Gjuha e Macron, pak de Gaulle dhe pak John F. Kennedy
Në gjuhën e Emmanuel Macron, solemniteti i riteve institucionale të Republikës Presidenciale nuk është ndarë asnjëherë nga rrjedhshmëria sintetike e gjesteve dhe përmbajtjes. Në fjalimin inaugurues, Macron dukej pak Kennedy dhe pak de Gaulle, duke i dhënë botës një imazh prej të riu “Bostonian”, që ngjit me të shpejtë shkallët e pushtetit, si dhe një kujtesë të misionit universal dhe vlerave thelbësore të vendit: “Ne kemi një rol të madh në botë”.
Por Macron është i pakrahasueshëm, të paktën në Francë, kur bëhet fjalë për Evropën. Askush si ai nuk ka ndjekur me shumë vendosmëri, dhe pa reflekse nacionaliste, objektivin për “ri-themelimin dhe të ringjalljen” e Europës. “Ne kemi nevojë për një Europë më efektive, më demokratike, më politike”.
Çfarë do të mbetet në kujtesë, janë fjalë të tilla si “përgjegjësi”, “besim”, “nderi”, “angazhim”, “rilindje”, “ri-themelim”; notat e një partiture, në të cilën Macroni synon të ndahet një herë e mirë nga kultura e tërheqjes dhe ta rikthejë Francën në vendin që asaj i takon në botë, si në dimensionin diplomatik, ashtu edhe në globalizmin ekonomik.
Në stilin e Kennedyt, Macron i jep një horizont detyrës së tij, shpreh ambicien për të shënuar një pikë kthese epokale, një kufi i ri francez: është koha për një “rilindje” të jashtëzakonshme të vendit, duke qenë se në 7 maj, “francezët kanë zgjedhur shpresën”.
“Ne duhet të ndërtojmë botën që të rinjtë tanë meritojnë.” Në pak reshta, presidenti i ri jep çelësin për këtë rilindje: “Çlirimi i punës, mbështetja e biznesit, nxitja e frymës së iniciativës”, koncepte të cilat përforcojnë revolucionin tij “liberal” në Francën e bllokuar, të korporatave, e burgosur e riteve të politikës dhe burokracisë. Presidenti i ri është i qartë: nuk do të ketë mëdyshje, sprapsje, kompromise me programin elektoral. Por “revolucionari” Macron i qëndron vazhdimësisë, edhe institucionale, të Republikës së Pestë.
Presidenti, i cili dëshiron që të pajtojë francezët dhe që do t’i duhet të provojë në javët e ardhshme një shumicë parlamentare, për të provuar ta bëjë, nderon të gjithë paraardhësit, duke treguar për secilin, meritat dhe gjurmët që ka lënë në kohën e vet.
Eshtë një mesazh për familjet e ndryshme politike, por edhe një rikthim në origjinë: pas fushatës elektorale shumë të ashpër, bëhet president i gjithë francezëve./CdS – Bota.al/