Albspirit

Media/News/Publishing

Kërkimet për drejtorin e ri të FBI

Administrata e presidentit Trump është në kërkim të një drejtuesi të ri për Byronë Federale të Hetimeve pas shkarkimit të zotit James Comey javën e kaluar.

Administrata ka intervistuar të paktën tetë kandidatë për postin e drejtorit të FBI-së. Zoti Trump tha se një vendim mund të merret para së premtes kur ai largohet në turneun e tij të parë ndërkombëtar si president.

“Mendoj se procesi po ecën me shpejtësi,” tha zoti Trump lidhur me kandidatët. “Ata janë figura që kanë kaluar në procesin e verifikimit gjatë gjithë jetës së tyre, janë shumë të njohur, shumë të respektuar dhe njerëz të talentuar. Këto cilësi kërkojmë të ketë personi që do të drejtojë FBI-në.”

Ndërkohë, presidenti vazhdoi të ishte në titujt e lajmeve dhe të acaronte ligjvënës nga të dyja partitë që kritikuan veprimet e tij të javës së kaluar, që përfshijnë ndryshimin e shpjegimeve të dhëna nga Shtëpia e Bardhë për shkarkimin dhe një koment kërcënues në Tweeter nga zoti Trump që paralajmëronte zotin Comey të mos bënte komente për median, duke thënë se drejtuesi i shkarkuar i FBI-së më mirë të shpresonte se nuk ekzistonte ndonjë “regjistrim” i bisedave mes tyre.

Të dielën, ligjvënësit i bënë thirrje zotit Trump të dorëzonte regjistrimet e bisedave me zotin Comey që mund të kishte. Senatori republikan Lindsey Graham tha se Shtëpia e Bardhë duhet të sqarojë nëse ka patur ndonjë regjistrim të bisedave. “Nuk mund të luash me regjistrimin. Në se ke regjistruar bisedën, inçizimi duhet të dorëzohet,” tha zoti Graham për programin Meet the Press të kanalit NBC.

Demokrati Mark Warner, anëtar i Komisionit të Senatit për Zbulimit tha: “Nuk e kam idenë nëse ka ndonjë regjistrim apo jo. Por fakti që presidenti bën aludime për këtë dhe më pas Shtëpia e Bardhë nuk e konfirmon dhe as e mohon? Pikë së pari, duhet të sigurojmë që këto regjistrime, nëse ekzistojnë, nuk do të zhduken në mënyrë të çuditshme. Kështu që unë dhe të tjerë kemi kërkuar që këto regjistrime të ruhen, nëse ekzistojnë.”

Demokratët po akuzojnë gjithashtu zotin Trump se po përpiqet të pengojë hetimin e FBI-së për ndërhyrje të mundshme të Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe lidhjet e mundshme mes Moskës dhe ndihmësve të fushatës së zotit Trump. Disa kanë kërkuar një lloj hetimi të pavarur.

Gjithashtu në televizionin NBC, presidentti Trump tha se zoti Comey i kishte kërkuar të takohej me të në janar për t’i përcjellë dëshirën për të vazhduar të qëndronte në postin e drejtorit të FBI-së. Por deklaratat e presidentit nuk përputhen me atë që kujton një person që bisedoi me zotin Comey pak pasi drejtori i FBI-së hëngri darkë me zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë.

James Clapper, ish drejtor i zbulimit kombëtar që shërbeu nën administratën Obama nga viti 2010 deri në inaugurimin e zotit Trump, tha në programin This Week, të kanalit ABC: “Fola shkurtimisht me drejtorin Comey rreth darkës. Më tha se ishte ftuar dhe se ishte – sipas perceptimit tim – në siklet për këtë, thjesht për shkak të përshtypjes apo aparencës që kjo mund të krijonte për një kompromis të mundur të pavarësisë së tij dhe asaj të Byrosë.”

Ai pati gjithashtu fjalë të ashpra për veprimet e presidentit në lidhje me zotin Comey. “Mendoj se në shumë mënyra institucionet tona po sulmohen,” tha zoti Clapper për programin State of the Union të kanalit CNN të dielën. “Si nga jashtë – dhe ky është lajmi kryesor këtu – ndërhyrja ruse në sistemin tonë zgjedhor. Por mendoj gjithashtu se insistucionet tona po sulmohen edhe nga brenda.”

I pyetur për të sqaruar nëse sulmet e brendshme kanë ardhur direkt nga presidenti, ish drejtori i sigurisë kombëtare shtoi: “Pikërisht.”

Preet Bharara, ish prokuror në Qarkun Jugor të Nju Jorkut i cili u shkarkua nga zoti Trump, tha të dielën në një artikull opinionist në gazetën Washington Post se për të rivendosur besimin në sistem, duhet të ketë një hetim dypartiak në Kongres si dhe një prokuror të posaçëm për të hetuar aktivitetet e Rusisë në zgjedhje.

“Kongresi është për të kontrolluar dhe ekuilibruar veprimet dhe ky parim nuk është asnjëherë më i rëndësishëm sesa kur një drejtues ekzekutiv arrogant, i mësuar me mënyrën e tij, duket të harrojë statusin e barazisë me dy degët e tjera të qeverisë,” shkruan zoti Bharara.

Ai vlerëson gjithashtu zotin Comey si një njeri që është i gatshëm “t’i thotë jo presidentit” dhe bën thirrje që drejtuesi i ardhshëm i FBI-së të jetë një person “apolitik” dhe pa një të shkuar partiake.

Një anketë e rrjetit NBC dhe gazetës Wall Street Journal e publikuar të dielën tregon se vetëm 29% e amerikanëve mbështesin shkarkimin e zotit Comey, ndërsa 78% mbështesin një komision të pavarur apo prokuror të posaçëm të hetojë ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje.

Please follow and like us: