Albspirit

Media/News/Publishing

Marrëdhëniet SHBA-Rusi pas takimit Trump-Lavrov

Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin tha të enjten se takimi mes ministrit të jashtëm Sergei Lavrov dhe Presidentit amerikan Donald Trump ishte “jashtëzakonisht pozitiv”.

Dimitri Peskov u tha gazetarëve se Rusia ka “optimizëm të përmbajtur” rreth perspektivës për përmirësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por ai shtoi se ende ka shumë punë për të bërë.

Komentet erdhën një ditë pasi Presidenti Trump priti në Shtepinë e Bardhë ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov, me të cilin biseduan kryesisht mbi situatën në Siri.

“Kam patur një takim shumë të mirë me Lavrovin, mendoj se ishte një takim shumë i mirë”, u tha Presidenti Trump gazetarëve pas takimit.

Pas një takimi në Zyrën Ovale me ish-Sekretarin e Shtetit Henry Kissinger, Presidenti Trump dha disa hollësi rreth diskutimeve të tij me diplomatin rus. “Mendoj se do të bëjmë gjëra shumë të mira në lidhje me Sirinë,” tha ai. “Unë mendoj se gjërat që po ndodhin janë vërtetë pozitive. Ne do të ndalim vrasjet dhe vdekjet”.

Takimi me minsitrin e jashtëm rus Sergei Lavrov është takimi i nivelit më të lartë që Presidenti Trump ka bërë me një zyrtar rus që nga fillimi i mandatit të tij dhe vjen një muaj pasi presidenti tha se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës mund të jenë në pikën më të ulët. Zyrtarët amerikanë dhe rusë kanë thënë se janë duke diskutuar për një takim të mundshëm mes presidentit Trump dhe presidentit Putin gjatë G-20-ës në Gjermani në korrik të këtij viti.

Duke folur me gazetarët në ambasadën ruse pas takimit, Lavrov nuk dha më shumë hollësi për këtë çështje. “Ne diskutuam në hollësi për situatën në Siri në kontekstin e ideve që janë paraqitur në lidhje me ngritjen e zonave të sigurisë”, tha ai. “Ne kemi një mirëkuptim të përbashkët për faktin se ky hap duhet të kontribuojë në ndërprerjen e dhunës në të gjithë territorin e Sirisë. Ky do të jetë një hap drejt zgjidhjes së problemeve humanitare”.

Një një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej se në bisedimet me ministrin e jashtëm rus janë diskutuar edhe çështje të tjera rajonale.

“Presidenti Trump ka theksuar nevojën për të punuar së bashku për t’i dhënë fund konfliktit në Siri, në veçanti, duke nënvizuar nevojën që Rusia të frenojë regjimin e Asadit, Iranin dhe grupet e mbështetura nga autoritetet iraniane”, thuhet në deklaratë.

Jonathan Adelman, profesor i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin e Denverit, i tha Zërit të Amerikës se Rusia mund të luajë një rol të fuqishëm në trajtimin e çështjes së Sirisë, por duhet të ndërmarrë disa vendime rreth fushatës së saj atje.

“Së pari, a do ta pranojnë një kërkesë realiste amerikane për të punuar që të ndalet terrori që ka vrarë mbi 400,000 sirianë, apo do të qëndrojnë me Iranin, një vend shumë armiqësor ndaj Shteteve të Bashkuara”, tha profesor Adelman.

Please follow and like us: