Në rrjetet sociale është publikuar një foto nga vitet nëntëdhjetë, ku shihet të dalë së bashku shkrimtari i shquar shqiptar me famë botërore Ismail Kadare me intelektualin, atdhetarin, simbolin e çështjes kombëtare dhe dëshmorin Jusuf Gërvalla. Jusuf Gërvalla në atë periudhë spikaste si një nga veprimtarët më të vendosur të çështjes shqiptare dhe ishte i përndjekur i regjimit serb.
Në një prononcim ekskluziv për “Albsprit”, vajza e Jusuf Gërvallës, Donika Gërvalla Schwarz që jeton në Gjermani thotë se “kjo foto është bërë në tetor 1981 në Panairin e Librit në Frankfurt, pak muaj para atentatit. Unë kam qenë e vogël, 10 vjeç. Babai më kishte marrë me vetë në panair. Mbaj mend që u bezdisa shumë, sepse kaq gjatë biseduan, saqë u bë vonë për të shkuar në shtëpi dhe në atë rrëmujë të madhe nuk dija se çfarë të bëja”.
Siç dihet Jusuf Gërvalla është vrarë në Gjermani ende në rrethana të pa sqaruara. Burime të besueshme pohojnë se ai konsiderohej si një nga kundërshtarët më të rrezikshëm të regjimit serb të asaj kohe dhe vendimi për eleminimin e tij ishte marrë në një rreth të ngushtë të zyrtarëve të lartë, përfshi Presidentin e Republikës së ish Jugosllavisë, Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Mbrojtjes dhe shefin e UDB-së.
Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën
Atentati mbi dy vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka ndodhi më 17 janar 1982 në vendin e quajtur Untergrupenbach në Gjermani. Nga autoritet shtetërore gjermane është lajmëruar se vrasës të panjohur kanë vrarë tre jugosllavë dhe se ky ishte një moment kulminant në luftën e agjentëve të sigurimit jugosllav ndaj kundërshtarëve politikë apo etnikë. Pas kroatëve në ekzil, qeveria e Beogradit u ka shpallur luftën të përgjakshme shqiptarëve në ekzil që vijnë nga Republika e Kosovës. Vrasja ka qenë tipike mafioze apo e atyre të shërbimit të fshehtë, ku personat e qëlluar janë goditur në makinë dhe janë rigoditur më pas për t’u siguruar se ata nuk do të jetonin më. Në vendin e ngjarjes policia gjermane ka gjetur të vdekur drejtuesin e makinës Bardhosh Gërvalla, 31 vjeç, shtetas jugosllav i goditur nga 6 plumba; bashkudhëtarët e tij Kadri Zekën, i vrarë nga dy goditje me plumba në trup dhe vëllin e drejtuesit, Jusuf Gërvallën, 36 vjeç, gjithashtu i plagosur rëndë nga dy goditje me plumba.
Gazeta e njohur gjermane “Der Spiegel” më 25 janar 1982, në lidhje me motivin e krimit shkruan se “personat e goditur për vdekje janë jugosllavë në ekzil që i përkasin kombësisë shqiptare nga Kosova, një shtet në jug të Ballkanit dhe që të tre janë veprimtarë kundër qeverisjes së Beogradit”.
Në vendin e ngjarjes Jusuf Gërvalla, i plagosur rëndë dhe që më pas ndërron jetë, i kishte thënë agjentëve të policisë gjermane se këtë operacion e ka kryer shërbimi i fshehtë jugosllav, UDB. Dymbëdhjetë herë ishte gjuajtur mbi të tre burrat nga pistoleta të kalibrit 7,65, të cilët kishin qëlluar zemrën, mushkëritë dhe qafën. Një polic në vendin e ngjarjes thotë: “E tëra dukej si pas një ekzekutimi”.
Kush ishte Jusuf Gërvalla
Jusuf Gërvalla ka qenë jo vetëm luftëtar i madh për çështjen e pavarësisë së Kosovës, por dhe një figurë poliedrike e shquar, si poet, shkrimtar, përkthyes, gazetar, këngëtar. Botues i gazetave “Lajmëtari i Lirisë” dhe “Zëri i Kosovës”, autor i 3 vëllimeve poetike dhe i një romani, intelektual i kompletuar, Gërvalla zë një vend nderi në kulturën shqiptare. Edhe vëllai i tij, Bardhoshi, ishte veprimtar për pavarësinë e Kosovës, poliglot- njohës i 6 gjuhëve të huaja. Kadri Zeka gjithashtu u aktivizua në lëvizjen ilegale të Kosovës për çlirim dhe pavarësi dhe bëri emër edhe si gazetar, duke botuar gazetën “Liria” dhe përmbledhjen poetike “Këngët e lirisë”…
———-
Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë. Por, edhe shkrimtari J. Gërvalla pësoi vështirësira të mëdha. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare. “Ora”, Prishtinë, 1992). Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës e hijesuaka faktin se ishte poet i dorës së parë.
Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.
Zëri i tij poetik ishte zë më vete, mjaft origjinal, personal dhe individual. Poezia e tij na flet drejtpërsëdrejti, ngrohtë, zbutë, thellësisht njerëzor e me një sensibilitet të stërholluar. Në dy përmbledhjet e tij të para – “Fluturojnë e bien” (1975) dhe “Kanjushë e verdhë” (1978) – poezia e tij merrej kryesisht me vatrën e poetit tek janë mjaft kuptimplotë titujt e cikleve “Shtëpia në kornizë” dhe “Skena nga jeta e fshatit”. Poezia e tij e përmallshme e këndon dashurinë, e kujton dhimbshëm (dhe pa idilë ruraliste) vendlindjen dhe na e rrëfen porosinë e saj qendrore, kërkimin e poetit për “pak frymë njeriu e pak dritë qiriri”. Me kohë, duke u bërë gjithnjë e më shumë refleksiv poeti kaloi gjithnjë e më shumë te një qark më i gjerë tematik dhe te të folurit poetik me bukuri e begati të rrallë metaforike e figurative. Kështu, poezia e tij e përmallshme e vendlindjes gjithnjë e më shumë bëhet edhe universale. Në vëllimin e tretë poetik, “Shenjat e shenjta” (1979), kemi të bëjmë dhe me fjalë e elemente si “hije”, “pluhur”, “frikë”, “terr”, “ftohtë”, “varr”. Shkallëzohen vetmia dhe shqetësimet e poetit që flet shpesh edhe për fundin dhe vdekjen. Me një thellësi që nuk hetohet në lexim të cekët, na qet tabllo tejet të qëlluara të groteskës që e quajmë “jeta”. Thelbi kryekëput human i vargjeve, ligjërimi lirik dhe substancial i poetit të mallit, të dashurisë, të dhembjes, të vetmisë e të vdekjes e bëjnë Jusuf Gërvallën një zë të patjetërsueshëm të poezisë së re shqipe.
Disa nga veprat
Please follow and like us: