Albspirit

Media/News/Publishing

Ilva Tare: Hoyt Brian Yee, treni i fundit amerikan për Bashën

Hoyt Brian Yee vjen në Tiranë të hënën me shumë gjasë për të rithënë atë që artikuloi nga Prishtina disa javë më parë për mbajtjen e zgjedhjeve në 18 Qershor në Shqipëri. Të vetmet ndryshime nga deklarata e mëparshme e Zëvendës Ndihmës Sekretarit amerikan të shtetit janë, pandryshueshmëria e kërkesave të PD për të mos u futur në një proces zgjedhor që nuk u garanton votën e lirë sipas tyre dhe koinçidenca e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë po në mes të Qershorit. Një tjetër dëshmi e situatës delikate që po kalon rajoni e veçanërisht faktori shqiptar në Ballkan, ndaj së cilës partnerët amerikanë po tregojnë sërish vëmendje dhe angazhim.

Zyrtari i lartë i administratës Trump, ka kërkuar prej kohësh që palët të zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut, por siç u provua në këto 82 ditë komunikim nga çadra te zyra e Kryeministrit fijet e bisedimeve në vende si ky yni ku merr përparësi interesi personal përpara atij kombëtar priten pa u lidhur ende. Yee do të tentojë në përpjekjen e fundit fare për ta shpëtuar Shqipërinë nga spiralja e krizës politike, ekonomike dhe civile. Atmosfera pritet të jetë gri, po aq sa fytyrat e zymta të bashkëbiseduesve që u duhet të gjejnë arsye për të justifikuar bojkotin e zgjedhjeve dhe për rrjedhojë pengimin e mbi gjysëm milionë shqiptarëve për të mos shkuar në kutine e votimit.

Ardhja e Hoyt Yee në Tiranë pas protestës së 13 Majit dhe zërave shqetësues për dhunë dhe destabilitet që po e paraprijnë do të jetë gjithashtu një moment i mirë për t’u dhënë përgjigje idhtarëve të demokracisë në këtë vend, por mbi të gjitha për të vënë kufirin deri ku mund të shkohet me kërcënimet për cënimin e stabilitetit. Edhe pse nuk pritet të ketë deklaratë zyrtare, zoti Yee do të gjejë një mënyrë indirekte për t’i njohur shqiptarët me mesazhet që do t’u përcjellë Ramës, Bashës dhe Metës. Dhe mesazhi do të jetë i ngjashëm me atë të ambasadorit amerikan Lu lakonik dhe i prerë, në të dyja gjuhët. Pjesëmarrje në zgjedhje dhe njohje e 18 Qershorit si një proces i ligjshëm dhe i pranuar nga ndërkombëtarët.

Kjo përpjekje përfundimtare amerikane, ndodh në kushtet kur afatet ligjore janë tejlakuar dhe shpresa për kthim ligjor të procesit është varur në duart e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, që janë sa të paragjykuar aq edhe të pa vetuar për shkak të bllokimit të procesit pas bojkotit të opozitës në Kuvend. Oferta për negociatën e javës së ardhshme nuk mendohet se mund të tejkalojë të ashtuquajturën “paketa” McAllister, e cila për Kryeministrin Rama ka skaduar tashmë. Shtyrja e datës së zgjedhjeve duket një tjetër opsion i vështirë për misionin amerikan, por siç dihet fuqia e Washingtonit mund të çelë dhe dyer të blinduara, nëse kontribuojnë për stabilitetin dhe një proces zgjedhor të pranuar nga të gjitha palët.

Së fundi, Hoyt Yee do të gjejë në Tiranë, një klimë absurde tensioni me lajme për marinsa amerikanë që trajnojnë për mosbindje civile, apo thirrje publike për të rrëzuar me dhunë qeverinë. Sigurisht, linçimet publike ndaj ambasadorëve të vendeve partnere janë një këngë e vjetër për veshët e transatlantikëve edhe për faktin se zërat e tenorëve janë të njëtjët, ka ndryshuar vetëm tonaliteti së bashku me vitet e angazhimit në politikë. Nuk është e sigurt që Yee të ketë marrë informacion për 200 mijë shqiptarët që kanë aplikuar për llotarinë amerikane gjatë vitit të kaluar, por e sigurt është se po të dëgjonte çfarë nxjerr nga goja një pjesë e të ashtuquajturës elitë në vendin tonë, do t’i mirëkuptonte të gjithë ata që duan të ikin nga sytë këmbët përpara se interesat skizofrenike të një numri të vogël individësh të kthehen në rrezik serioz për të ardhmen e Shqipërisë./javanews/

Please follow and like us: