Mark Green emërohet shefi i USAID
Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, emëroi ish-ambasadorin amerikan në Tanzani për të udhëhequr Agjencinë e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Shtëpia e Bardhë tha se Mark Andrew Green, ish-kongresist, është zgjedhur për pozitën.
Green aktualisht shërben si president i Institutit Republikan Ndërkombëtar, një grup jofitimprurës i dedikuar për promovimin e demokracisë në mbarë botën.
Green merr rolin e ri në kohën kur Trump ka propozuar shkurtimin e ndihmës për zhvillimin e huaj që kryesisht mbikëqyret nga USAID.
Buxheti i Trumpit për vitin fiskal 2018 parasheh shkurtime fondesh për diplomacinë dhe ndihmën e huaj për gati një çerek, ndërsa përmban më shumë mjete për nevojat ushtarake.