Çështja Çame/Idrizi takohet me William Walker dhe kreun e AAK Ramush Haradinaj
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi pati një takim me diplomatin, ambasadorin William Walker, i cili ka luajtur një rol vendimtar në ndërgjegjësimin e mbarë opinionit botëror për krimet mizore që po ndodhnin në Kosovë. Ky sensibilizim solli edhe ndërhyrjen e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.
Prandaj, në emër të popullsisë shqiptare nga Çamëria dhe anëtarësisë së PDIU-së, Idrizi i bëri mikut të shqiptarëve dy dhurata simbolike në shenjë mirënjohje për kontributin e William Walker në të mirë të kombit shqiptar.
Më tej, dy figurat e njohura diskutuan rreth Çështjes Çame, ambasadori Walker përgëzoi Idrizin për arritjet e deritashme dhe inkurajoi për të vazhduar pa u ndalur në kauzën e drejtë të Çështjes Çame.
Ish-diplomati amerikan William Walker, është një mbrojtës i çështjeve të të drejtave të njeriut në botë.
Gjithashtu gjatë vizitës në Kosovë, Shpëtim Idrizi është takuar edhe me kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj. Idrizi u shpreh se “lirimi nga akuzat dhe kthimi në atdhe i Ramush Haradinajt, është konfirmim i luftës së drejtë të UÇK-së”. Kryetari i PDIU-së vlerësoi rolin në politikë të Haradinajt në luftën e Kosovës, por edhe rolin e tij sot në politikë.