Marrëveshja, projekt gjerman me angazhim amerikan…
Në çdo vend me demokraci të stabilizuar, konkurrenca, hierarkia sipas meritës e debati janë bashkëshoqëruese të negocimit dhe marrëveshjeve. Madje edhe të kompromiseve ne funksion të interesit publik dhe/ose të interesave të mëdha të vendit apo kombit. Në vendet me demokraci hibride, siç është Shqipëri, edhe konkurrenca është e deformuar, edhe debati në shumicën e rasteve zëvendësohet nga monologjet apo lufta personale. Hierarkia zëvendësohet nga klientelizmi e nepotizmi. Negocimet mungojnë, marrëveshjet nuk ekzistojnë apo duke qenë të njëanshme ose nuk respektohet, nuk zbatohen, imponohen apo prishen lehtësisht. Kompromisi konsiderohet dobësi. Kjo është arsyeja që shtetet me demokraci hibride janë të dobët. Stabiliteti është i kërcënuar lehtësisht. Qytetarët janë për një farë kohe të shtypur e të ndrydhur dhe vjen një moment e shpërthejnë. Ky ka qënë dhe ishte edhe së fundmi edhe rasti i Shqipërisë.
A. Vëmendje e lartë e Gjermanisë dhe angazhim intensiv i SHBA…
Vendet e rëndësishme, BE e më konkretisht Gjermania dhe SHBA, të interesuar jo vetëm për stabilitetin e Ballkanit e në rastin konkret të Shqipërisë, por edhe të avancimit të procesit demokratik e të integrimit në BE vazhdojnë të mbeten të angazhuar fuqimisht për të mbështetur Shqipërinë në këtë rrugëtim të vështirë. Ndërkohë rajoni, dhe Shqipëria, për shkak të korrupsionit të lartë, të lidhjeve të krimit me shtetin dhe narkotrafiqeve, mbi të gjitha në funksion të manipulimit të zgjedhjeve, çuan në një polarizim dhe acarim politik të skajshëm, deri në kufijtë e destabilizimit të vendit. Në këto kushte, do të zgjohej vëmendja e lartë e BE, konkretisht Gjermanisë dhe SHBA për të rivendosur rajonin, dhe në rastin konkret edhe Shqipërinë, në binarët e zhvillimeve demokratike që garantojnë stabilitet dhe sigurojnë mirëqenie për qytetarët. Paketa gjermane me angazhimin amerikan do të përbënin mekanizmin konkret që palët përmes negocimit dhe marrëveshjes së arritur të kapërcenin krizën dhe rivendosnin sistemin në dinamikën e normalitetit.
B. Dinamika ngërç-tension politik- negocim-marrëveshje…
Shumë vetë e lexojnë në mënyra të ndryshme situatën para marrëveshjes, procesin e negocimit dhe marrëveshjen. Kjo është fare normale. Kjo është arsyeja që po jap një këndvështrim pa pretenduar të ndryshoj mendimet e ndryshme:
1. Gjithçka deri te procesi i negocimit dhe formatimit të marrëveshjes është zhvilluar sipas “traditës shqiptare” po të kemi parasysh qeverisjen e vendit dhe raportet mes maxhorancës e opozitës…Kjo shpjegon përse palët, edhe maxhoranca e stërmadhe me arrogancën e saj edhe opozita kanë pasur pozicione “tejet të larguara” për të mos thënë “ekstreme” gjë që shpjegon edhe tensionin e lartë politik. Ndërkohë që opozita gjatë të gjithë kohës është shprehur se është e angazhuar për të ndryshuar këtë situatë në fund të fundit vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pra liderdshipi i opozitës ka qenë i ndërgjegjshëm se beteja e saj e gjatë, katër vjeçare në parlament dhe 90 ditore në Çadër do të çojë në një negocim me synimin për të arritur një marrëveshje që garanton zgjedhje të lira e të ndershme. E thënë ndryshe kjo është arsyeja përse Lëvizja 90-ditore e opozitës përballë ngurtësisë së maxhorancës përfundoi me një negocim për të arritur një marrëveshje që siguron zgjedhjet e lira e të ndershme…Përmes një pakete “gjermane” të mbështetur fuqimisht nga amerikanët.
2. Një marrëveshje është gjithnjë rezultat i një negocimi të suksesshëm apo disa seancave negociuese, rrugë tjetër nuk ka. Dhe Marrëveshja arrihet apo mundet të arrihet vetëm kur të gjithë palët lëvizin, dikush më shumë e dikush më shumë, nga pozicionet fillestare “tejet të larguara” apo ndryshe të quajtura “ekstreme”…Kjo ndodh sa herë gjithnjë kur synohet të arrihet objektivi përmes “rrugës së butë”. Kjo ka ndodhur edhe këtë radhë…Ky ka qenë synimi i paketës gjermane dhe i angazhimit amerikan, pra të arrihet një marrëveshje përmes një negocimi duke e përjashtuar çdo rrugë tjetër përveç “rrugës së butë”. Madje mund të thuhet se ky ka qenë “imponimi” i tyre.
3. Pothuajse gjithnjë ndodh që pozicionet “ekstreme” shoqërohen shpesh me angazhime qytetare e organizime masive dhe retorikë “të fortë”, madje edhe me “presione verbale” për të kaluar në qëndrime të tjera përveç asaj të “rrugës së butë” por lidershipi asnjëherë nuk devijon nga rruga për të ruajtur objektivin e ndryshimit të situatës që ndodhet në ngërç përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, pra përmes “rrugës së butë”. Edhe këtë radhë kështu ka ndodhur sepse prezenca gjermane dhe angazhimi amerikan kanë qenë të fuqishme dhe drejtuesit e palëve gradualisht janë akomoduar me procesin që po çonte në negocim e më tej në marrëveshje. Natyrisht duke pasur informacion më të bollshëm por edhe më të hershëm se të gjithë të tjerët.
C. Suksesi i zbatimit të marrëveshjes në duart e shqiptarëve…
Pyetja që shtrohet më shumë të drejtë është nëse Marrëveshja do të jetë efikase apo e suksesshme në funksion të arritjes së objektivit të zgjedhjeve të lira e të ndershme..A është ajo neutral për palët apo e shtruar ndryshe, cila palë do të mund të favorizohej nga marrëveshja. Normalisht apo e thënë apriori, derisa palët kanë rënë dakord për të bërë një Marrëveshje atëherë ajo mendohet se do të jetë e suksesshme dhe se palët janë të barabarta përballë saj, përndryshe ajo nuk do të firmosej.. Sigurisht që pikëpyetja mbetet sesi do të zbatohet ajo dhe nëse janë të gjithë garancitë që ajo të zbatohet ashtu siç është shkruar, pra me efikasitet e ndershmëri…Natyrisht në fund të fundit, suksesi i saj do të varet nga vlerësimi i ndershëm i palëve por edhe i ‘arbitrit” që për zgjedhjet është ndërkombëtar.