Albspirit

Media/News/Publishing

Autorja Alma Mehmeti vjen me vëllimin poetik “Shpresën kam tek ti”  

 

 

Libri i ri me poezi të zgjedhura “Shpresën kam tek ti” i autores Alma Mehmeti, sjell para lexuesit një tematikë të gjerë, një ndjeshmëri gruaje dhe patrioteje të veçantë, një vargëzim tejet njerëzor, një vargëzim dëshire për të pasqyruar lidhjet me hallet, problemet, shqetësimet, gëzimet, lidhjet familjare, dëshirat për të përparuar të popullit të saj si në atdhe dhe aty në emigracion në Itali, ku ajo punon dhe jeton dhe ka ndërtuar familjen e saj solide. Me një ndjeshmëri nëne, ajo i është mirënjohëse për gjithçka familjes së saj, prindërve, miqve si dhe zotit. Në çdo varg të autores, vërejmë një përqasje ndjenje jo të zakontë, për të bërë më të mirën e mundshme në dobi të individit, por edhe të shoqërisë. I gjithë libri përcjell një mesazh të qartë për një botë të paqtë. Dhe pse është libri i parë, autorja ka më shumë se 20 vite që i mban poezitë të mbyllura, duke i menduar si një thesar që i përkasin vetëm asaj. Por koha ka bërë të vetën, koha ka bërë që autorja tërë këtë burim ndjenjash, perceptimesh, botëkuptimesh, analizash jetësore ti ndajë me miqtë, shokët, shoqet, të afërmit dhe dashamirësit e poezisë. Ajo nuk pretendon se është një poete potente, por me thjeshtësinë dhe bukurinë shpirtëror të vargut, ajo mundohet të japë sadopak një relaks shpirtëror për këdo që do lexoj vargjet e saj. Duke menduar ti botoj këto poezi, Alma, njëkohësisht ka hedhur një hap para drejt afirmimi, gjë që përbën në subkoshiencën e saj një kërkesë të re ndaj vetes. Gjithë poezitë e saj tregojnë qartë se, autorja ka një akumulim ideo-jetësor të madh, jo vetëm si hulumtuese e përditshmërisë jetësore, por edhe si lexuese e rregullt e poezive të shumë poeteve dhe poetëve. Kushdo që do të lexojë poezitë e Almës do shikojë dhe do të gjej një varg të thjeshtë, njerëzor, të ëmbël, pa thirrje dhe klithma dëshpëruese (edhe pse në raste të veçanta nuk i shpëton melankolisë jo depresuese), përkundrazi, një varg që ofron qetësi, dashuri, mirëkuptim dhe dëshirë për një jetë sa më harmonike. Edhe kur kritikon, ajo tregohet e kujdesshme që të mos lëndojë, por të përcjell mesazh njerëzor. Sipas autores, jetën e bën të bukur fjala e mirë, vepra e bukur, dëshira humane, shpirti i bardhë, vargu mirënjohës, etja për dije, bashkëpunimi reciprok, marrëdhëniet korrekte, familja e shëndoshë, shoqëria e mirë. Por nuk ndalet të rrok dhe dashurinë për nënën, një dashuri e sinqertë që nuk duhet të njohë kufij dhe barrikada. Ndihet keq kur shikon se shumë herë njeriu i shmanget të vërtetës, të qenit i sinqertë, të qenit real duke veshur një mantel tjetër, artificial që ë e ndryshon karakterin e vërtetë të jetës reale. Ajo, jetën mundohet ta shohë si një oaz, ku dashuria njerëzore duhet të kërkojë gëzim dhe pse pjesë e jetës është dhe dëshpërimi. Ajo në ecejaket e gjera të jetës, i dëshiron njerëzit të gëzuar, me sinjale elegante mirësie, duke thurur një mburoje ndaj ligësive. Në këtë libër, autorja me gjerësinë e tematikës, me thellësinë e vargut, cilësinë e fjalës, për sinqeritetin e ndjenjës, për fisnikërinë e mendimit, për mesazhin e lartë njerëzor, tregon dhe dëshiron të jetë pjesë e atyre poeteve, që botën e shohin si një bukuri të Zotit, që duhet ta respektojnë dhe jo ta shqyejnë dhe deformojnë. Urime Alma!

 

 

Albert Z. ZHOLI

(Shkrimtar – publicist)

Please follow and like us: