Ish-sigurimsat, ish-hetuesit, ish-gjykatësit apo ish-prokurorët e dikurshëm vazhdojnë të drejtojnë drejtësinë shqiptare
Dy vjet me pare
INTERVISTË ME ISH TË BURGOSURIN POLITIK DHE PUBLICISTIN E NJOHUR Z. RESHAT KRIPA
Nëpërmjet kësaj interviste ekskluzive për “Zemra Shqiptare” do të udhëtojmë shumë, do të përshkojmë dekada dhimbjesh e dinjiteti. Z. Reshat Kripa ishte ende mes kufirit fëmijëri-adoleshencë kur u arrestua dhe dënua për ”Agjitacion dhe propagandë”. Kur ishte vetëm një djalosh 20-vjeçar kishte mbi supe 5 vite burg. Tronditje e madhe, po por, dorëzim jo. Shpirti demokrat i Kripës nuk u mund asnjëherë, pavarësisht se realiteti nuk përshtatej me aftësinë.
Shpresojmë që me anë të kësaj bisede të japim edhe një mesazh për ata që ende sot janë “të dehur” pas mizorisë enveriste.
EKSKLUZIVE NGA GËZIM MARKU
Tungjatjeta z. Reshat Kripa! Si jeni?
Në përgjithësi mirë. Ju falënderoj për intervistën tuaj.
Do të fillojmë aty ku fillon jeta e të nderuarit Reshat Kripa. Z. Kripa, kur dhe ku keni lindur? Do të ishte me interes të mësonim pak edhe për prindërit tuaj…
Kam lindur më 28 janar 1936 në qytetin e Vlorës. Rrjedh nga një familje intelektuale qytetare. Im atë, Qazim Kripa, kishte kryer studimet në “Robert Colege” në Stamboll. U kthye në atdhe në prag të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, më 1912. Iu kushtua tregëtisë, fillimisht me një kafene dhe më pas, me ngritjen e një fabrike për prodhimin e vajit të ullirit dhe tregëtimin e tij. Nëna, Mynevere Kripa, ishte e bija e një avokati të njohur në qytet, Mehmet Radhimës, drejtor dogane në qeverinë e Ismail Qemalit. Nga martesa lindën shtatë fëmijë, katër vajza, Liria, Qamileja, Drita, Fatushja dhe më prapa tre djem, Agimi, Besniku dhe më i vogli unë.
Kur, ku dhe pse jeni arrestuar? Cila ishte akuza?
Duke filluar nga viti 1942 familja jonë u shpërngul në Tiranë ku im atë vazhdonte tregëtinë e vajit të ullirit. Ne djemtë ishim ende të vegjël, kurse dy motrat, Drita dhe Fatushja, nxënëse të shkollës pedagogjike “Nëna Mbretëreshë” ishin të lidhura fshehtas me grupet guerile që shpërndanin trakte në qytet. Në vitin 1946, pas shtetëzimit të fabrikës së vajit, çuditërisht për arsye që edhe sot nuk arrij t’i kuptojë, me vendim të Ministrisë së Brendëshme, na dëbojnë nga Tirana për në qytetin tonë për motive politike, ku fillojmë të trajtohemi si armiq të popullit. Në këto kushte im vëlla, Besniku, në vitin 1950, krijon një grup të fshehtë së bashku me dy shokë të tij dhe shpërndanin trakte në gjimnazin e qytetit. Arrestohen dhe dënohen me nga 15 vjet burg. Në këto kushte në shpirtin tim lindi një revoltë kundër pushtetit që sundonte vendin. Isha vetëm 15 vjeç, në vitin e parë të gjimnazit. Së bashku me dy shokë të klasës, Myrteza Baboçin dhe Jorgo Beshon, në vitin 1951 krijuam një grup të fshehtë që shpërndante trakte në qytet. Pas katër muajsh aktivitet arrestohemi. Akuza ishte ajo e zakonshmja: Agjitacion dhe propagandë.
Sipas dëshmive të ish-dënuarve, hetuesit ushtronin torturat më çnjerëzore. Po në rastin tuaj?
Patjetër, komunistët nuk bënin përjashtim moshe. Tortura përdorej më tepër pasi nuk besonin se ne tre fëmijë kishim krijuar një grup antikomunist, kështu që kërkonin të zbulonin se kush na kishte shtyrë. Kjo gjë vazhdoi për 6 muaj dhe 20 ditë derisa erdhi dita që dolëm në gjyq dhe u dënuam.
Sa vite u dënuat dhe ku e vuajtët dënimin?
Për shkak të moshës u dënuam me nga 5 vjet burg. Burgun e vuajta të plotë në burgun e Vlorës dhe kampet e punës së detyruar të Urës Vajgurore, Vlashukut, Shtyllasit dhe Bulqizës ku u lirova në vitin 1956.
Çfarë kujtoni nga koha kur ishit brenda hekurave: punë të rëndë, dhunë të tmerrshme, ushqim i pakët dhe i keq? Çfarë bëhej aty në burgjet e ferrit komunist?
Përveç atyre që përmendni ju, unë do të cilësoja dy raste të rralla që kanë ndodhur gjatë asaj kohe. Ishim në kampin e Shtyllasit ku punonim për hapjen e kanalit Vjosë-Levan-Fier. Një mëngjes, i burgosuri Sulejman Dizdari kishte temperaturë të lartë. Doktori ynë i paharruar, Isuf Hysenbegasi, kërkoi ta shtronte në atë që e quanim infermieri. Por operativi i sigurimit, toger Ademi, nuk e lejoi. Sulejmani u detyrua të shkonte në punë por atje nuk mundi të rezistonte. Shokët e ulën dhe e mbuluan në një vend duke marrë përsipër realizimin e normës edhe për atë. Në kohën e drekës mbërriti toger Ademi. Sa e pa urdheroi që të ngrihej dhe të punonte, por ishte e pamundur. Temperatura vazhdonte. Atëhere urdhëroi disa të burgosur servila ta mbulonin me dhe. I ngrati Sulejman u mbulua i gjallë, i dukej vetëm koka. Ne e shikonim me dhimbje por nuk kishim fuqi t’i vinim në ndihmë. Kur përfundoi koha e punës e zbuluam nga dheu dhe në krah e çuam në kamp. Ishte mrekullia e doktor Isufit që, me ato barna të pakta që kishte, e shpëtoi nga vdekja. Miku i tij, Allaman Hysa i kushtoi një poezi:
Ty të mbuluan dje,
Atje në Myzeqe,
Të gjallë në një fushë,
Me dhe, o vëlla, me dhe!
Rasti i dytë ka ndodhur në shtatorin e vitit 1955 në kampin e Bulqizës. Ishte 35 vjetori i Luftës së Vlorës. Me nismën e doktor Isufit organizuam fshehtas një pasdite letrare ku ne të rinjtë recitonim poezitë e një poeti të burgosur vlonjat, Kudret Kokoshit, kushtuar kësaj lufte. Unë recitova poezinë “Një ditë vjeshte”:
Unë pash një ditë vjeshte, një flamur bër çika çika
Një flamur me shkab të zezë, që qe prer me njëmij thika.
Një flamur me bojë gjaku, që valonte pa pushuar
I përcjell nga disa burra, që të gjith duke kënduar.
E përcillnin njëmij trima, me shkopinj e krrab në dorë,
Kryet lidhur, gjokset thyer… un i pash një ditë në Vlorë
Ata luftëtar legjende, ata lajmëtar lirie,
Që i dhan fluturim shqiponjës, pas pesë shekuj robërie!
Oh, than zemrat, oh, sa bukur mbi Vlorë shkaba valon!
Unë pash një ditë vjeshte, epopen e kombit tonë!
Këtë ceremon e paguam me një javë birucë ku na jepnin vetëm një hërë në dite një copë bukë thatë.
Ndonëse sot burgu është i rezervuar për njerëzit që bëjnë krime të ndryshme, burgun politik të asaj kohe do e quaja “Vendi i Nderit” ku lejohen vetëm intelektualët e vërtetë dhe njerëzit e nderuar në përgjithësi. Keni njohur bashkëvuajtës për të cilët ruani respekt?
Ata burra nuk i vjnë më Shqipërisë. Ata, në ato kushte, ishin mësuesit e mi.. Ata më mësuan se cila ishte historia e vërtetë e këtij kombi, më mësuan me ndjenjën e lirisë dhe demokracisë. Ata do të mbeten të paharruar në memorien time dhe të fëmijvë të mi. Shpreh keqardhjen se shumë pak Shqipëria e sotme i kujton këta martirë. Midis emrave të shumtë do të përmendja ata më të shquarit: I pari është doktor Isuf Hysenbegasi, që përmenda më sipër. Pastaj vazhdojnë Patër Mëshkalla e Gjon Shllaku, Sami Repishti e Kol Kurti, Haki Karapici e Matish Çefa,, Xhevdet Kapshtica e Sami Bitincka, Fatosh e Engjëll Kokoshi, Meçan Hoxha e Avdul Hasko, Tahir Hoxha e Dushan Koçiu dhe plot të tjerë.
A kishte dy kategori komunistësh: 1. “Të dehurit “ nga ideologjia deri në çmenduri dhe, 2. si të them, pak më të moderuarit, siç mund të ketë qenë ish-Presidenti dhe ish- Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha apo dhe dhjetra mijëra të tjerë?
Keni të drejtë. Sot ndeshemi me të dy kategoritë e komunistëve. Ndërsa të parët janë po ata që ishin, ku çdo gjë e shohin vetëm bardhë e zi, të dytët janë më të moderuar por, për fat të keq, asnjëri nuk e ka hedhur poshtë zyrtarisht të keqen. Njerëzimi njeh shumë raste që individi, si rezultat i ndryshimit te rrethanave, të ndryshojë bindjen. Kjo është një gjë normale. Por do të ishte gjithashtu normale që ky individ të kërkonte falje për të kaluarën, gjë që nuk ndodhi me asnjë në vendin tonë.
Diktatori jetëshkurtër Ramiz Alia iku pa shprehur pendesë ”zyrtare”. Nexhmje Hoxha ”nuk e ka vënë ujin në zjarr” për të gatuar pak keqardhje. Ju personalisht a keni parë apo ndjerë pendesë nga ana e komunistëve?
Personat e përmendur më sipër i përkasin kategorisë së parë të përmendur më sipër dhe si të tillë as që mendojnë të kërkojnë falje. Sa për kategorinë e dytë edhe pse e ndjejnë që rruga e kaluar ishte e gabuar, nuk kanë kurajon të kërkojnë ndjesë. Unë nuk kam ndjerë pendesë nga askush prej ish komunistëve.
Ku janë sot ata që ju kanë dënuar? Pas ardhjes së demokracisë keni takuar ndonjë personalisht, apo ”takuar” përmes shtypit duke ftuar qytetarët të votojnë nëpër fushata elektorale, sepse siç e dimë shumë komunistë të djeshëm janë bërë socialistë apo demokratë të sotëm…
Për fat të keq një pjesë e tyre vazhdojnë të jenë në krye të kupolës shtetërore. Ish-sigurimsat, ish-hetuesit, ish-gjykatësit apo ish-prokurorët e dikurshëm vazhdojnë të drejtojnë drejtësinë shqiptare. Kanë kaluar 24 vjet nga përmbysja e komunizmit. A thua nuk paska ky vend të rinj që kanë përfunduar studimet në universitetet më në zë të botës perëndimore, qofshin këta socialistë apo demokratë, që të vihen në vend të kuadrove të diskredituar të vjetra? Drejtuesit e shtetit shqiptar, për fat të keq, kanë preferuar gjithmonë të vjetrit. Çfarë tregon kjo…? Personalisht në vjeshtën e vitit 1992 takova rastësisht toger Ademin e përmendur më sipër. Me një pamje prej servili filloi të më tregonte se paskëshin qenë të detyruar nga regjimi dhe paskeshin zbatuar ligjet e asaj kohe për të gjitha ato që kishin bërë. Para syve të mi më dilte pamja e Sulejman Dizdarit të mbuluar me dhe. Ndjeva neveri dhe e shpora. Vazhdonte të punonte në Ministrinë e Brendëshme.
Ligjet komuniste ishin antinjerëzore. Pyetja ime është a bazohej gjithçka në ligj apo kishte individë që i thyenin ligjet për të përjashtuar qytetarë nga liria apo nga jeta?
Më të shumtat e ngjarjeve nuk bazoheshin në ligj. A ishin të shkruara llojet e tmerrshme të torturave në ligj? A ishte shkruar në ligj tentimi për të përdhunuar familjarët në sytë e të burgosurit? A ishte shkruar në ligj lënia pa bukë dhe pa ujë për ditë të tëra? A ishte shkruar në ligj tortura psikologjike që ushtrohej mbi te dënuarit? Megjithatë ato ushtroheshin vazhdimisht dhe askush nuk tentonte t’i ndalonte.
Në një ndër shkrimet e tua jeni shprehur se: “Shqipëria nuk u çlirua por u zëvendësua pushtuesi më 1944”…
Kjo është e vërtetë. Si mund të quhet çlirim kur kaluam nga një lloj robërie në një lloj tjetër, më të egër se e para, që shkaktoi një numër shumë herë më të madh viktimash se në kushtet e luftës, që na ndau fillimisht nga bota perëndimore dhe më pas nga ajo lindore duke pretenduar se paskeshim qënë i vetmi vend që ndërtonte socializmin në botë, që e shpuri vendin në buzë të greminës nga ana ekonomike e të tjera e të tjera.
Mesa duket izolimi brenda kafazit të pamëshirshëm komunist na ka bërë edhe mohues. E kam fjalën për Partizanët, të cilët në fund të fundit luftuan dhe dhanë jetën për një Shqipëri të lirë, edhe pse më vonë, siç na mëson historia, një pjesë e tyre e urryen shqiptarin dhe Shqipërinë saqë edhe qumështin e fëmijëve e bënë hekur e beton (bunkerë) në të gjithë Shqipërinë…
Fronti Nacionaçlirimtar dhe Balli Kombëtar ishin dy forcat kryesore të rezistencës antifashiste
deri në gushtin e vitit 1943, kur u mbajt Konferenca e Mukjes. Pas saj filloi lufta civile. Midis forcave partizane kishte shumë nacionalistë të ndershëm që luftonin për një Shqipëri të lirë. Por kjo lëvizje u manipulua nga komunistët dhe kjo gjë u pasua edhe me terror. Janë të shumtë rastet e likujdimit të disa prej këtyre individëve si për shembull Hysni Xhindi, Fejzo Gjomemaj, Mustafa Gjinishi, Ramize Gjebrea dhe të tjerë që u ekzekutuan në pabesi qysh gjatë kohës së luftë. Kjo gjë mori përmasa më të mëdha pas vendosjes së diktaturës. Përmend këtu grupin e deputetëve, që kishin kontribuar në të ashtuquajturin “çlirim të vendit” dhe që u ekzekutuan vetëm dy vjet pas vendosjes së diktaturës. Më prapa kjo do të vazhdonte edhe me vetë ata që ishin shkaktarë të këtyre krimeve. Përmend rastet e Koçi Xoxes, Beqir Ballukut, Hito Çakos, Kadri Hazbiut e të tjerë.
Duhet thënë se terrori psikologjik mundi shumicën e shqiptarëve në Shqipëri. Komunizmi në Shqipëri nuk kishte të krahasuar me vendet e tjera komuniste të Lindjes. A mendoni se populli ishte tepër i duruar me diktatorin e diktaturën? Mendoni se ishim edhe viktima të injorancës, kur kemi parasysh se u derdhën shumë lotë kur vdiq diktatori, apo ishim thjesht viktima të dhunës e frikës?
Ky është një fenomen që ndodh pothuajse në të gjithë vendet ku sundon një diktaturë e egër. Kjo është pasojë e “njeriut të ri” të krijuar nga socializmi dhe pasojat e tij ne po i heqim edhe sot. Këta individë janë shndërruar në trafikantë droge, femrash e fëmijësh, në vrasës dhe mashtrues, në hajdutë që kërkojnë të zhvasin pronën dhe çdo gjë tjetër që nuk iu përket, në servilë e hipokrit të paskrupull. Sa për lotët që u derdhën kur vdiq diktatori, ato ishin pasojë e indokrinimit të njerëzve pa ideal.
Si e shpjegoni faktin që ne ishim të fundit në Evropë në rrëzimin e sistemit komunist?
Kjo nuk është një gjë e rastit. Edhe herë të tjera kemi qenë shumë të vonuar. Pavarësinë Kombëtare ne e fituam shumë vite më vonë se fqinjët tanë dhe pa kaluar shumë kohë u munduam ta përmbysim. Të njëjtën gjë bëmë edhe për periudhën komuniste. Ne nuk ishim të zotët të ecnim, të paktën, në rrugën që ndoqën ish vendet e tjera socialiste. Ndaj edhe përmbysja ndodhi gati dy vjet më vonë se ato. Madje edhe demokracia e jonë nuk i ngjet asaj të vendosur në vendet e tjera. Shkaktar i kësaj mendoj se është një gen i keq që kemi brenda vetes tonë, një gen që vjen si rezultat i periudhës së gjatë të pushtimit otoman që na la në injorancë të thellë.
Po shfrytëzoj rastin të të bëj një pyetje në lidhje me politikën e jashtme turke. Ashtu si ju, shumë intelektualë të tjerë e lidhin prapambetjen tonë me pushtimin osman, ndërkohë politikanët turq mburren me këtë trashëgimi dhe pretendojnë rikthimin e osmanizmit apo kulturës orientale në Ballkan, sidomos në Shqipëri dhe Kosovë. Si e shikoni politikën turke dhe cili është mesazhi yt për shqiptarët, sidomos për ata që flasin shqip dhe mendojnë turqisht apo osmanisht, duke fyer edhe disa nga personalitetet më të shquara kombëtare?
Jam plotësisht i bindur se sundimi shumë i gjatë otoman në Shqipëri ka qenë shkaku i injorancës së thellë që ekzistonte ndër shqiptarët, injorancë që, në disa aspekte, shfaqet aty këtu ndër individë të ndryshëm dhe sidomos në një pjesë të atyre që kanë studiuar në vendet arabe. Mendimi im është se Shqipëria duhet të ruajë me Turqinë të njejtat marëdhënie si me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit. Shqipëria është një vend europian dhe duhet të orientohet drejt Europës. Jo me kotë poeti ynë kombëtar Naim frashëri shkruante: “O diell i bekuar, që lind nga perëndon!” Përsa i përket Turqisë, mendoj se me përmbysjen që i bëri burri i shquar Mustafa Qemali pushtetit otoman në Turqi, ajo po ecën në vazhdën e vendeve perëndimore. Megjithatë, si dhe në shumë vende të tjera, atje ka ekstremistë anadollak që përpiqen ta kthejnë rrotën e historisë prapa. Janë pikërisht këta ekstremistë të cilët mundohen që teorinë e tyre ta përhapin edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Por, me sa konstatoj unë, një përpjekje e tillë nuk gjen terren në këto troje. Shqipëria dhe Kosova tashmë e kanë zgjedhur rrugën e tyre. Ajo është rruga drejt perëndimit.
A mendoni se është bërë mjaftueshëm për ish të dënuarit dhe të përndjekurit politikë? Për Socialistët nuk ekzistonit dhe është e natyrshme që Partia Demokratike dhe e Djathta të jenë ”foleza e ngrohtë” e ish të dënuarve dhe përndjekurve politikë.
Por po të kemi parasysh grevën e urisë së pak viteve më parë në të cilën u vetëdogjën dy ish të dënuar, njëri nga të cilët, Lirak Bejko humbi edhe jetën, del se nuk ishte aq e ngrohtë.
Jo, nuk mendoj ashtu, përkundrazi. Për të qënë të sinqertë këtë gjë do ta ndaja në dy periudha. Në periudhë e parë të qeverisjes demokratike, në vitet 1992-1996, për të thënë të vërtetën u morrën disa masa që meritojnë të vlerësohen. Do të përmendja këtu shkollimin e kësaj shtrese që ishte lënë në harresë nga regjimi komunist, punësimi i saj deri në organet më të larta të shtetit, strehimi i tyre që bëri të mundur largimin nga kampet e internimit, miratimi i ligjit mbi “Statusin e të Përndjekurit Politikë” e të tjera. Ndërsa në periudhën e dytë nuk vazhdoi me të njëjtin ritëm. Në një farë mase filluan të na përdorin si burim votash në raste fushatash elektorale. Këtë periudhë do ta krahasoja si nata me ditën në lidhje me të parën. Një gjë e tillë solli edhe grevën e urisë të përmendur prej jush. Megjithatë duhet të parnojmë disa gjëra. U miratuan në parlament rezoluta në mbështetje të asaj të Këshillit të Europës “Mbi ndëshkimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, ligji mbi dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë se dhe amendamentet e mëvonëshme, ligji i lustracionit të figurave që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e përbërë nga individë që prekeshin nga ky ligj si dhe krijimi i Institutit të Hetimeve të Krimeve të Sistemit Komunist. Në të gjitha këto ligje, deputetët socialist, me urdhër të kryetarit, dolën nga salla e paralmentit duke refuzuar të votonin. Kështu qëndrimi i sotëm i kësaj partie që gjoja qenka vënë në zgjidhjen e problemeve të kësaj shtrese, më duket si një hipokrizi e ulët. Për të vërtetuar ato që predikon Kryetari i Partisë Socialiste, atij i duhet të kërkojë më parë falje që i detyroi deputetit të mos i votonin këto ligje.
Ndoshta shumë nga lexuesit tanë nuk e dinë se ju jeni vëllai i aktores së famshme Drita Pelingu, ”Artiste e Merituar” dhe ”Mjeshtre e Madhe”. Drita e paharrueshme shkëlqente në ekranin e madh e të vogël dhe në Teatër, ndërsa vëllai i saj Reshati do të ishte në listën e ”armiqve të popullit”, do dënohej e persekutohej gjatë gjithë jetës së gjatë të diktaturës…
Sikurse kam thënë edhe më lart, Drita ishte pjestare e grupeve guerile gjate luftës dhe ka dhënë një kontribut modest në këtë luftë. Për mua ajo dhe veçanërisht bashkëshorti i saj, Hysen Pelingu, zenë një vend të veçantë në familjen tonë. Ata nuk iu ndanë për asnjë çast familjes sonë. Kur ne dy vëllezër ishim në burg, prindërit ishin në një gjendje shumë të rëndë ekonomike dhe ishte pikërisht familja Pelingu që i ndihmonte për të përballuar jetën dhe për të mos na lënë edhe ne të dyve pa ndihmë. Nëse dolëm gjallë nga ia tmerr, kjo i dedikohet edhe familjes Pelingu. Edhe pasi u liruam nga burgu shtëpia e jonë priste shoqet dhe shokët e Teatrit Kombëtar kur vinin për turne në qytetin tonë. Edhe Hyseni, megjithse komunist, nuk u nda asnjëherë nga familja e jonë. Një gjë të tillë ishin të rrallë ata që e bënin në atë kohë.
Duke shpresuar që nuk është një pyetje e tepërt do doja të na flisnit pak edhe për vëllain tënd, z. Besnik Kripa…
Ishte një tip i veçantë. Shquhej për elegancën me të cilën donte të vishej dhe për fjalën e matur që lëshonte nga goja. Së bashku me dy shokët krijuan grupin antikomunsit. Në gjyqin e zhvilluar i mori përsipër të gjitha mbi vete duke dashur të mbrojë shokët. Bëri gati 12 vjet burg. U lirua në fund të vitit 1961. Pas lirimit nuk i ngelej gjë tjetër veçse të punonte si punëtor në tunelet e fabrikës së tullave në Vlorë, punë që e vazhdoi deri sa doli në pension. Pas ndryshimeve u aktivizua me lëvizjen demokratike duke u zgjedhur edhe anëtar i Këshillit Bashkiak në periudhën 1992-1996. Ndërroi jetë më 26 nëntor 2006.
Gjatë dekadave të izolimit në burgun e madh me emrin Shqipëri, a shpresonit që një ditë do të dorëzohej diktatura?
Patjetër. Shpresa ka qenë ajo që na ka mbajtur gjallë. Prisnim me padurim orën për të dëgjuar “Zërin e Amerikës” në radio. Për këto bisedonim edhe me shokët më të ngushtë.
Pas lirimit nga burgu, si rrodhi jeta juaj?
Fillimisht punoja si punëtor nëpër ndërmarrje të ndryshme. Në vitin 1958 u mobilizova ushtar në repartin e punës 5310 në Tiranë ku punonim në ndërtimin e fabrikës së birrës dhe të banesave në Kombinatin e tekstileve. Kështu mësova mjeshtërinë e muratorit që e ushtova deri në përmbysjen e regjimit. Detyra më e lartë që më jepej qe ajo e brigadierit të brigatës së ndërtimit, edhe kjo me disa ndërprerje si pasojë e letrave anonime që në atë kohë ishin të shpeshta. Mbarova shkëlqyeshëm gjimnazin e qytetit me të gjitha notat dhjeta, por m’u mohua e drejta e studimeve të larta. U interesova deri në Ministrinë e Arsimit ku më priti zëvendësministri Anastas Kondo, por përgjigja ishte negative. Në tetor të vitit 1964 u martova me Ida Agajn, bijën e personalitetit të shquar Ago Agaj, ish prefekt ne Mitrovicë ne vitin 1942 dhe Ministër i Ekonomisë Agrare në qeverinë e Rexhep Mitrovicës në vitet 1943-1944, arratisur në Shtetet e bashkuara të Amerikës ku ndërroi jetë në dhjetor 1994. Si rezultat i martesës lindën tre fëmijë, djali Artani dhe dy vajzat, Rudina dhe Ersela. Pas ndryshimeve qeveria demokratike më emëroi drejtor të Zyrës së Punës dhe Përkrahjes Sociale në Vlorë, detyrë që e kreva deri në vitin 1997 kur pushtetin e morën socialistët. Atëherë dola në pension.
Cila apo kur është dita e parë në liri të vërtetë për ju?
Në të vërtetë pata iluzionin se dita e parë e lirisë së vërtetë ishte 20 shkurti i vitit 1991. Por, më vonë konstatova se atë ditë ishte rrëzuar vetëm bronxi i atij monumenti ndërsa shpirti i tij ishte lënë i lirë të endej nëpër atdhe dhe të përgatiste katastrofa të tjera si ajo e vitit 1997. Unë nuk mund ta quaj të lirë një vend që, edhe pas kaq vitesh, palët e shohin njëra-tjetrën si armik dhe janë gati t’i hedhin kthetrat e ta fshijnë nga faqja e dheut.
Më në fund erdhi fundi i stalinizmit enverist në Shqipëri. Ç’bëhej me Reshat Kripën në vitet 1990-1992?
Më 28 prill 1991 në Tiranë u krijua Shoqata e të Dënuarve dhe të Persekutuarve Politikë të Shqipërisë me në krye Mandelën e Shqipërisë, të nderuarin Osman Kazazi. Më 14 maj të po atij viti krijuam degën e shoqatës për Vlorën. Kryetar zgjodhëm intelektualin e shquar, Hysni Alimerkon, që kishte bërë 20 vjet burg, nënkryetar Burim Kokoshin, dy herë i dënuar politikë dhe sekretar unë. Kujtoj me respekt emrat e antarëve të kryesisë së Komisionit Nismëtar, Alajdin Alemi, Fahri Shaska, Sefer Dauti, Bashkim Ndreu, Neshet Merkaj. Ishim shumë entusiazt. Shkonim fshat më fshat për të krijuar seksionet e shoqatës. Kryem gjetjen dhe rivarrimin me një ceremony dinjitoze të 18 martirëve të pushkatuiar nga regjimi komunist. Mbanim lidhje të ngushta me qendrën në Tiranë, ku unë dhe Hysniu me Burimin ishim anëtarë të saj. Por aktiviteti kryesor ishte a i zhvilluar më 28 nëntor 1991, me rastin e përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Me nxitjen e Viktor Dostit, që kishte ardhur nga Tirana, vendosëm që në ditën e festës të mos lejonim të ngrihej flamuri me yllin e kuq të komunizmit. Në atë periudhë Kuvendi i Shqipërisë nuk e kishte vendosur ende heqjen e yllit. Organizuam një takim me përfaqësues të Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Bashkimit të Sindikatave të Pavarura dhe Shoqatës “Çamëria” Nga ky takim i dërguam një ultimatum Komitetit Pluralist të Vlorës ku i kërkonim ngritjen e flamurit pa yll. Shumica socialiste e komitetit e hodhi poshte ultimatumin. Më datë 27 janar, ndoshta edhe për të matur pulsin tonë, në shtizën e flamurit u ngrut ai me yll, por dy djem të rinj, Xhemal Mustafaraj nga Çeprati i Vlorës, ish i dënuar politikë dhe Fadil Ndreu, me origjinë nga Dibra por i lindur në Vlorë ku familja e tij ishte internuar, hipën në shtizën e flamurit, grisën yllin, e dogjën dhe ngritën atë pa yll. Ky veprim detyroi komitetin që të pranonte ngritjen e flamurit pa yll. Të nesërmen elita e komitetit drejtohej për ngritjen e flamurit. Në krye kryetari i saj, Mezan Malaj. Para portës së lulishtes, afër shtizës së flamurit u dalin para një grup i madh të përndjekurish. Fjalën i pari e mori Fahri Shaska: “Zoti kryetar, duart tuaja nuk do ta ngrenë flamurin kombëtar, atë do ta ngrejë një djalosh i ri, duart e të cilit nuk janë të përlyera me gjak”. Kryetari zgjati duart dhe tha: “Po unë a i kam duart të lyera me gjak?”. Atëherë iu përgjigja unë: “Edhe nëse nuk i keni të lyera me gjak, i keni shërbyer atij sistemi që derdhi një lumë gjaku. Duart e atyre që kanë ngritur flamurin e komunizmit, nuk do të ngrenë flamurin e Ismail Qemalit. Ky flamur është yni!” Kryetari u detyrua të tërhiqej. Flamurin e ngriti djaloshi 17 vjeçar Altin Kokoshi, biri i Burim Kokoshit dhe nipi i pjesmarrësit në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, Qazim Kokoshit, vdekur në burgun komunist. Kjo ishte dita më e shënuar për mua.
Gjatë viteve 1992-1996 keni qenë ‘Anëtar i Kryesisë së Degës së Partisë Demokratike për Vlorën’ dhe ‘Drejtor i Departamentit të Përndjekurve Politikë pranë Partisë Demokratike’ në vitet 2001-2002. Ç’kujtoni gjatë këtyre viteve…?
Për mua kanë qenë vitet më lumtura të jetës time. Kam punuar me përkushtim dhe kjo nuk ndodhte vetëm me mua. Zhvillonim takime të vazhdueshme dhe merrnim vendime të pjekura. Por konstatoj se pas rimarrjes së pushtetit nga Partia Demokratike në vitin 2005, nuk vazhdoi më ajo gjendje. Me duket se kjo parti krijoi nje mbivlerësim të saj duke lënë në harresë disa çështje të jetës së përditëshme. Më tepër këto përsa u përket të përndjekurve politikë. Po e ilustroj. U miratua rezoluta e sipërpërmendur por zbatimi i saj mbeti në letër. Nuk u dënua figura e diktatorit Enver Hoxha, nuk u përmbushën detyrimet e dala nga Statusi i të përndjekurit politikë, nuk u akordua asnjë fond për gjetjen dhe rivarrimin e të zhdukurve nga komunizmi, nuk u hapën dosjet e sigurimit të shtetit, nuk u bënë publike dokumentet që dëshmojnë krimet e komunizmit, nuk u bë rishikimi i historisë dhe teksteve shkollore, nuk u ngrit memoriali kushtuar viktimave të Konunizmit në një kohë që një memorial i tillë është ngritur në Washington, megjithëse Amerika nuk e provoi diktaturën komuniste, dhe së fundi nuk u mbajt Konfernca Kombëtare me pjesmarrjen e të gjithë spektrit politik shqiptar. Të gjitha këto ishin parashikuar në rezolutë.
Shqipëri 1997: mijëra të vrarë, popull i armatosur, shumë shqiptarë humbën pasurinë, shtëpinë deri tek kafshata e gojës. Çfarë ndodhi me vendin sipas këndvështrimit Tuaj?
Një katastrofë e vërtetë që e ktheu vendin në një shesh beteje, të nxitur nga falangat komuniste të mbetura në vend dhe të përkrahura nga qarqet më të errëta të vendeve fqinj.
Prostesta e dhunshme e 21 Janarit e organizuar nga Opozita Socialiste e Edi Ramës u prit me plumba nga Pozita Demokratike e Sali Berishës. Humbën jetën katër njerëz të pafajshëm. Rama e shijonte kafen nga larg në pritje për të marrë pushtetin me dhunë, ndërsa Berisha bënte stilolapsat pushkë për t’u shfajësuar. Si do ta komentonit këtë ditë të errët për politikën dhe shoqërinë tonë?
Është e qartë se ajo ishte përgatitur personalisht nga Edi Rama që gjatë saj qëndronte si spektator. Por edhe qëndrimi i qeverisë demokratike nuk është aspak i qartë dhe ku drejtësia shqiptare nuk është në gjendje të nxjerrë të vërtetën. Kjo është një pikëpyetje e madhe.
Prostesta e dhunshme erdhi pasi u shfaq një video ku Ilir Meta na tregonte se ishte i korruptuar. Më vonë, Meta me Ramën pinë më shumë se kafe në vilën e të parit, vilë e cila ishte ndërtuar me paratë e korrupsionit – sipas të dytit. Kafeja solli romancën dhe papritur urrejtja u bë dashuri dhe poshtërsia u shndërrua në diçka me të cilën ”krenohemi”. Akuzat e drejta humbin me kohën dhe ne duhet të pranojmë që politika shqiptare nuk e njeh ekzistencën e moralit…
Kjo është pafytyrësia më e madhe e politikës shqiptare.
Pas skandaleve të Metës dhe Priftit, në zgjedhjet lokale kemi më shumë vota për Lëvizjen Socialiste për Integrim se në zgjedhjet e kaluara. Më 23 qershor, LSI korri një sukses të jashtëzakonshëm duke fituar 16 vende në parlament! Përveç të tjerash, a mendoni se qëndron ajo shprehja: ”çdo popull meriton qeverinë që ka”?
Ajo është një sentencë që qëndron në të gjitha kohët, por për mua, gabimi më i madh i Berishës ishte futja e ujkut Meta në gji. Jam i mendimit se ky ishte shkaku kryesor i disfatës spektakolare të Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit dhe, për fat të keq, kjo parti nuk e zë në gojë këtë fakt.
Kryeministri Rama sapo mori pushtetin thërriti në ndihmë policinë me mendimin se shteti ndërtohet me terror dhe brenda një kohe të shkurtër. Pa ndërtuar asgjë filloi shkatërrimin e objekteve me dhe pa leje, pa harruar të veprojë edhe në mënyrë arbitrare, pastaj vazhdoi me burgun për qytetarët e varfër shqiptarë që nuk kanë patur mundësi ekonomike të paguajnë energjinë. Shteti duhet bërë dhe energjia duhet paguar, por edhe energjia duhet garantuar, megjithatë, e shikoni si nxitim të qeverisë, si një kapitalizëm i egër anti-social, kur edhe nëse flasim simbolikisht, burgu për qytetarin i kushton më shtrenjtë shtetit sesa energjia e papaguar.? Kaq ishte pyetja, por përgjigja mund të jetë më e zgjeruar mbi qeverisjen në përgjithësi…
Mendoj se në parim këto reforma janë të drejta, por mënyra se si po veprohet më duket e nxituar pasi ajo sjell si pasojë një humbje shumë më ta madhe. Të marrim shembjet e objekteve pa leje, madje disa herë edhe të atyre me leje. A është marrë parasysh se në këto objekte kanë qenë të punësuar një numër i madh punonjësish dhe që tani do të ngelen të papunë? Qeveria ka premtuar pakësimin e papunësisë por, amund të realizohët ajo në këto kushte? A janë bërë bërë mirë llogaritë? Për çështjen e mospagesave të faturave elektrike. Nuk besoj se dënimi me burg është zgjidhja më e duhur pasi, siç shkruani ju, kostoja e kësaj është më e lartë dhe vendi ynë nuk e ka luksin të përballojë këtë kosto. Këtë qeveria duhej ta zgjidhte nëpërmjet prerjes së dritave dhe një kontrolli më të rreptë ndaj specialistëve të Cez-Shpërndarjes, pasi janë ata që i rilidhin dritat duke marrë bakshishe nga pronarët. Përveç këtyre ka edhe raste selektive. Ja një shembull personal. Në vitin 2000 shita shtëpinë dhe erdha në Tiranë. Bëra aktin e shitjes noteriale por, për një pakujdesi timen, nuk ndërrova kontratën e energjisë elektrike. Në fillim të vitit 2012 më vjen një shkresë nga një zyrë përmbarimore se detyrohesha të paguaja detyrimin per mbi 2 miljon lekësh për konsumin e energjisë së papaguar për periudhën 2007-20011. Blerësi i shtëpisë time nuk e kishte kryer pagesën. Duke filluar nga kjo datë u jam drejtuar me letra tre administratorve të Cez- Shpërndarje Vlorë, madje edhe dy administratorve të përgjithshëm, duke u kërkuar zgjidhjen e problemit dhe deri në zgjidhjen e tij, prerjen e dritave të banesës. Kam hapur edhe një seancë gjyqësore për këtë çështje dhe deri tani është zhvilluar vetëm ajo e shkallës së parë. Megjithatë problemi nuk ka gjetur zgjidhje, megjithse kanë kaluar gati tre vjet. Dritat e ish-shtëpisë time nuk janë prerë. A është kjo normale. Ju lutem përgjigjen të ma japë publiku.
Lëvizja studentore më 1990 është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të kombit tonë, mbase më e rëndësishmja pas Ngritjes së Flamurit në Vlorë më 1912…
Jam dakord që është një ngjarje e madhe por nuk mendoj se është më e madhja pasi ka patur edhe të tjera. Këtu do të përmendja Luftën e Vlorës më 1920 dhe raste të tjera revoltash të ndodhura gjatë diktaturës. Do të përmendja revoltën e Spaçit apo atë të Qafës ësë Barit ku në kondita terrori dhe tmerri guxuan të ngriheshin, madje në Spaç ngritën edhe flamurin pa yll. Të dy këto revolta përfunduan me shtatë të vrarë, kurse lëvizja studentore pa asnjë dhe kjo pasi ujkut atëherë i kishin rënë dhëmbët. Nuk besoj se mund të rrëzohej një sistem si ai socialist për katër ditë, për të mos thënë ato që pëshpëriten sot poshtë e lartë për punën e sigurimit të shtetit në këtë lëvizje. Lëvizja studentore mund të thuhet se ishte kurorëzimi i rezistencës së gjatë gjysmë shekullore të popullit shqiptar kundër komunizmit.
Ne jemi i vetmi shtet në Europë që refuzon të njohë të kaluarën e tij. Eshtë folur shumë për hapjen e dosjeve të diktaturës, por siç thotë populli ”fjalët e shumta janë varfëri” dhe ne realisht mbetemi shumë të varfër jo vetëm ekonomikisht, sepse dukemi që jemi shndërruar në mjeshtra të vendnumërimit. Dosjet duhet të ishin një kapitull i mbyllur pas më shumë se dy dekadash, por jo! Konkluzioni im është: “Shqipëria mbetet peng i komunistëve”. Ju si mendoni?
Jam plotësisht dakord me mendimin tuaj. Në Shqipëri është ende gjallë mentraliteti komunist i interpretimit të ngjarjeve. Përsa i përket problemit të dosjeve jam i mendimit se ajo është një lojë e atyre që i kanë krijuar ato. Çfarë do të shërbej tani pas 24 vitesh hapja e dosjeve, për sa kohë? Pas dhjetë apo pesëmbëdhjetë vitesh unë ju garantoj se nuk do të ketë asnjë person aktiv që përfshihet në këto dosje pasi tashmë ata do ta kenë kaluar moshën 80 vjeçare dhe do jenë në prag të ndërrimit të jetës. Një ligj i tillë do të ishte i vlefshëm të ishte vënë në zbatim qysh në vitet 90-të, siç u bë edhe në vendet e tjera të lindjes. Por kjo mungoi në Shqipëri.
Edhe vetë diktatori mbase do të ishte mërzitur me stalinizmin e tij, por, sot, çuditërisht, ka plot adhurues të veprës së tij famëkeqe. Cili do të ishte mesazhi juaj për enveristët e sotëm, për “avokatët e djallit”…
Të kësaj kategorie janë ata që u ka mbetur ora në nëntor 1944. Ata janë një pakicë e papërfillshme por që nxiten nga një brez tjetër fanatikësh tru ndryshkur ndonse të rinj. Këtë e trregoi më së miri mënyra e kremtimit të të ashtuquajturit “çlirim” me shalle të kuq dhe portretin e diktatorit dhe që mjaftoi një gjysmë llafi i ambasadorit amerikan për t’i flakur shallet dhe portretet. Kjo tregon karakterin e tyre te ulët.
Përveç aktivitetit të përditshëm si ”Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës”, shkrimtar dhe analist, z. Kripa do ketë edhe pak kohë të lirë. Si e kaloni atë?
Përgjithësisht me kompjuterin. Nëpërmjet tij jam bërë mik me shumë personalitete që jetojnë jashtë vendit. Shkëmbejmë vazhdimisht mesazhe dhe mendime për ngjarje të ndryshme. Një nga këto është edhe media juaj. Merrem gjithashtu edhe me publicistikën dhe shkrime të tjera. Kam gati për botim dy romane, një libër me poezi dhe një monodramë. Publiku le të gjykojë për to.
Edhe pse e lënduar kjo Shqipëria jonë, cilët mendoni se janë personalitetet pa të cilët nuk do kishim as këtë Shqipëri që kemi…? Cilët janë shqiptarët më të cilët ndjehet krenar z. Kripa?
Nuk besoj se kjo është meritë e një individi. Janë rrethanat botërore që sollën këtë përfundim. Ndihem krenar me ata burra që njoha në kohët më të vështira të jetës time dhe që i kam përmendur më sipër.
Cila është Kosova për ju?
Unë nuk mund ta ndaj Kosovën nga Shqipëria. Ishte Kosova, në pjesën më të madhe, që bëri Shqipërinë në vitin 1912 por që, fatkeqësisht, për lojrat e ndërkombëtarëve, mbeti jashtë saj. Tani ky gabim është korigjuar. Është detyra e shqipëtarve të kryejnë bashkimin e dy gjymtyrëve të këtij kombi.
Bashkimi Kombëtar duhet të jetë i pashmangshëm?
Patjetër.
Ishte menduar se Serbia, edhe pse me hapa të ngadaltë, po ecën me kohën, por mjaftoi një ndeshje futbolli që të na prezantohej një Serbi mesjetare, si politikisht ashtu edhe shoqërisht…
Një fjalë e urtë thotë: “Ujku qimen e ndërron, por zakonin nuk e harron”. E tillë është edhe Serbia.
Këtu në “Zemra Shqiptare” kemi publikuar përveç analizave dhe opinioneve edhe krijime letrare në të cilat duket qartë që letërsia është pasioni juaj i hershëm…
Letërsia ka qenë një pasioni im qysh në fëmini. Në shkollë shquhesha për hartimet e bukura. Pasi u lirova nga burgu vazhdova shkollën e mbrëmjes. Ishte ora e hartimit Profesori i mirënjohur Milo Duni kishte dhënë temë të lirë. Bëra një prozë letrare kushtuar fillimit të vitit shkollor. Kur profesori shpërndau fletoret lexoj shkruar me laps blu: Gjuhë dhe stil i sigurtë. Vazhdo të shkruash tregime… ndërsa më poshtë vazhdonte me laps të kuq të vendosur në thonjëza: “Po të kesh kohë të lirë”. I nxitur nga kjo shkrova një tregim ku persoazhi kryesor ishte një fëmijë që kishte mbetur jetim si pasojë e një bombardimi në kohën e luftës dhe që gjendet i vdekur i braktisur. E dërgova për botim në gazetën “Letrari i Ri” por dyert e botimit ishin të mbyllura. Atëherë heshta. Vetëm pas ndryshimeve fillova përsëri të shkruaj.
Cilët nga shkrimtarët tanë dhe të huaj nuk mungojnë në bibliotekën tuaj?
Nga shkrimtarët e realizmit socialist në bibliotekën time ndodhen vetëm Ismail Kadareja dhe Sabri Godua. Veprat e këtyre kanë qenë të vetmet që kam lexuar. Për të tjerët nuk kam pasur asnjë simpati, përveç diziluzionit për temat e trajtuara. Nga shkrimtarët dhe poetët e persekutuar kam librat e atyre që u masakruan nga ai regjim dhe nuk jetojnë më: Ethem Haxhiademi, Ali Asllani, Kudret Kokoshi, Musine Kokalari, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Trifon Xhagjika, Havzi Nela, Agron Çorati, Izet Shehu si dhe atyre që fati i la të mbijetonin: Visar Zhiti, Uran Butka, Uran Kostreci, Enver Memisha, Vilhelme Vranari (Haxhiraj) e të tjerë. Në bibliotekë ndodhen edhe libra të shkrimtarëve kosovarë si Ibrahim Kadriu, Sabri Maxhuni, Agim Gjakova, Selatin Novosela e të tjerë. Nga shkrimtarët e huaj nuk mungojnë Viktor Hygoi, Çarls Dikensi, Stefan Cvajgu, Henrik Ibseni, Xhorxh Bernard Shou, Anatol Fransi, Frederik Niçe, Zhyl Verni, Aleksandër Pushkini, Mikail Lermontovi, Nikollaj Gogoli e të tjerë.
Muzika, kinematografia dhe arti pamor, a kanë vënd në jetën tuaj?
Më pëlqejnë jashtë mase, në mënyrë të veçantë muzika. Këtu e kam fjalën për muzikën e vërtetë shqiptare dhe jo per disa rryma të reja që paraqesin pamje pothuajse porno te këngëtares apo shoqërueseve ta saj. Më pëlqen gjithashtu kinematografia dhe sidomos ajo që trajton problemet shoqërore.
A ngjall emocione sporti tek ju?
Patjetër, sidomos futbolli. Ndër skuadrat e vendit natyrisht jam me “Flamurtarin” e Vlorës, ndërsa ato ndërkombëtare, midis klubeve me “Bajernin” e Mynihut dhe midis përfaqësueseve me Gjermaninë. I ndjek ndeshjet e tyre vazhdimisht nëpërmjet televizorit ose internetit.
Ju jetoni dhe punoni në Tiranë. A ju merr malli për Vlorën? Do të preferonim një përgjigje më të zgjeruar duke e zbërthyer disi qytetin tuaj të lindjes për të na treguar se pse duhet ta vizitojmë Vlorën?
Natyrisht. Kam 15 vjet që jam vendosur në Tiranë por nostalgjinë për qytetin tim e ndiej gjithmonë. Sa herë e kujtoj më dridhet mishi pasi më del parasysh qyteti im i fëminisë, më dalin rrugicat dhe sheshet ku dikur ngjisnim traktet tona. Më dalin shkollat ku kam mësuar. Më dalin shokët që tani nuk jetojnë më. Më del gjithçka. Është një qytet i mrekullueshëm që natyra i ka falur shumë të mira, që ka pranë detin edhe malin, plazhin e bukur dhe llogoranë e mrekullueshme. Qyteti shquhet për historinë e tij të shkëlqyer. Nuk ka ngjarje në historinë shqiptare që qyteti im të mos ketë qënë pjesëmarrës. Ka qenë violinë e parë në historinë e këtij vendi duke nxjerrë burra të shquar që kanë kontribuar me të gjitha mjetet për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe perëndimore. Shquhet për një karakter të fortë, ndonse ndonjëherë pak të ashpër. Përveç këtyre shquhet edhe për mikëpritjen labe që e karakterizon. Ndaj ejani vizitojeni qytetin tim dhe do të shihni se do të më jepni të drejtë.
Një mesazh për vizitorët e “Zemra Shqiptare” anembanë botës…
Zemra Shqiptare është një tribunë e fjalës së lirë, një media me të vërtetë kombëtare, ndryshe nga një pjesë e mirë e medias së ashtuquajtur e pavarur që qarkullon në vend dhe që është kthyer në zëdhënëse e forcave të ndryshme politike. Ndaj vizitoheni këtë media. Dërgoni shkrimet apo komentet tuaja në të dhe ajo do të jetë më afër me ju, kudo që të ndodheni. Ajo do të jetë dhe me atdheun tuaj. Suksese të vazhdueshme “Zemrës Shqiptare”.