Albspirit

Media/News/Publishing

Miranda Vickers: Pse Greqia nuk e heq ligjin e luftës?

Thembra e Akilit në zgjidhjen e çështjes çame është heqja e ligjit të luftës mes Shqipërisë dhe Greqisë. Tentativat e dëshpëruara të qeverisë greke për të mos e ratifikuar heqjen e këtij ligj absurd.

Një pengesë e madhe që vazhdon të vështirësojë për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për çështjen çame është mbajtja në fuqi qoftë dhe teknikisht e një gjendjeje lufte mes Greqisë dhe Shqipërisë. I ashtuquajturi Ligji i Luftës u vendos nga Greqia në vitin 1940 kur vendi u pushtua nga italianët përmes Shqipërisë. Pavarësisht se ky ligj u shfuqizua nga qeveria greke më 1987, vendimi nuk u ratifikua kurrë nga parlamenti grek. Sidoqoftë, Greqia thotë se gjendja e luftës nuk ekziston për shkak se ajo është fshirë automatikisht në përputhje me ligjet ndërkombëtare më 1987. Por çamët thonë se përderisa pronat e tyre janë konfiskuar në bazë të këtij ligji plot kundërshti, nuk është e mjaftueshme që autoritetet greke të deklarojnë se ligji është i pavlefshëm-ai duhet shfuqizuar nga parlamenti.

Ligji i Luftës midis Shqipërisë dhe Greqisë mbetet një pengesë serioze midis dy vendeve ballkanike, duke e koklavitur dhe më shumë çështjen çame. Prej shumë vitesh shqiptarët janë duke i bërë trysni Athinës për këtë çështje, por pa dobi. Me 1 prill 2003, Partia Demokratike e Shqipërisë, atëherë në opozitë, i kërkoi parlamentit grek të shfuqizonte Ligjin e Luftës. Duke folur në një konferencë shtypi, sekretari për marrëdhëniet me Jashtë i PD-së, Besnik Mustafaj, tha se parlamenti grek ka mundësinë ta heqë Ligjin e Luftës me Shqipërinë. Nuk vonoi dhe, të nesërmen, kryeministri grek Kostas Simitis i tha kryeministrit Fatos Nano se Ligji i Luftës nuk ekziston. Kjo tregoi se sa e përgatitur ishte Greqia të diskutonte mbi këtë çështje.

Pavarësisht nga përmendja e shpeshtë e pakicës greke në Shqipëri, Traktati i miqësisë dhe Bashkëpunimit midis Greqisë dhe Shqipërisë, i nënshkruar më 21 mars 1996 nga ministri i jashtëm i atëhershëm i Shqipërisë, Alfred Serreqi dhe nga homologu i tij grek, Teodoros Pangallos, nuk thoshte asgjë për Ligjin e Luftës apo çështjen çame. Neni 20 thotë se marrëveshja është e vlefshme për një periudhë 20-vjeçare. Ndaj do të duhen dhe dhjetë vjet të tjerë para se Marrëveshja të rivlerësohet, po të mos ngacmohet kjo çështje nga ndonjë qeveri. Parlamenti grek nuk është dakord as ta shqyrtojë dhe as ta shfuqizojë Ligjin e Luftës, duke argumentuar se ekzistenca e Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve e ka hequr automatikisht atë. Në një dokument që mban datën 19 mars 2004 në faqen zyrtare të Ministrisë së jashtme greke në internet thuhet se ligji që i vendosi dy vendet në “gjendjen e luftës” është shfuqizuar. “Republika Helenike, me një akt qeveritar të 26 gushtit 1987, vendosi të anulojë “gjendjen e luftës” me Shqipërinë. Nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë nga ministrat e jashtëm të të dy vendeve më 21 mars 1996 në Tiranë, është konsideruar një bazë e rëndësishme me anë të të cilit Shqipëria dhe Greqia kanë forcuar marrëdhëniet e tyre dypalëshe dhe kanë mbyllur faqet e së shkuarës.”Sikurse thuhet në dokument, traktati u ratifikua nga të dy parlamentet.

Gjithsesi, në maj të vitit 1999, një jurist shqiptar, zoti Agim Tartari, i shkroi një kolegu grek në një zyrë avokatie në Selanik, zotit Konstatin Haxhijanakis ku i kërkonte informacion lidhur me gjendjen e Ligjit të Luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë. Pasi u konsultuan me Ministrinë e Punëve të Jashtme në Athinë, juristët grekë konfirmuan se ligji nr.2636/1940 dhe ligji nr.4506/1996 është ende në fuqi. Traktatet më të fundit ndërkombëtare dhe Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë i nënshkruar nga Republika e Shqipërisë dhe Republika greke në mars 1996 nuk e kanë ndryshuar gjendjen.

Ka pasur një vëmendje të vazhdueshme të qeverisë shqiptare për të shfuqizuqr Ligjin e Luftës si një hap i parë drejt zgjidhjes së problemit çam por qeveria greke gjithnjë ka refuzuar duke u shprehur se marrja me këtë ligj është e pavend.

Kjo është një temë e ngatërruar që ka nevojë të zgjidhet përfundimisht, jo vetëm për t’i ndihur zgjidhjes së çështjes çame, por gjithashtu dhe në interesat e marrëdhënieve shqiptaro-greke dhe anëtarësimit të ardhshëm të Shqipërisë në BE.

 

Please follow and like us: