Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë përfaqëson tani LSI?

Ilir Meta tha se marrëveshjen mes dy partive kryesore e mori vesh nga mediat, ndërsa kryetari i komanduar i LSI-së, Petrit Vasili komentoi jo pa ironi konsensusin që dha opozita për shtyrjen me 7 ditë të datës së zgjedhjeve, me urimin që brenda një jave opozita të përmbushë kërkesat për zgjedhje të lira e të ndershme dhe luftën kundër drogës.

Në këtë reagim Vasili lë pa përmendur ato çfarë Partia Demokratike mori si garanci për zgjedhjet, zv/ministrin, ministrat teknikë, drejtimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, apo dhe monitorimin e administratës publike. Një marrëveshje me maksimumin e garancive për opozitën në afatet që lejon koha për mbajtjen e zgjedhjeve brenda kornizave kushtetuese.

Këto vlerësime vijnë nga një parti që deri në momentin e fundit qëndroi në qeveri dhe ishte gati për të hyrë në zgjedhje edhe pa opozitën dhe pa asnjë garanci shtesë, ndonëse para këtij qëndrimi që lidhet me zgjedhjen e kryetarit të saj president jepte konsiderata dhe ultimatume parimore se  zgjedhje pa opozitën nuk mund të kishte.

Por dje është dje dhe sot është sot siç thotë presidenti i zgjedhur i LSI-së Ilir Meta dhe në këtë filozofi të Partisë që drejtoi dhe ia trashëgoi zotit Vasili vijnë dhe ironitë për marrëveshjen mes PS dhe PD, duke stigmatizuar në veçanti dakordësinë që dha opozita për marrëveshjen. Vasili, i cili nuk heziton të lavdërojë veten për përpjekjet  që thotë se bëri në mënyrë që  palët të arrinin një marrëveshje vlerësonte tre ditë më parë se BOJKOTI i opozitës nuk ishte mënyra e duhur.

Pyetja është çfarë përfaqëson një parti e tillë që një ditë bën opozitën e qeverisë ku bën  pjesë vetë dhe ditën tjetër konformohet me pozitat e frontit demokratik të pushtetit që përfaqëson, duke i treguar opozitës rrugët institucionale të plotësimit të kërkesave dhe ambicjeve të saj. Ndërsa ditën e tretë kur dy partitë kryesore të mazhorancës dhe opozitës arrijnë një marrëveshje ironizon futjen e opozitës në zgjedhje.

Sipas kësaj logjike të LSI -së, opozita duhet të vazhdonte të  qëndronte në çadër dhe t’i përmbahej qëndrimeve kundër qeverisë ku vlen të ritheksohet se LSI ishte pjesë.
Përderisa i jep të drejtë qëndrimeve të opozitës për mungesën e garancive që ofronte qeveria PS-LSI dhe luftën e drejtë kundër kanabizimit të vendit lind pyetja.

Pse LSI nuk u tërhoq nga një qeveri e tillë me të cilën tani thotë se opozita nuk duhet të pajtohej për rëndësinë e kërkesave që kishte parashtruar në raport me ato që mori nga marrvëeshja. Nëse LSI është e pakënaqur nga ajo çfarë arriti opozita, pse nuk e ngre vetë një çadër dhe të aspirojë përmbushjen e kërkesave që Rama nuk ia plotësoi Lulzim Bashës.

Çfarë kuptimi ka ironia e një partie që për 3 muaj propagandoi se donte opozitën në zgjedhje dhe tani nënqesh marrëveshjen që futi opozitën në zgjedhje? Nuk e donte vallë apo nuk donte zgjedhje? Kjo retorikë dhe meraku për të patur opozitën në zgjedhje duket të ketë qenë vetëm një mashtrim i LSI-së përmes makiazhit të deklaratave alla Meta, Vasili, apo Luan Rama.

Nëse ka kërkuar të rritet në kurriz të PD dhe PS, kjo nuk përbën ndonjë  krim, por nuk mundet që një parti e tillë të na hiqet edhe për vlera të tjera. Petrit Vasili e thotë se do punojë ta nxjerrë LSI-në forcë të parë. Nëse kjo nuk ndodh atëherë edhe pyetjet që ngrihen marrin një përgjigje./respublica/

Please follow and like us: