Albspirit

Media/News/Publishing

FUSTANI I “NUSERIMIT” PARA VDEKJES – Si u përdhunua Atma (Atdheu -Mëmëdheu)?

Mira Tuci

Sot u zgjova dhe Atmën time e kishin përdhunuar, ia kishin zhveshur dhe rreckat e fundit dhe që turpi i atyre që e kryen këtë akt makabër të mos ua vriste sytë (sepse nuk është fashion të vuash) i hodhën dy qese plehrash që t’i vishte si fustan.

Fustani i “nusërisë” para se Atma të shtrihet në arkivolin e përmortshëm. Me buzëqeshje plastike ngrirë ndër dhëmbë të krimbur nga luksi dhe paraja që u kullon jargë si epsh i pangopur, gangot që përbetohen dhe përulen para figura shenjtorësh firmosën paktin e tyre të përjetshëm me djallin, shpirtrat e tyre i ofrojnë me tym pesëfletëshi dhe magji terri para altarit të Mamonit. Sepse zemra e tyre u përket atij, sado që herë pas herë vënë kurora drite të shtirur mbi kokë.

Ma gërvishtën Atmën, ma corën, ma copëtuan, ia rrotulluan thikën ndër plagë që prej kohësh kanë nisur ti gangrenizohen.

Thika del prej aty bashkë me mishin tim….ma shëmtuan Atmën, ia përçudnuan fytyrën e bukur, liliputë që skërmiten kur shohin dy asprat e Judës të shkëlqejnë në lugun e magjeve ku ushqehen gjedhët. Janë gati të shesin dhe të nxjerrin në treg gjoja si fli në tempullin e Zotit cdo gjë të shenjtë, nënën, babën, atdheun, birin, bijën…. maskuar me degë ullinjsh a dafinash, sipas stinës.
M’a neveritën Atmën aq sa nuk di ku përkas më, ia shkulën muzikën pak nga pak….prej trupit, lumenjtë ia ndalën, gurgullima e tyre është shndërruar në kilovat, bluja e detit po merr ngjyrën e anijeve hijerënda parkuar në Karpen.

Shkopi i Asklepit tashmë është një gjarpër në duart e gaztorit të radhës dhe helmon, helmon çdo çast.

Flokët (pyjet) e saj prej kohësh ia kanë shkulur prej koke duke i çuar si mobilje babëzie me çmim konkurues në Europë.

Ndërsa bufi (simboli i dijes) me kohë ka shtegtuar nga parvazët e bibliotekës dhe zbukuron tempuj të tjerë dijesh gjetiu sepse Bukuria e Atmës time është si një grua e përdalë ku të babëziturit duan llokmën e tyre përkthyer në përqindje.

Njerëzit, ah njerëzit e këtij vendi si pelikanë të frikësuar sepse ua kanë prishur foletë, shtegtojnë ose ëndërrojnë të shtegtojnë në rastin më të parë.

Mua sot më vranë, 140, plus – minus ishte toga e pushkatuesve kurorëzuar me hosana shtiracakësh që zgjedhin gjithnjë Barabën në vend të Krishtit.

Unë sot jam një Krisht i kryqëzuar e në vend të kurorës prej gjembash në kokë mbaj mbetje toksike lidhur si kurorë luledelesh, mbi kryq kanë vënë një qese plastike ku shkruan: Shqipëria, kjo mbretëreshë e Adriatikut dha shpirt, e kryqëzoi babëzia dhe skërmitja e dishepujve të Mamonit.

Please follow and like us: