Albspirit

Media/News/Publishing

Manjani-Fugës: PD duhet të hyjë në zgjedhje

Prej ditësh akademiku Artan Fuga dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani janë duke zhvilluar debate interesante për situatën politike në vend, duke hedhur teza e shtjelluar zgjidhje.

Fuga në një analizë të tij shkruan se çadra nuk po e zgjidh problemin, veçse e ka shtruar.

”Po propozoj një përqasje menaxheriale sepse shihet që mbi baza politike dhe ideologjike të dy palët në konflikt, pra nga njera anë partia socialiste dhe lidhja socialiste për integrim dhe nga ana tjetër partia demokratike nuk po arrijnë ta zgjidhin krizën politike që po na rrezikon ne qytetarët me kancer gjiri, më falni më keq akoma, me monizëm politik, si i vetmi vend europian, ose në botë, me ndonjë përjashtim, që të bjerë në humnerën e një shekulli prapa. E pafalshme. Çadra ka tre muaj po nuk e zgjidh problemin. E ka shtruar, por nuk po e zgjidh dot. Mitingjet janë madhështore por nuk duket se po japin rezultatin që ata dëshirojnë. Kryeministri nuk tërhiqet asnjë centimetër. Të huajt nuk u dëgjuan, madje mbi ta u derdh ironia e të dyja palëve. Data e zgjedhjeve po afron. Nesër vjen emisari amerikan dhe ndofta është shansi i fundit të shkojmë drejt një zgjidhjeje të arbitruar.”, shkruante dje Fuga.

Manjani sugjeron që PD-ja duhet të hyjë në zgjedhje, duke shtuar se çadra i dha PD-së disa beteja të fituara.

”PD duhet të hyjë në zgjdhje megjithë Ramen aty ku është, që ka kohë që s’është e me gjithë drogë, që thonë s’është, por në fakt është aty!  Votuesit nuk janë budallenj! Ata e dinë tashmë se sa vlen secili. Mendoj se Çadra i dha PD disa beteja të fituara, përveç konsolidimit të Bashes si kryetar! Çadra konfirmoi policinë e droges, e nderkombëtarizoi atë!”, thekson Manjani. 

Siç shihet nga biseda mes tyre, akademiku Fuga preferon ta quajë ende Manjanin ”zoti Ministër”.

DEBATI I PLOTË:

”Ylli Manjani:  Analizës nuk i luan as pika e as presja!

Nuk ka asnjë dyshim që pika e ekuilibrit të dy anëve janë zgjedhjet. Zgjedhjet ku marrin pjesë të dy krahët, sigurisht!

PD duhet të hyjë në zgjdhje megjithë Ramen aty ku është, që ka kohë që s’është e me gjithë drogë, që thonë s’është, por në fakt është aty!

Votuesit nuk janë budallenj! Ata e dinë tashmë se sa vlen secili.

Mendoj se Çadra i dha PD disa beteja të fituara, përveç konsolidimit të Bashes si kryetar! Çadra konfirmoi policinë e droges, e nderkombëtarizoi atë!

Çadra e çau koalicionin qeverisës sepse sot PS e LSI përveç se garojnë të ndara, janë në armiqsi të thellë, pavarësisht se ç’ thonë drejtuesit.

Çadra ishte ngjarja politike më e rendësishme e PD dhe e vendit gjithë këtë kohë.

Ndaj nuk ka pse PD ta mbyllë çadrën duke e mbajtur hapur! Mendoj se duhet ta hapë duke e mbyllur! Kjo arrihet vetëm duke u rregjistruar menjëhere në zgjedhje, pa pritur as Amerikanë, as Europianë e as Kinezë të ndërmjetësojnë.

Duhet të hyjnë të paktën në votimet e kësaj radhe që të punojë për zgjedhjet e ardhshme, ashtu siç thoni dhe Ju, Profesor!

Dhe jo ti shtyjnë votimet, por mundësisht ti afrojnë.

Pastaj fillon puna, sistematikisht për reformën politike. Ka shumë gjera për të bërë aty!

Kështu e shoh zgjidhjen e kësaj çështje, por jo ende të krizës politike.

Artan Fuga: I nderuar Ylli Manjani, aprovimi juaj ma zvogëlon dyshimin te ato që kam shkruajtur. Zgjedhje sigurisht, por të lira amà, dhe duke i dhënë opozitës siguritë e mjaftueshme nëpërmjet ndryshimeve në funksionalitet dhe konfigurim të qeverisë, në ligjin zgjedhor si edhe në administratë dhe pushtetin lokal. Kjo sipas meje kërkon një kohë, sa më të vogël sigurisht, por e kërkon ama! Nejse, faleminderit për ndjeshmërinë tuaj! Le të bëjnë çfarë të duan fundja ! Me shumë respekt, af

Ylli Manjani: Ashtu është Profesor, duhet kohë. Por sado e vogël të jetë ajo kohë, teknikisht dhe praktikisht, thirrja e parlamentit aktual është pothuaj e vështirë. Ka deputetë që s’do jenë më. Të tjerë janë të mllefosur me renditjet në lista. Ka edhe disa që kanë lëvizë nga një grupim tek tjetri. Se kështu është katandisur “zemra” e Republikës kushtetuese!!

Edhe po të arrijë të mblidhet ky Kuvend, këto ligje, që me të drejtë Ju i quani të domosdoshme, kërkojnë cilësi të lartë! Cilësi që ky Parlament nuk e ka. As tjetri që do dalë nga votimet nuk do ta ketë, por ndoshta do jetë më pak vulnerabël.

Prandaj, ndoshta duhet të bëjmë një “kompromis taktik” këtë herë, të lejojmë votimet dhe pastaj të punojmë për zgjedhjet.

Edhe unë të përshëndes! Është gjithnjë kënaqësi komunikimi me Ju.

Artan Fuga: Ylli Manjani e drejtë shumë gjithçka që thoni. Po u mblodhën edhe njëherë në Kuvend deputetët rrezik se do të hanë njeri- tjetrin brenda kampeve të tyre ? Gjithçka të mirë për ju sot zoti Ministër! af” (SHUPLAKA)

Please follow and like us: