Andi BUSHATI: Pse Basha hoqi dorë nga dhuna?
Sot ishte paralajmëruar dita e qametit. Të gjithë kundërshtarët e PD e kishin kërcënuar atë të mos thyente asnjë xham. Si rrallë herë më parë ambasadat më të rëndësishme perendimore i bënë thirrje, njëra pas tjetrës, qytetarëve të tyre të kishin kujdes, sikur këtë 13 maj pritej ndonjë gjëmë e madhe. Mediat raportonin për forcat e panumërta policore që do të ishin në gadishmëri në bulevardin kryesor të Tiranës.
Në fakt asgjë e tillë nuk ndodhi. Xhamat në dritaret e kryeministrisë u tronditën vetëm nga tingujt e muzikës dhe thirrjeve. Lulzim Basha nuk shkatërroi asgjë përpos kordave të tij zanore. Diplomatët e panë të pa shqetësuar mitingun. Ndërsa policët u larguan po aq qetësisht sa edhe protestuesit.
Dhe, si të mos mjaftonte kjo, lideri i PD-së shqiptoi slloganin e tij të ri: “Forca jonë nuk është dhuna” dhe i bëri thirrje mbështetësve që të largoheshin paqësisht.
Po pse Basha vendosi të adaptojë këtë strategji paqësore? Pse protesta e PD-së i zhgënjeu ambasadorët që kishin parathënë një klimë terrori? Pse ajo hodhi poshtë spekullimet e parathëna në media?
Përgjigjja e këtyre pyetjeve lidhet me strategjinë që po ndjek PD-ja dhe qëllimin që ajo i ka vënë vetes.
Tani kur është bërë e qartë se mundësitë për kompromis janë reduktuar ndjeshëm, kur pak a shumë është vendosur se Edi Rama është nisur i shoqëruar vetëm nga servilët e tij drejt zgjedhjeve, kur pothuajse është rënë dakord se opozita nuk do të garojë në 18 qershor, politika ka hyrë në fazën e takticizmit.
Nga njëra anë qeveria po propogandon se e gjithë sa po ndodh është vetëm një tekë e fëmijës së llastuar Basha, i cili ka frikë se humbet zgjedhjet, prandaj po i bojkoton ato; se vendimi për mospjesmarrje rrjedh nga ankthi i Berishës, që i trembet vettingut si djalli temjanit; se të dy këta, ish kryeministri dhe pupaci i tij që e ka shpallur kryetar, duan thjeshtë pushtet në tavolinë.
Në këto kushte, të kësaj propagande të shfrenuar, e cila sipas të gjitha shenjave ka arritur të bëjë për vete pjesën më të madhe e më të rëndësishme të ndërkombëtarëve, edhe PD ka përcaktuar vijë sjelljen e saj.
Natyrisht një parti e madhe dhe me traditë luftarake si ajo që ka trashëguar Basha nuk e kishte të vështirë të gjente 100 apo 200 vetë si ata që përdori Rama në 21 janar.
Por, këtë radhë ata nuk i duheshin. Nëse do të përdorte dhunë dhe do të krijonte incidente, PD-ja do të sillej si pakicë. Në këtë mënyrë ajo do të konfirmonte pretendimet e kundërshtarëve të saj, se Luli me Saliun po e mbajnë peng partinë për hallet e tyre. Se ata nuk duan zgjedhjet, vettingun, garën dhe në këtë rrugë qore kanë humbur përkrahajen. Se ata kanë përzgjedhur dhunën e bandave, pasi nuk kanë masivitet.
Ndërkohë që PD këtë 13 maj vuri bastin e masivitetit.
Jo vetëm për të zhvleftësuar pretendimet se mos hyrja në zgjedhje është thjeshtë vendimi arbitrar i një kupole të korruptuar, por edhe për një arsye më të fortë se kjo. Për një arsye që ka lidhje me 18 qershorin.
Megjithëse nuk do të marrë pjesë në këtë garë, PD-së do t’i duhet të sillet njësoj si në fushatë. Asaj do t’i duhet të trokasë në çdo portë, të shkojë në çdo shtëpi, të bëjë takime elektorale, jo për të kërkuar votën, por të kërkuar mospjesmarrjen në zgjedhje. Vetëm duke u sjellë kështu, duke bindur 500, 600, apo 700 mijë opozitarë të mos marrin pjesë në këtë garë farsë, partia e Bashës mund t’i tregojë, si vendasve dhe ndërkombëtarëve, se vendimi për të mos ta njohur 18 qershorin si një farsë, nuk është thjeshtë teka e të korruptuarve të qeverisë së djeshme, por bindja e mbi gjysëm milioni njerëzish.
Pra, kjo është sfida e radhës së PD-së: të fitojë përmes bojkotimit. Të arrijë sukses përmes masivitetit.
Dhe pikërisht për këtë, opozita nuk kishte sot nevojë për vendosmërinë e një grushi radikalësh të dhunshëm. Qëllimi i saj nuk është radikalizimi i qëndrestarëve, por shtimi i radhëve me njerëz të zakonshëm dhe paqësorë.
Kjo ishte arsyeja që sot vetëm dhunë nuk pati. Dhe kjo me sa duket do të jetë rruga e PD-së deri më 18 qershor: Të rrisë radhët e saj për të bërë më të madh bojkotin.
Prandaj edhe këtë muaj mund të qëndrojmë të qetë. PD-ja do të zbutet. Së paku deri më ditën e zgjedhjeve farsë kur masiviteti i bojkotuesve do të kërkojë të kombinohet me shkatërrimin e procesit.