më 12 prill, zoti Trump tha: “Nuk i kemi marrëdhëniet aspak mirë me Rusinë.”

Marrëdhëniet duket se janë dëmtuar nga akuzat se zyrtarë të fushatës elektorale të presidentit Trump kanë bashkëpunuar në fshehtësi me Rusinë gjatë zgjedhjeve dhe shumë besojnë se kjo mund të kenë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit.

Të martën, zoti Trump shkarkoi nga detyra zotin Comey, i cili ka drejtuar hetimin nëse ka patur bashkëpunim të fshehtë mes ndihmësve të zotit Trump dhe zyrtarëve rusë. Deri tani, hetimi nuk ka zbuluar ndonjë provë të rëndësishme.

Agjencia Reuters njoftoi të mërkurën nga Moska se Kremlini ka thënë se shpreson që shkarkimi i zotit Comey nuk do të ndikonte marrëdhëniet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke shtuar se beson se shkarkimi nuk ka të bëjë me Rusinë.

Në konferencën e tij të shtypit të mërkurën zoti Lavrov hodhi poshtë një pyetje për mundësinë që Rusia të ketë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.

“Nuk e mendoja asnjëherë se do të më duhej t’i përgjigjesha një pyetje si kjo veçanërisht këtu në Shtetet e Bashkuara”, u tha zoti Lavrov gazetarëve. “Nuk ka asnjë fakt të vetëm, nuk ka asnjë dëshmi bindëse, që të tregojë për ndonjë ndërhyrje të Rusisë dhe pikë”, tha diplomati rus.

Please follow and like us: