Basha ofroi edhe vettingun, Rama nuk lëvizi nga qëndrimi: Ja skenarët ku lëvizën negociatat
Kreu i opozitës Lulzim Basha ka dhënë pëlqimin e tij sot për këto pika:
1. Votimi i Vetingut
2. Marrja e një zv.kryeministri dhe disa posteve në qeveri me miratimin e opozitës.
3. Data e zgjedhjeve të jetë 3 ose 10 shtatori.
4. Identifikim biometrik të zgjedhësve.
5. Kreu i KQZ-së i takon opozitës, por shumicën ta ketë mazhoranca.
6. Avokati i Popullit i takon opozites.
Kjo paketë në fakt është pothuajse ajo që kishte propozuar më parë nënkryetari PE, David Mc Allister.
Paketa e McAllister përmbante 5 pika.
1. Shtyrje të procesit zgjedhor mundësisht për në 16 korrik
2. Zëvendësim të katër ministrave të qeverisë Rama me persona teknikë të propozuar nga kryeministri dhe të pranuar nga opozita
3. Zgjidhjen me konsensus të Presidentit të Republikës dhe të Avokatit të Popullit
4. Kreu i KQZ të ishte i opozitës, me kushtin që shumica t’i lihej mazhorancës
5. Tryezë e rrumbullakët të OSBE për pjesëmarrjen e OJQ –ve në monitorimin e procesit.
Mc Allister ra pasi Rama vuri si kusht vettingun për të konsideruar debatin mbi paketën e propozuar, ndërsa Basha këmbënguli për një qeveri teknike.
Ndërkaq pak ditë më vonë përgjatë ndërmjetësimit të Presidentit Nishani, Rama ofroi një grup propozimesh që lidheshin kryesisht me monitorimin e zgjedhjeve pa prekur zonën e dyshimeve të opozitës për manipulimin zgjedhjeve.
Propozimi përmblidhet:
1. Një zëvendëskryeministër që propozohet nga Partia Demokratike, por të vijë jo nga radhët e Partisë Demokratike. Ai, së bashku me 3 përfaqësues, përkatësisht të Shteteve të Bashkuara, të Bashkimit Europian dhe të OSBE-së, të drejtojë një Task-forcë për të siguruar që shteti dhe asetet shtetërore nuk keqpërdoren për fushatë elektorale.
2. Tre zëvendësministra të propozuar nga Partia Demokratike, por jo nga radhët e Partisë, të cilët të vendosen në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Ministrinë e Arsimit.
3. Një ministër politik, i zgjedhur nga Partia Demokratike, me njohje për teknologjinë e lartë, të bëhet pjesë e qeverisë me një ekip, me një buxhet, për të përgatitur një projekt të besueshëm dhe për të paraqitur konkretisht projektin për t’i realizuar këto avancime teknologjike, që, nëse certifikohen si të besueshme, atëherë t’i zbatojmë në zgjedhjet e ardhshme vendore.
4. Data e zgjedhjeve është 18 qershori.