Eden Babani: Samiti i Vjenës, një kapitull i pambyllur
Me nismën e Gjermanisë dhe të Austrisë, u mbajt në fund të gushtit Samiti i Vjenës. Pati shumë nga ata që prisnin mrekulli, – një “Plan Marshall” , fjala vjen, – i cili do të mëkëmbte vendet e Ballkanit Perëndimor, pak a shumë si ai që mëkëmbi Europën Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore dhe, njëherësh, do të ulte disi sherret e mosmarrëveshjet e kahershme ballkanike. Pati po aq të tjerë që nuk prisnin veçse një vrimë në ujë. Me të drejtë, përveç të parëve që fluturojnë me presh, ose të dytëve, skeptikë të pandreqshëm, opinioni i shëndoshë i dha Samitit aq sa duhej. Kësisoj, as dardhat u bënë se ia kënda arushës, as mali i mbarsur nuk polli një mi.
Nga pikëpamja e kontekstit gjeopolitik, nismëtarët rrahën të mbanin nën kontroll rajonin tonë, njohur historikisht si fuçi baroti. Në funksion të kësaj, domethënë për të parandaluar ndonjë shpërthim që i vë flakën gjithë gadishullit e më tej, ata ftuan në Vjenë, sikurse edhe në Berlin, shtetarë e lartë të vendeve të Ballkanit që aderojnë anëtarësimin në BE. Këta të fundit, sa gërnjarë aq edhe lypsarë, luajtën role figurantësh, më saktë u shfaqën si “garsonë” që s’ua ndajnë vështrimin duarve të pasanikëve, me shpresën e ndonjë bakshishi. Siç pritej, rolet kryesore i mbajtën nismëtarët, ndër të cilët spikati Kancelarja Merkel.
Qëllimi i Samitit, më shumë sesa përfitim ekonomik për rajonin, synoi të mbajë në fre liderët ballkanas, ani se ata, si fjalamanë pa inventar dhe makutër parash, u ngjajnë qenve që hanë në një kobell. Përfaqësues të BE-së u shprehën hapur në deklaratat e tyre se Samiti synoi t’i jepte “Ballkanit Perëndimor perspektivë europiane, si çelësi i sigurimit të një stabiliteti të qëndrueshëm në rajon, si dhe i transformimit të plotë të sistemeve politike, të ekonomive dhe të shoqërive. Shtete të qeta, të qëndrueshme dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor janë interes strategjik i BE-së”.
Ky ishte thelbi i tematikës së Samitit dhe kaq mjaftonte, pa e prishur masën. Më shumë se kaq s’mund të thuhej me gjuhë diplomatike. Madje, edhe sa i përket ndihmës financiare, të mëdhenjtë bënë që mishi të piqet dhe helli të mos digjet. As më shumë, as më pak, dhanë ca qindra miliona euro për infrastrukturë rrugore, prej nga do të përfitojnë të gjithë, sepse ku ka rrugë, ka qarkullim; ku ka qarkullim, ka përparim dhe, ku ka përparim, ka mirëkuptim. Nga ky këndvështrim, ishte marrëzi të pritej që Samiti të zgjidhte problemet ekonomike të rajonit, sidomos në kushtet e krizës greke dhe në kulmin e fluksit të emigrantëve drejt vendeve të BE-së. Sikundër vëren me të drejtë një analist në një të përditshme të Tiranës, për të nxjerrë nga prapambetja këtë pjesë të Ballkanit, do të duheshin nja dyqind miliardë. Në ketë kuptim, Samiti i Vjenës mbetet një kapitull i hapur, por i pambyllur.
Personalisht, nuk pajtohem me debatin mediatik, nëse ranë në sy apo jo preferenca ndaj njërit ose tjetrit lider ballkanas. Debate të tilla humbasin në boshllëk. Diplomacia perëndimore nuk ka nevojë të fshihet pas gishtit me inskenime banale. Kështu edhe sa u takon inskenimeve të tipit Rama, ushqyer nga mediat pranë tij. Ato nuk e justifikuan pompën e madhe që i dhanë Samitit, si edhe afinitetit që paskësh Kancelarja gjermane ndaj tij. Tullumbacja fryhet me gojë, jo me pompë. Madje edhe ashtu, po të fryhet më tepër nga ç’ mban, pëlcet e të nxjerr sytë.
Projektet më modeste, por më efikase
A do të ndikonin në të ardhmen nisma të këtij niveli për afrimin e paqësimin e popujve që jetojnë në të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor? Edhe po, edhe jo. Po, sepse rajoni ka nevojë për ndihmë dhe përkujdesje infrastrukturore nga ana e vendeve me potencial ekonomik, si Gjermania ose Austria, fjala vjen. Jo, sepse ndrydh potencialet ekonomike vendase, me shpresë se një ditë do të bien dardha nga qielli, çka do të thotë që qeni t’i sulet qenit për t’ia rrëmbyer kockën nga goja. Aq më tepër që situata politike në vendet e rajonit është e nivelit të teatrove amatore. Të mos harrojmë se s’ka kaluar veç një çerek shekulli nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë që hapi plagë të cilat duan kohë të shërohen, dhe as dy dekada nga masakra e Milosheviçit në Kosovë. Plagët rrjedhin ende, qoftë në Bosnjë-Hercegovinë, qoftë në Kosovë, qoftë në Serbi (Lugina e Preshevës), qoftë në Maqedoni (ngjarjet e Kumanovës). Kanceri i nacionalizmit malinj është ende në zhvillim, duke lëshuar pareshtur metastaza të reja. Nuk e kam fjalën për nacionalizmin e shëndoshë, dukuri e përmasave botërore, që nxit ndjenjën e ligjshme të dashurisë ndaj atdheut. As për pozat nacionaliste të Edi Ramës, shfaqje të pështira të njerëzve të vegjël. Do të shtoja, madje, se këso lloj përzierjesh (poza dhe atdhedashuri) s’mund të qasen e të bashkëjetojnë njëra me tjetrën. Ato ndahen, ashtu si pikat e vajit flluskojnë mbi ujë.
Në të tilla kushte, lind nevoja për projekte më modeste, por jo si ai i, pastor kroat Tihomir (A. Galdini, “Merkeli dhe Tihomiri”, Panorama, 30 gusht 2015), ku investohet për ribërjen e mendjeve (lexo: shpëlarjen e truve) të të rinjve nga Ballkani Perëndimor, të cilët kanë “interesa për lidership”(!…). Pak a shumë, e njëjtë më ngjan edhe ideja e përfolur pas Samitit të Vjenës për shkëmbim të rinjsh që do të mësojnë respektivisht shqipen dhe serbishten. Jo se jam kundër mësimit të gjuhëve të huaja. Përvoja ka vërtetuar sa ato (gjuhët) janë dritare për të njohur botën. Por çfarë do të kundronin të rinjtë shqiptarë nga dritarja e serbishtes ose ata serbe nga ajo e shqipes, kur anglishtja, spanjishtja, frëngjishtja ua kanë ngushtuar hapësirën pamore deri në tejskaj? Të rinjtë që duan të studiojnë historinë dhe arkivat përkatëse të dy vendeve, mund të numërohen me gishtat e dorës. Ata s’kanë nevojë për nisma me thelb propagandistik. Cilido, falë interesave, aftësive dhe vullnetit, e gjen vetë rrugën e të nxënit të gjuhës, qoftë ajo edhe e fiseve të prapambetura të Amazonës.
Së këndejmi, mendoj se Rama do të bënte mirë të kërkonte rrugë të tjera afrimi me fqinjët, në vend që të rrihte ujë në havan. Fjala vjen: A do të investonte qeveria e tij një ekspozitë fotografike e cila do të drithëronte edhe foshnjën në djep me pamjet e eksodit të ’99-s, kur qindra – mijëra familje kosovare morën arratinë nga sytë këmbët për t’i shpëtuar masakrës së paramilitarëve serbë? Sjell në kujtesë vetëm fotografinë e kohëve të fundit të dy vëllezërve të mitur sirianë që u mbytën ndërsa familja mori detet për tu shpëtuar përplasjeve ndërfetare. Pasi qarkulloi cep më cep rruzullit, fotografia preku edhe zemrat më të ngurtësuara. Gjermania dhe Austria zhbllokuan kufijtë, kurse politika europiane, më e bashkuar se kurrë, rreh të kërkojë zgjidhje sa më humane për të përballuar krizën e emigracionit.
Gjuhën e artit të fotografisë kuptohet nga të gjithë
Në vitin 1999, ndërsa vazhdonte lufta në vendlindjen e tij, fotografi kosovar Asllan Krasniqi brodhi me aparat në krahë sa në Shqipëri, aq edhe në Maqedoni, në Turqi, në Belgjikë e kudo ku bashkatdhetarët kërkonin strehim për të shpëtuar jetën. Kam shkruar edhe herë tjetër për ekspozitën e tij “Eksod ‘99”, me bindjen se vlerat e saj janë sa të nivelit kombëtar, aq edhe ndërkombëtar. E kam thënë pa mëdyshje këtë, pasi ekspozita e Krasniqit është hapur në Kosovë, në Shqipëri, në Belgjikë, në Francë etj. Kudo ka bërë jehonë dhe ka pasur sukses të padiskutueshëm. Aq më tepër që është e fiksuar në një plan (pëlhurë plastike) me dimensione rreth 30m x 1,5 m, e cila s’ka nevojë për salla të mbyllura, por mund të vendoset në çdo shesh, me këmbalecë druri të thjeshtë. Por…
Për fat të keq, bash në Tiranë, në pranverën e vitit 2013, Krasniqit i ngeci sharra në gozhdë. Ndërsa Bashkia e Tiranës, asohere me kryetar Bashën, e pati lejuar hapjen e ekspozitës diku në sheshin Skënderbe, policia e shtetit i kërkonte “leje me shkrim”. Për pak, xheç u konfrontuan policia e shtetit me atë bashkiake, e cila ishte në dijeni të çështjes. U desh ndërhyrja e qytetarëve, që policët e Tahirit të largoheshin dhe Tiranasit ta shihnin ekspozitën. Në atë kohë, gazetari Kostaq Xoxa, dëshmitar i ngjarjes, ka shkruar gjerë e gjatë për këtë.
E njëjta edhe në Shkup, por një vit më vonë
Me ndërmjetësimin e “Lëvizja për Vizion të Përbashkët” (OJQ vendase) dhe me mbështetjen e z. Izet Mexhiti, Kryetar i Komunës së Çairit, në mars të 2014-s, do të hapej e njëjta ekspozitë në zemër të Shkupit, mu në sheshin ku ngrihet përmendorja e Skënderbeut. Ekspozita u sabotua. Nuk ishin më policët militantë të Rilindjes qo donin ta sabotonin, por u tërhoqën përpara këmbënguljes së qytetarëve tiranas. Kësaj here, hynë në lojë “hajna” të paidentifikuar deri sot. Ata i grabitën Krasniqit gjithë arkivin e tij me më shumë se 500.000 fotografi të fiksuara në disketa, teksa ai pinte një kafe pak metra larg vendit ku kishte parkuar veturën. Kush ishte i interesuar, vallë, për grabitjen? “Hajnat”, që mbase i vunë syrin aparatit të kushtueshëm fotografik? E pabesueshme. Përmes “rajonipres”, Krasniqi u bëri thirrje “hajnave” ato ditë t’i kthenin “pasurinë e tij kombëtare dhe shpirtërore”. Ai premtoi t’i shpërblente, por, me sa duket, “hajnat” ia kishin vënë syrin arkivit, ndaj nuk ia fërshëllyen shpërblimit.
Megjithatë, Krasniqi s’u tërhoq. Tri javë pas vjedhjes së arkivit dhe heshtjes së “hajnave”, më 27 mars të po atij viti, e hapi ekspozitën në Kukës, me rastin e “Ditës së Bujarisë”, me mbështetjen e Këshillit të Qarkut dhe me ndërmjetësimin e z. Ibsen Elezi. Edhe kësaj here, në qendër të qytetit, në sheshin “Skënderbe”.
Me vullnetin e pathyeshëm dhe këmbënguljen që e karakterizon, Krasniqi do të ndodhet sërish në Shkup, fundjavën e ardhshme, me të njëjtën ekspozitë, i mbështetur nga e njëjta OJQ, – “Lëvizja për Vizion të Përbashkët” – dhe i njëjti Kryetar Komune, – z. Izet Mexhiti.
Peng i ka mbetur të hapë një ekspozitë me fotografi të grafiteve që zbukuruan muret e Kosovës, fill pas tërheqjes së ushtrive të Milosheviçit, ndërsa toka e zhuritur lëshonte ende tym. Ato janë dëshmi e pakontestueshme e mirënjohjes së kosovarëve ndaj forcave të NATO-s, ndaj BE-së, ndaj SHBA-së, të dhe ndaj personaliteteve të politikës perëndimore, si ish-Presidenti Klinton, ish Sekretarja e Shtetit, Ollbrajt etj.
Në përfundim
Dikur, kur ishim në klasë të parë të fillores, na e kishte ënda ta shfletonim abetaren deri në faqet e fundit, ani se s’kuptonim gjë prej gjëje, veç kënaqeshim me figurat, sidomos me çekiçin që rrihte hekurin e nxehtë mbi kudhër dhe lëshonte xixa. Mësuesi ynë i klasës së parë, i paharruari Isuf Gjata, na thoshte të bënim durim, të mos shkonim drejt e te “xixat”, pra te shkronja X.
Nga mania e “xixave” duket se e është kapluar edhe Kryeministrin ynë. Ngutet të mësojë X-në, përpara A-së. Mirëpo puna ka radhë. Përpara se të pozojë përbri zonjës Merkel, me demek se ka arritur majat, do të bënte mirë të merrej me punë më të vogla, me projekte modeste, por efikase për afrimin me fqinjët. Nuk e kam fjalën për ekspozitën e Krasniqit, e cila ka gjetur mbështetje mbarëkombëtare. Ajo i ka vënë pikat mbi i, duke ngjallur atdhedashuri, duke goditur nacionalizmin shovinist serb dhe duke u folur popujve me zemër: Ja çfarë sjellin grindjet dhe mosmarrëveshjet. Ama Shqipëria, Kosova dhe gjithë rajoni ynë janë pëllëmbë e dëshmi të tilla, më efikase se nismat zhurmuese.
A nuk ia vlen, vallë, të shkëmbehen përvoja të tilla që përcjellin mesazhe paqësore? A nuk ia vlen që liderët ballkanas të gjejnë gjuhë të përbashkët mirëkuptimi mes popujve që përfaqësojnë, në vend që të debatojnë e të përplasen për lidership?
07/09/2015