A mund të paditet Presidenti Trump për pengim të drejtësisë?
Gazeta “The New York Times” njoftoi të martën se Presidenti Donald Trump i kishte kërkuar ish-drejtorit të FBI-së që të “ndalte” hetimin e ish-këshilltarit të Sigurisë Kombetare Mike Flynn, dhe që në atë moment, ligjvënësit e opozitës kanë filluar të akuzojnë zotin Trump për pengim të drejtësisë.
Ata janë gjithashtu të indinjuar sepse presidenti Trump shkarkoi zotin Comey javën e kaluar, duke ngritur pretendimin se motivacioni kryesor i presidentit ishte hetimi mbi Rusinë.
“Kur vendosa ta bëja thashë me vete: ‘Kjo historia e lidhjes sime me Rusinë është e sajuar. Është një justifikim nga demokratët për humbjen e zgjedhjeve’”, tha zoti Trump në një intervistë për televizionin NBC.
Hetimi për lidhjet me Rusinë, teknikisht është i shkëputur nga hetimi për ish-këshilltarin Flynn, megjithëse kanë pika të përbashkëta me njëri-tjetrin.
Një artikull tjetër i gazetës “The New York Times” javën e kaluar, citonte burime të paidentifikuara sipas të cilave zoti Trump i kishte kërkuar ish-drejtorit të FBI-së Coney që të premtonte besnikëri ndaj presidentit gjatë një darke kokë më kokë në janar, pak pas inaugurimit presidencial. Sipas burimit, zoti Comey nuk pranoi ta bënte një gjë të tillë.
Një ditë pas botimit të artikullit nga gazeta, zoti Trump postoi një mesazh në Twitter që tingëllonte si paralajmërim, ku thuhej se zoti Comey duhet “të shpresojë që nuk ka ‘regjistrim’ të bisedave para se të fillojë t’i japë informacione medias”.
Zoti Trump ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje me shkarkimin e zotit Comey dhe këtë javë Shtëpia e Bardhë mohoi që presidenti i kishte kërkuar zoti Comey të ndërpriste hetimin.
“Presidenti nuk i ka kërkuar kurrë zotit Comey apo dikujt tjetër që të ndërpresë ndonjë hetim, përfshirë hetime që kanë në qendër zotin Flynn”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
Pavarësisht nga mohimet e Shtëpisë së Bardhë, disa ligjvënës të opozitës po shtrojnë pyetjen nëse veprimet e Presidentit Trump përbëjnë përpjekje për bllokim të drejtësisë dhe madje po bëjnë thirrje për shkarkimin e tij.
Por çfarë është pengimi i drejtësisë? Ja një shpjegim i shkurtër ligjor dhe pasojat e mundshme për Presidentin Trump.
Çfarë është pengimi i drejtësisë?
Pengimi i Drejtësisë është një krim federal për ndërhyrje në procedurat zyrtare të qeverisë. Përkufizohet si një përpjekje për “të ndikuar, penguar ose ndaluar procesin e drejtësisë”, në një mënyrë që implikon korrupsion apo nënkupton kërcënim.
A ështe presidenti Trump fajtor për pengimin e drejtësisë?
Nuk është e qartë. Së pari, do të duhej të vërtetohej që zoti Trump veproi në një mënyrë të korruptuar dhe siç shkruante ish-prokurori federal Andrew McCarthy, në revistën konservatore “National Review”, kjo është shumë e vështirë për t’u bërë.
“Unë mendoj se siç e di cilido që i është dashur ta provojë në gjykatë, nuk është e lehtë të dëshmosh që ka pasur pengim të drejtësisë. Duhet të vërtetosh që personi ka pasur synimin të frenojë drejtësinë dhe ndoshta çka është më e rëndësishmja, që të jetë bërë në mënyrë korruptive”, shkruante ai.
Sipas autorit McCarthy, asgjë nga ato që janë bërë publike deri tani, nuk do të përbënte në vetvete pengim të drejtësisë.
Por Ryan Goodman, një professor i së drejtës në Universitetin e Nju Jorkut, tha për gazetën “Politico”:
“Nëse analizohen në kompleks, komentet që mendohet se ka bërë Presidenti Trump, duke i kërkuar besnikëri zotit Comey, duke kërkuar mesa duket ndaljen e hetimit të zotit Flynn, para shkarkimit të ish-drejtorit të FBI-së, mund të ndihmojnë për të argumentuar që synimi për të penguar drejtësinë ekzistonte”.
Ai shtonte në shkrimin e tij se nëse kërkesat e presidentit, linin të kuptohej se qëndrimi i zotit Comey në detyrë varej nga plotësimi i tyre, ky ishte ushtrim presioni.
“Këto veprime mund të provojnë se në të vërtetë presidenti po kërcënonte drejtorin e FBI-së me shkarkim atë ditë”, shkruan ai.
A mund të ngrihet padi kundër presidentit Trump?
Gjasat janë të pakta. Një opinion i formuluar nga Zyra e Rekomandimeve Ligjore e Departamentit të Drejtësisë në vitin 2000, arrinte në përfundimin se një president në detyrë ka imunitet nga padi ose ndjekje penale federale.
Sipas dokumentit, vetëm Kongresi ka autoritetin që të ngrejë akuza kriminale kundër presidentit përmes procesit të kërkesës për shkarkim.
A mund të hapet proces për shkarkimin e zotit Trump në Kongres?
Po. Akuza për pengim të drejtësisë u përdorën për të hapur procesin për të vendosur nëse do shkarkohej ose jo ish-Presidenti Bill Clinton në vitin 1998 dhe ish-Presidenti Richard Nixon në vitin 1974.
Nëse ky proces do të hapet për zotin Trump, ose jo mund të jetë një vendim politik nga Kongresi. Zoti Goodman thotë se këtu gjërat bëhen disi të paqarta.
“Kongresi mund të përcaktojë si shkelje që justifikojnë shkarkimin në terma më të gjerë se çdo gjë që është në kodin penal federal dhe anëtarëve u duhet vetëm të udhëhiqen nga ajo që u thotë ‘ndërgjegjia e tyre’ përsa i takon fajit të mundshëm të Presidentit dhe jo të plotësojnë ndonjë standard provash të pakontestueshme”.
Në fund të fundit, standardi për shkarkim përmblidhet tek pyetja nëse një shumicë anëtarësh të Dhomës së Përfaqësuesve dhe dy të tretat e Senatit mendojnë se veprimet e zotit Trump justifikojnë heqjen e tij nga pushteti.
Në procedurat për shkarkim ose jo, nuk ka ndonjë standard ligjor që duhet përmbushur, por duke pasur parasysh se republikanët kanë aktualisht shumicën në dy dhomat e Kongresit, zoti Goodman mendon se gjasat për shkarkimin e zotit Trump janë shumë të vogla.