Tri gafat e viteve 1985, 1993 dhe 2017 në historinë e arkivave të Shqipërisë
Kastriot Dervishi – Ish-drejtor i Arkivës së Ministrisë së Brendshme
Autoriteti “për hapjen e dosjeve” në zbatim të ligjit të vet, i cili është në shkelje me ligjin e arkivave, ka shpalosur tashmë synimet e veta për shpërbërjen e fondeve arkivore të disa arkivave të vendit, në funksion të një sipërmarrje që kërkon energji të madhe e sjell shumë pasoja. Ky veprim, i nxituar dhe i pabazuar në asnjë praktikë arkivore, do të sjellë pasoja të rënda në rrjetin arkivor të vendit. I gjithë dokumentacioni i Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas ligjit duhet të administrohet nga Arkivi i kësaj ministrie. Ai është unik dhe i pandashëm. Megjithatë, po kujtoj se veprimet e sotme të Autoritetit janë vërejtur edhe më parë.
1- Në vitin 1985, Ministria e Punëve të Brendshme, pas zbulimit të “komplotit” të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, etj, tërhoqi në origjinal nga Arkivi Qendror i Shtetit, një pjesë dokumentesh që i takonin periudhës para vitit 1944. Këto dokumente i përkisnin këtyre fondeve: Balli e Legaliteti, Mëkëmbësia, MPB, MPJ, Ministria e Arsimit, Kryeministria, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, Legata Italiane, Xhandarmëria, disa prefektura, etj. Për të ligjëruar këtë veprim të pashembullt dhe të dëmshëm, doli VKM-ja nr.423, datë 17.12.1985. Ky gabim u ndreq, (por jo pa pasoja) me VKM-në nr.201, datë 20.5.1992. Në relacionin përkatës, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Gazmend Shpuza, ka shpjeguar dëmin që kishte sjellë veprimi i MPB-së në vitin 1985. Ai thekson: “Marrja e dokumenteve për të cilat bëhet fjalë është bërë në kundërshtim me një nga parimet bazë të veprimtarisë arkivore për moscenim të unitetit të fondeve”. Për këto dokumente ai thotë se mund të shfrytëzoheshin “shumë mirë duke qenë pranë Arkivit Qendror të Shtetit, sipas ligjit dhe dispozitave të tjera nënligjore për shfrytëzimin e fondit arkivor të shtetit” (bashkëlidhur faksimilja e relacionit e majit 1992).
2– Në vitin 1993, në kundërshtim me ligjin e arkivave të vitit 1993, SHIK tërhoqi nga Arkivi i MPB-së, dosjet e fondit operativ, etj. Ky veprim tërësisht i paligjshëm, nuk lidhej as me veprimtarinë e SHIK-ut, si dhe ishte në kundërshtim me parimet e arkivistikës. Ky veprim solli dëmtimin e parë serioz të fondeve të MPB-së, sepse i shkëputi ato nga lidhja natyrale, si dhe i la për shumë vite jashtë shfrytëzimit për qëllime studimore, etj.
3– Në krye të veprimeve që nuk janë normale dhe që i vënë vulën një gjendjeje që unë e parashikoj në të ardhmen të tmerrshme, është roli i Autoritetit “për hapjen e dosjeve”. Tanimë, ky rol po shihet pa nisur mirë në dëshirën për shkatërrimin e fondeve arkivore si dhe në prishjen e inventarëve të këtyre fondeve. Nuk ka pasur kurrë “arkiv Sigurimi”, por vetëm Arkiv të MPB-së, e për rrjedhojë nuk mund të cenohet për asnjë arsye tërësia e fondeve të një arkivi. Po shpiken “fonde Sigurimi” edhe në institucione që nuk kanë të tilla si p.sh. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Fondi arkivor është tërësia e dokumenteve të krijuara gjatë veprimtarisë së një institucioni si dhe ato të ardhura në adresë të tij. Fondi arkivor është njësi bazë klasifikimi në arkiv dhe uniteti është një nga parimet themelore të punës arkivore. Parimi i unitetit të fondit, përbën bazën e klasifikimit të dokumenteve brenda arkivit, sepse çfarëdo shenje që të zgjidhet për klasifikimin e dokumenteve të një arkivi, nuk mund të zbatohet pa zbatimin e parimit të pandashmërisë së fondit. Klasifikimi në shkallë të parë i fondit bëhet sipas kriterit kronologjik, ndërsa skema është ajo kronologji-strukturë. Tanimë, të gjitha këto janë në prag të zhbërjes. Zhvendosja e dokumenteve nga njëri vend të tjetri do sjellë dëme të pariparueshme të tyre. Këtë eksperiment të sjellë nga interpretime të gabuara përkthimesh të huaja e ka provuar më parë p.sh. Bullgaria. Procesi atje u shoqërua me humbje të përhershme dokumentacioni, pavarësisht se makina shtetërore ishte shumë herë më efikase dhe më cilësore se te ne.
Shënim: Ky shkrim është marrë nga profili në Facebook i z. Dervishi. Menduam ta nxjerrim më vete në faqe meqenëse sjell në vëmendje një problem jo të vogël, ose së paku një opinion që duhet konsideruar në kushtet e disa veprimeve që mundet me të vërtetë të sjellin dëme.
https://www.facebook.com/kastriot.dervishi.9/posts/1317146504999848