Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Hilaj: E vërteta mbi listat e kandidatëve për 18 Qershorin

 Juristë e ish-krerë KQZ-je janë përfshirë në një debat të pashtershëm nëse 15 partitë që kanë sjellë lista kandidatësh janë regjistruar apo jo konform ligjit zgjedhor.

Pozita mbështet qëndrimin e kryetarit të KQZ, Biba, se partitë që marrin pjesë në zgjedhje dhe që janë pjesë e procesit të 18 Qershorit mund të ankimojnë, ndërsa të tjerat jo. Opozita pretendon të kundërtën, se PAA legjitimohet si palë, sipas përcaktimeve të ligjit zgjedhor edhe pse nuk ka sjellë listë kandidatësh. Në ambjentet juridike, legjitimiteti apo jo, konsiderohet si varka e shpëtimit, për një çështje gjyqësore. Në fakt, ky është çelsi i artë për të fituar një çështje, ku mitmarrja është pjesë funksionale.

Nëse një palë legjitimohet apo jo, është strikt në logjikimin e gjyqtarit, që shpesh herë ndodh deri aty, sa mund ti thotë Agron Dukës, se ti si person nuk cënohesh në këtë çështje, kurse partia PAA vendimet e saj i shpreh nëpërmjet kongresit, tagër të cilin ti nuk e ke si kryetar.

E njëjta gjë mund të ndodhi paraprakisht me partinë e kampit të pozitës, e cila ka kërkuar të njëjtën gjë. Bile situata mund të degradoj deri aty, sa të kërkohet që çështja e PAA të mos gjykohet, pasi gjykatat nuk mund të shprehen dy herë për të njëjtën çështje. Pra kjo lojë kalon limitet e vetë lojës.

Por si është e vërteta? Në fakt, kolegji zgjedhor në hierarkinë juridike, është një strukturë e nivelit të gjykatës së apelit, që duhet të respektoj si çdo gjykatë në RSH, hierarkinë ligjore. Në këtë hierarki është primare Kushtetuta, pason me Marrëveshjet Ndërkombëtare, më pas Kodet, ku përfshihet ai zgjedhor, civil, administrativ etj, e në fund ligjet. Shumë ligje janë kontradiktore ndonjëherë, apo hapësirat e një ligji mbyllin objektin e ligjit tjetër. Një konflikt të tillë e ka KPrA me KPrC. Sipas konceptit të KPrC palët duhet të legjitimohen për të hapur një gjyq. Sipas KPrA një akt absolutisht i pavlefshëm është “nul”, e për rrjedhojë edhe pasojat e tij “nul”, pra nënkuptohet se edhe nëse askush nuk kërkon në gjykatë sot problemin e listave, nesër parlamenti i dalë nga 18 Qershori është “nul”.

Nuk mbaron me kaq. Vendi rrezikon të shkoj në kaos. 18 Qershori pa lista ligjore, nuk ka definicion juridik të plotë nëse është zgjedhje e parregullt, apo përsëritje zgjedhjesh, apo zgjedhje të pakryera njëlloj si Kavaja. Secila nga rastet ka përcaktimin e vet ligjor. Shtyrja e zgjedhjeve mund të shkoj nga disa javë në mbi 6 muaj. Parlamenti nuk mblidhet më.

Egziston vetëm një rast, kur parlamenti mund të mblidhet, dhe behet fjalë në raste të jashtëzakonshme. Që të mblidhet parlamenti, duhet që Kryeministri t’i paraqesë Presidentit për dekretim gjendjen e jashtëzakonshme, më vonë Kryetari i parlamentit, pas dekretit mund të mbledhi parlamentin.

Në një situatë të tillë, një pjesë e lirive elementare të njeriut kufizohen, pra zgjedhjet nuk janë të lira, që është edhe kauza e Bashës.

Poe a ka hapësirë juridike që ky hall të mbyllet sot?

Po. Në fakt konfliktin mes juridiksionit dhe nulitetit e ka zgjidhur një Vendim Unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Bëhet fjalë për Vendimin Unifikues Civil Nr 5, datë 30.10.2012, i cili përcakton në vija të trasha se pavarësisht nëse opozita është apo jo palë e legjitimuar për ta kërkuar në Kolegjin Zgjedhor çështjen e listave, kolegji edhe kryesisht (pa e kërkuar askush) mund të gjykoj. Dhe nëse kolegji kalkulon sipas ligjit zgjedhor në orë, rezulton se mbi 50 ditë janë mbi 1200 orë, dhe jo 1180 orë nga ora e regjistrimit të partive të pozitës, deri në orën 00:00 të 18 Qershorit.

Po pastaj?

Përsëri ngërç. Remi, e quajnë shahistët. Basha luan për fitore, se Remi e nxjerr kur të dojë. Kurse Rama, Remi është ikje nga pushteti, se vjen qeveria teknike.

Përse? Si të bëhet apo mos të bëhet 18 Qershori, nuk ka parlament. Bile disa diplomat minimalisht injorant (që nuk kërkojnë nga personeli i tyre diplomatik hollësi) e flasin pa thelluar, se do të njohin zgjedhjet e 18 Qershorit, kur ato janë nul, ujisin pemën konfliktit. Në çdo rast e mundësi matematikore, pa tavolinë bisedimesh nuk zgjidhet kjo çëshje. Dhe tavolinë bisedimesh më shumë se paketa McAllister do të thotë qeveri teknike, më pak do të thotë ngërçi vazhdon. Edhe po të mendojmë se pozita e vetme do të ndryshojë Kodin Zgjedhor për të definuar problemin e listave, pa miratimin e opozitës, përsëri kaos e konflikt. Kodi Zgjedhor ndalon ndryshimet e veta 6 muaj para zgjedhjeve, pra duhet hequr edhe ky kufizim, ose thënë ndryshe një reformë zgjedhore e njëanshme.

Nëse pozita kryen thjesht ndryshimin për listat, Presidenti automatikisht duhet te dekretoj një datë të re pas 6 muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve në kod. Pra zgjedhje pas mesit të Nëntorit e më vonë, kur parlamenti ka rënë e qeveria Rama ka skaduar mandatin.

Në çdo kusht e rrethanë kemi dy shahistë. Rama një shahist që komenton çdo lëvizje të vetën e kundërshtarit, e Basha që pasi i ka marrë torret e oficerët së bashku me mbretëreshën (Kavajën) e ka lënë me kuaj e ushtarë, ndërsa për vete po shkon të nxjerrë mbretëreshën e dytë (qeveri teknike) e të tretë (shtyrjen e zgjedhjeve).

Please follow and like us: