Albspirit

Media/News/Publishing

Hahn: Zgjedhjet në 18 Qershor edhe pse disa duan të rrinë prapa, ata që pengojnë procesin do mbajnë përgjegjësi

Komisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn i ka adresuar një letër të hapur shqiptarëve pas dështimnir të negociatave për zgjidhjen e ngërçit politik.

Përmes një letre të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit, për krizën politike në vend dhe zgjedhjet e 18 qershorit, ai thotë mes të tjerash se “Procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse dikush vendos që të qëndrojë pas”, referuar bojkotit të opozitës.

Komisioneri deklaron se u bën përpjekje dhe u ofruan disa propozime të cilat nuk u pranuan. Hahn shpreh keqardhje për bootin e opozitës teksa shton se “Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike dhe me standarde”.

KAVAJA

Hahn: Në lidhje me këtë, më lejoni të them edhe një gjë. Fakti që zgjedhjet në Kavajë nuk mundën të zhvilloheshin nuk është fitore për askënd. Kjo është një humbje e qartë për demokracinë.

Letra e Johannes Hahn

“Të dashur qytetarë të Shqipërisë, të dashur miq,

Ju drejtohem sot me një shqetësim të madh.

Gjatë javëve të fundit, janë bërë disa përpjekje për të nxitur dialogun midis partive politike në Shqipëri, nga përfaqësues të BE-së, përfshirë këtu mua vetë dhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Ne kemi dëgjuar me kujdes shqetësimet dhe pritshmëritë nga të gjitha palët, duke u përpjekur për krijimin e lehtësirave që do të çonin drejt një zgjidhjeje të krizës së vazhdueshme.

U ofruan një numër opsionesh, me shpresë që partitë dhe udhëheqësit do të vepronin në bazë të përgjegjësive të tyre, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.

Për fat të keq, nuk kishim të bënim me një rast të tillë. Pra, sot jemi në një situatë ku është vënë në lëvizje procesi zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme më 18 qershor. Zgjedhjet do të zhvillohen pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës.

Ishte zgjedhja e qëllimshme e opozitës aktuale për të mos kandiduar në zgjedhje. Unë duhet ta respektoj, por në të njëjtën kohë ta shoh me keqardhje të thellë këtë vendim nga pikëpamja demokratike. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që sigurojnë një ofertë të gjerë politike dhe respektojnë standardet zgjedhore. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa, vendosin të qëndrojnë mbrapa.

Demokracia dhe standardet demokratike nuk do të pengohen duke bojkotuar institucionet dhe zgjedhjet demokratike. Zgjedhjet do të vlerësohen sipas meritave të tyre, bazuar në standardet ndërkombëtare.

Institucioni më kompetent europian për vëzhgimin e zgjedhjeve – ODIHR – kohët e fundit ka nisur aktivitetet e vëzhgimeve të zgjedhjeve në Shqipëri. Ne jo vetëm që e mbështesim fuqishem ODIHR-in – por presim gjithashtu që të gjitha institucionet përkatëse në Shqipëri, të sigurojnë bashkëpunim dhe transparencë të plotë në misionin e tyre, si gjatë javëve para zgjedhjeve, ashtu edhe në vetë ditën e zgjedhjeve. Është në interes të Shqipërisë dhe autoriteteve të saj që OSBE / ODIHR dhe vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë të jenë në gjendje të kryejnë në menyrën më të mirë rolin e tyre vendimtar dhe vlerësimin e zgjedhjeve.

Prandaj, le të jem i qartë edhe për një gjë: Dënoj fuqishëm çdo njoftim që bën thirrje për “veprime” që do të dëmtonin të drejtën e çdo qytetari për të votuar dhe liritë e tjera themelore. Këto “veprime” nuk mund të justifikohen dhe nuk janë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Përkundrazi, është një vlerë themelore europiane që idetë dhe propozimet politike – pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo – të diskutohen brenda institucioneve demokratike, veçanërisht në parlamentin shqiptar. Kjo është theksuar në të gjitha takimet me udhëheqësit politikë të vendit tuaj, nga të gjitha anët.

Në lidhje me këtë, më lejoni të them edhe një gjë. Fakti që zgjedhjet në Kavajë nuk mundën të zhvilloheshin nuk është fitore për askënd. Kjo është një humbje e qartë për demokracinë.

Të dashur qytetarë,

Kam besim të plotë se qytetarët e Shqipërisë, do të kërkojnë nga udhëheqësit e tyre politikë të tregojnë përmbajtjen dhe pjekurinë demokratike që pritet në një vend që aspiron të jetë anëtar i BE.

Le të jemi të qartë:

Udhëheqësit do të mbahen përgjegjës nëse përpiqen të shmangin aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë.

Bashkimi Europian do të ndjekë dhe do të monitorojë nga afër procesin zgjedhor. Më tutje, ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”.

Please follow and like us: