Një vit pa Agim Nezën
Sot ka kaluar një vit nga ndarja nga jeta e gazetarit, studiuesit dhe pedagout Agim Neza. Ai ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë pranë familjes së tij në Nju Jork.
I lindur në Tropojë, Neza studimet e mesme i kreu në Shkollën e Gjuhëve të Huaja për anglisht dhe ato të larta, në Fakultetin Filologjik të Tiranës për gjuhë -letërsi shqipe.
Karriera dhe kontributi i tij në gazetarinë shqiptare, letërsi, publicistikë, botën universitare janë të mëdha dhe shumëdimensionale e do të mbahen mend gjatë.
Ai do të mbahet mend edhe si një zyrtar shembullor pranë institucioneve të rëndësishme si Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Jashtme dhe Kryesinë e Kuvendit Popullor.
Por më së shumti Agim Neza do të mbahet mend si një shqiptar që nuk reshti së promovuari Shqipërinë jashtë vendit me bukuritë dhe misteret e saj.
“Kënaqësia ime më e madhe gjatë këtyre 25 viteve ka qënë dhe mbetet promovimi i Shqipërisë tonë të bukur tek të huajt nëpërmjet botimit dhe ribotimit të librave “Albania-Travel Guide” & “Welcome to Albania”, shkruante ai pak kohë më parë se të ndërronte jetë.