Albspirit

Media/News/Publishing

Nishani, ligjëratë në “Oxford Union”: Roli dhe kontributin i shqiptarëve në Ballkanin për paqen, sigurinë, pajtimin dhe integrimin në BE

Presidenti i Republikës, Bujar Nishan mbajti sot një ligjëratë në “Oxford Union” mbi rolin dhe kontributin e shqiptarëve në Ballkanin Perëndimor për paqen, sigurinë dhe pajtimin si dhe mbi integrimin në Bashkimin Evropian, thuhet në një njoftim nga zyra e shtypit e institucionit të Presidentit.

Presidenti Nishan, me ftesë të veçantë nga Presidenti i “Oxford Union”, Michael Li, me të cilin zhvilloi një takim paraprak e të posaçëm ku u njoh me historikun dhe veprimtarinë e “Unionit” e të anëtarëve studentë të Komitetit drejtues, mbajti në mjediset e Universitetit prestigjioz të Oksfordit një ligjëratë kushtuar situatës në Ballkanin Perëndimor, rolit dhe kontributit të shqiptarëve në rajon, procesit të integrimit evropian situatës dhe gjendjes së paqes e sigurisë globale dhe kontributit të Shqipërisë në këtë drejtim, si dhe sfidat me të cilat përballet brezi i ri në ditët e sotme.

Në ligjëratën e tij, Nishani u shpreh se “Ajo që më bën edhe më shumë të nderuar është fakti që këtij auditori i është adresuar edhe një shqiptare shumë e madhe, Nënë Tereza, e cila që prej shtatorit të vitit të shkuar është Shën Tereza e Kalkutës. Dëshiroj që edhe të përgëzoj Unionin e Oxfordit për rolin që luan për orientimin e debateve në tematikat më të mprehta të kohës. Ndaj dhe unë sot do të dëshiroja të ndaja me ju dy çështje që mendoj se janë thelbësore, si për vendin tim, ashtu edhe për sigurinë tonë të përbashkët.”

Presidenti Nishani vuri në pah faktin se Ballkani i njohur dikur me termin “fuçi baruti e Evropës”, tashmë pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, shpërbërjes jokonsensuale të ish-Jugosllavisë dhe konfliktet etnike që e shoqëruan, por sidomos pas fitimit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës: “hapi një kapitull të ri. “Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit u përfshinë në dialog me njëri-tjetrin. Axhendat e tyre u orientuan drejt pajtimit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët”, tha ai.

Më tej Nishani tha se Shqipëria ka mbështetur e vijon të mbështesë fort dhe qartazi ecjen përpara të rajonit dhe po jep kontributin e saj konkret dhe shumë domethënës për konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore, bazuar në parimet e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit dhe respektit reciprok.”

“Situata post-zgjedhore në Maqedoni është e tensionuar dhe forca të ndryshme politike kërkojnë ta devijojnë krizën politike dhe ta transferojnë në domenin e rrezikshëm ndëretnik. Po kështu, situata në Bosnje-Hercegovinë, është larg të qenit një shtet normal.” u shpreh Nishani.

Po ashtu, Nishani ka pohuar se “Vetëm vijimi me vendosmëri i rrugës së reformave të thella dhe i orientimit euroatlantik dhe Evropian i vendeve të rajonit, deri në anëtarësimin e plotë në këto organizata, do të mund ta shkëpusë rajonin e Ballkanit nga e kaluara konfliktuale, si dhe çliruar nga metafora e ‘fuçisë së barutit’. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s në rajon, dhe këtë e sheh si përgjegjësi dhe mundësi për të kontribuar sa më shumë të mundet e me të gjitha kapacitetet e saj që rajoni, mos të vërë më në pikëpyetje paqen, por të rrisë sigurinë e bashkëpunimin, tha Nishani.

Në përfundim të ligjëratës së tij, Presidenti i Republikës zhvilloi një bashkëbisedim të hapur e të sinqertë me studentët, profesorët dhe akademikët e pranishëm, duke iu përgjigjur një serie pyetjesh mbi tema të ndryshme si integrimi i Shqipërisë dhe arritja e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian, situata aktuale politike dhe rëndësia e zgjedhjeve të lira e të ndershme, zhvillimi dhe promovimi i mëtejshëm i imazhit të Shqipërisë dhe shqiptarëve në sytë e botës.

Please follow and like us: