Albspirit

Media/News/Publishing

Çitaku në OKB: Nuk ka Shqipëri të Madhe

Ambasadorja e Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë të martën në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, se Rezolutës 1244 i ka dalë afati shumë kohë më parë, ndërsa deklarimet e ministres së Drejtësisë Nela Kuburoviq i ka quajtur kundër-produktive dhe ka kërkuar që Serbia duhet ta pranojë Kosovën si shtet.

Ajo u ka bërë thirrje të gjithëve të vijnë në Kosovë dhe të shohin realitetin, pasi deklarimet e Serbisë nuk përkojnë me këtë realitet.

“Ne kemi shumë sfida përpara dhe kemi shumë për të bërë”, ka thënë Çitaku, duke shtuar se serbët janë pakica më e privilegjuar në Evropë, derisa shqiptarët ballafaqohen me probleme në Serbi.

Çitaku ka thënë se Kosova është shtet i pavarur, derisa i ka quajtur raciste qëndrimet serbe karshi Kosovës, ndërkohë që ka përmendur sukseset e Majlinda Kelmendit në sportin e xhudos. Për më tepër, ajo ka theksuar se UNMIK-u nuk ka rol për të ruajtur në Kosovë dhe se qasja për misione paqeruajtëse duhet ndryshuar. Çitaku ka falënderuar ambasadorin amerikan dhe atë francez që kanë thënë se është moment i duhur për të mbyllur misionin e UNMIK-ut në Kosovë.

“UNMIK-u nuk ka më rol në Kosovë dhe jemi të befasuar se kemi parë se buxheti i UNMIK-ut për vitin e ardhshëm është rritur”, ka thënë ajo.  Duke folur për dialogun, ambasadorja Çitaku tha se Serbia po keqpërdorë procesin e dialogut dhe Interpolin, derisa ka përmendur rastin e Ramush Haradinajt, i cili brenda disa muajve u lirua si i pafajshëm nga autoritetet franceze. “Haradinaj është liruar dy herë nga Tribunali i Hagës. Serbia nga aspekti ushtarak ka humbur Kosovën në vitin 1999 dhe me vendimin e GJND-së më 2009”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka thënë se Serbia vazhdon të refuzojë përgjegjësinë në Kosovë për gjërat që kanë ndodhur para syve të botës. “Serbia duhet ta pranojë Kosovën të barabartë dhe si shtet”, ka thënë ambasadorja Çitaku.

Ajo ka përkujtuar se është zero numri i të dënuarve për krime të kryera nga ana e Serbisë në Kosovë.

Çitaku ka folur edhe për procesin zgjedhor të 11 qershorit dhe qeveria e re do të ketë nevojë për kredibilitet për të çuar përpara agjendën. “Nuk ka Kosovë të Madhe dhe as Shqipëri të Madhe”, është shprehur ajo.

Please follow and like us: