Vizita e parë e Macron tek Merkeli
Presidenti i ri francez, Emmanuel Macron beson tek Gjermania. Prandaj edhe vizita e parë shtetërore e kreut të ri të shtetit francez nuk është thjesht vizitë rutinë, sidomos në kohët e forcimit të populizmit.
Vizita e Emmanuel Macron ka rëndësi simbolike. Presidenti i ri francez, Emmanuel Macron, i cili bëri betimin të dielën, vjen një ditë më pas për vizitë në Gjermani (15.05). Qeveria gjermane e pret me shumë interes këtë vizitë të politikanit që arriti të ndalë marshimin e Le Pen drejt Pallatit Elysees. Macron në fushatën elektorale tërësisht proeuropiane e vuri theksin gjithnjë tek rëndësia e motorit gjermano-francez për Europën.
Rëndësia e miqësisë gjermano-franceze
Edhe kancelarja gjermane ka përsëritur rregullisht se sa unike, historike dhe e rëndësishme për të ardhmen është miqësia gjermano-franceze. Dy shtete që dikur ka qenë armiq të përbetuar, u kthyen në shtete mike. Në sfondin e fushatën anti-gjermane të Marine Le Pen dhe sulmeve kundër kancelares gjermane, Merkel duhet të jetë e lehtësuar që Emmanuel Macron arriti të fitojë zgjedhjet. Me fitoren e Macron u arrit të ndalet disi marshimi i populizmit të djathtë në Europë. Pritet që Merkel t’ia lehtësojë Macron startimit në këtë post të ri, sepse dështimi i Macron do të sillte me shumë gjasë në zgjedhjet e ardhshme Marine Le Pen në post.
Program investimesh
Pas një hezitimi fillestar, Merkel tregohet e hapur për një program të përbashkët investimesh me Francën dhe marrjen e masave për forcimin e eurozonës. Ndërsa ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, sipas agjencisë së lajmeve dpa, është shprehur se Gjermania duhet të ndryshojë tani politikën e saj, sepse Gjermania ka përfituar mjaft nga Parisi, tani është radha e Berlinit, është kredoja e ministrit Gabriel.
Ish-ministri i Ekonomisë dhe presidenti francez, Emmanuel Macron kërkon reforma në BE. “Ne kemi nevojë për një Europë më eficiente, më demokratike, më politike.” Por përgjegjësit në Pallatin Elysees janë të vetëdijshëm, se nuk mund të priten rezultate të mëdha në këto katër muaj, para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani. Nëse mund të flitet për Mer-cron (Merkel-Macron) në marrëdhënien gjermano-franceze siç thuhej për tandemin “Merkozy” në kohën e qeverisjes së Nicolas Sarkozy në Francë, kjo mbetet të shihet. Shenjat megjithatë janë të mira, shumë të mira se sa me presidentin e larguar, Francois Hollande.