Izraeli, burim i informacioneve që Trump ndau me rusët
Inteligjenca izraelite ishte burim për një pjesë të informacioneve mbi aftësitë e Shtetit Islamik për të ndërtuar bomba, që presidenti Trump diskutoi me diplomatët rusë.
Kështu raporton CNN, bazuar në burimet e saj, megjithëse Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar për këtë. Të njëjtin shembull ndoqi edhe ambasadori i Izraelit në SHBA, Ron Dermer, i cili thjesht shprehu besim te raporti me SHBA-të.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha se nuk mund të fliste specifikisht për këtë temë, por shtoi se Shtetet e Bashkuara janë të kënaqura nga komenti i ambasadorit izraelit për besim në ndarjen e informacionit me Uashingtonin.
Zbulimi i medieve, se Trump ndau informacione sekrete me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe ambasadorin Sergey Kislyak, shkaktoi një tjetër lumë kritikash ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe kërkesa për shpjegime nga presidenti.
Sipas medieve amerikane, veç Izraelit, edhe vende të tjera, përfshirë aleatët arabë, kanë kontribuuar me informacione që shtynë SHBA-të të ndalonin mbajtjen e laptopëve apo pajisjeve të tjera elektronike në kabinë gjatë fluturimeve nga 10 vende të rajonit.