Albspirit

Media/News/Publishing

Mogherini dhe Han përshëndesin dhënien e mandatit për Zaevin

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini dhe eurokomisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn në një deklaratë të përbashkët e kanë përshëndetur vendimin e presidentit maqedonas, Gjorge Ivanov për t’i dhënë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev për formimin e qeverisë.

Sipas tyre, Brukseli zyrtar pret formim të shpejtë të qeverisë, që duhet t’u përkushtohet reformave.

“E përshëndesim vendimin e presidentit Ivanov për t’i dhënë mandatin Zaevit për formimin e qeverisë, si një hap i rëndësishëm në procesin e formimit të qeverisë. Shpresojmë se kjo frymë konstruktive do të vazhdojë të mbizotërojë, kështu që vendi do të mund përfundimisht të dalë nga kriza politike. Tani presim formim të shpejtë të qeverisë e cila do të përkushtohet në zbatimin e të gjitha pjesëve të Marrëveshjes së Përzhinës dhe prioritetet urgjente reformuese”, theksohet në kumtesën e Hahnit dhe Mogherinit.

“U bëjmë thirrje të gjitha partive parlamentare t’i lënë mënjanë ndarjet e tyre dhe të punojnë së bashku në axhendën e përbashkët për reforma, që vendi të kthehet në rrugën e integrimit euroatlantik. Kjo është ajo që njerëzit e duan dhe e meritojnë. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim qeverinë e re në përpjekjet e saj reformuese”, theksuan ata.

Please follow and like us: