Paketa McAllister + / Çfarë duhet të lëshojnë Rama e Basha
Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë hapur prej ditës së djeshme në tryezat e punës “paketën McAllister”.
Propozimi i eurodeputetit gjerman për zgjidhjen e krizës u rikthye si drafti më i mirë nga zëvendës – ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Bryan Yee. Tani ajo është quajtur si “Paketa McAllister +”, pasi ka pësuar disa ndryshime.
Kur McAllister e propozoi, Rama la të hapur mundësinë e negocimit mbi të, ndërsa Basha kërkoi që të përfshihej edhe koka e kryeministrit.
Paketa e McAllister përmbanete 5 pika.
- Shtyrje të procesit zgjedhor mundësisht për në 16 korrik
- Zëvendësim të katër ministrave të qeverisë Rama me persona teknikë të propozuar nga kryeministri dhe të pranuar nga opozita
- Zgjidhjen me konsensus të Presidentit të Republikës dhe të Avokatit të Popullit
- Kreu i KQZ të ishte i opozitës, me kushtin që shumica t’i lihej mazhorancës
- Tryezë e rrumbullakët të OSBE për pjesëmarrjen e OJQ –ve në monitorimin e procesit
Disa ditë më vonë Rama refuzoi disa prej propozimeve dhe paraqiti një ofertë tjetër.
- Një zëvendëskryeministër, i cili të propozohet nga Partia Demokratike, por të vijë jo nga radhët e Partisë Demokratike. Ai, sëbashku me 3 përfaqësues, përkatësisht të Shteteve të Bashkuara, të Bashkimit Europian dhe të OSBE-së, të drejtojë një Task-forcë për të siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk keqpërdoren për fushatë elektorale.
- Tre zëvendësministra të propozuar nga Partia Demokratike, por jo nga radhët e Partisë, të cilët të vendosen në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Ministrinë e Arsimit. Edhe këta të 3 po ashtu të jenë të shoqëruar nga 3 përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në rolin e monitoruesve, për të adresuar në kohë reale çdo problematikë që mund të lindë në proces, çdo ankesë, çdo pretendim, çdo akuzë lidhur me rolin e policisë, qoftë dhe të një punonjësi të vetëm policie në fshatin më të largët të Shqipërisë.
- Një ministër politik, i zgjedhur nga Partia Demokratike, kuptohet me njohje për teknologjinë e lartë, të bëhet pjesë e qeverisë me një ekip, me një buxhet, për të përgatitur një projekt të besueshëm dhe për të paraqitur konkretisht projektin për t’i realizuar këto avancime teknologjike, që, nëse certifikohen si të besueshme, atëherë t’i zbatojmë në zgjedhjet e ardhshme vendore.
- Data e zgjedhjeve është 18 qershori.
Ttjetër ofertë – deklaronte kryeminstri më 4 maj – nuk e kemi dhe nuk do ta kemi, sepse nuk shohim hapësirë për më shumë.
Tani Ramës i duhet të shkojë sërish tek lëshimi i 4 ministrive për të patur një qeveri me 4 ministra teknikë.
Paketa McAllister + parashikon edhe lënien e zëvendëskryeministrit, në vend të presidentit, i cili është zgjedhur tashmë dhe posti do t’i mbetet Ilir Metës, ndonëse ai e ka ofruar atë sërish nëse do t’i shërbente zgjidhjes.
Ndërsa Bashës i duhet të heqë dorë nga qeveria teknike pa Ramën kryeministër.
Palët pritet t’i japin përgjigje zyrtarit amerikan brenda ditës së sotme. Nëse do të pranohet, zgjedhjet nuk do të jenë më 18 qershor siç këmbëngul Rama, por me gjasë më 16 korrik.