Xhevat Lloshi: Një dijetar slloven dhe komisia letrare e Shkodrës
Me rastin e 100-vjetorit. Roli i Rajko Nahtingalit. Si u mblodh Komisia, cilët ishin protagonistët, si u vendos “e folmja e Elbasanit” për bazë të shkrimit letrar
Prof. Xhevat Lloshi
Rajko Nahtigali lindi më 14 prill 1877 në Novo Mesto (Rudolfsvert), sot në jug-lindje të Sllovenisë, afër kufirit me Kroacinë, por atëhere nën Austro-Hungarinë, prandaj mbiemri i tij del edhe “Nachtigall”.
Sipas “Leksikonit biografik slloven” (1935), gjimnazin e kreu në vitet 1889-1895 në Lubljanë dhe hyri në Fakultetin filozofik të Universitetit të Vjenës, ku ndër të tjerët pati pedagogë Vatrosllav Jagiqin (1838-1923) profesor serb, i cili më 1875 themeloi revistën “Archiv für slavische Philologie”, në të cilën Nahtigali do të botonte shkrimet e para, si edhe K. Jireçekun të njohur shumë mirë te ne për shkak të botimit të përbashkët me J. Thalloczy-n të Acta et diplomata res Albaniae. Ky i fundit botoi më 1916 “Studimet ilire-shqiptare” dhe i mbahej mendimit, se shqipja ishte një gjuhë ilire-trake dhe me të afrohej mesapishtja. Nuk ka dyshim, se prej dijetarësh të tillë Nahtigali është ndikuar për qëndrimet e veta dashamirëse ndaj shqipes dhe popullit shqiptar. Në vitin e parafundit (1898) botoi shkrimin e tij të parë në “Archiv…”. V. Jagiqi ka qenë udhëheqës për tezën e doktoraturës, e cila gjithashtu u botua në “Archiv…”.
Pas diplomimit, Universiteti e dërgoi Rajkon për një stazh studimor në Moskë më 1900-1902. Atje u njoh me gjuhëtarë me emër të kohës, si Fortunatovi, Korshi etj. Do shënuar, se mori pjesë në Komisionin dialektologjik të Moskës, si rrjedhim, prej atëhere fitoi aftësitë për kërkime dialektore. U kthye në Vjenë në vjeshtë 1902 dhe u bë pedagog i rusishtes deri më 1913 në Shkollën e Lartë për gjuhët sllave, si edhe në disa institucione të tjera. Mori titullin e profesorit në shtator 1913 dhe kështu iu hap vendi në Universitetin e Gracit për filologjinë sllave. Në Arkivin e Universitetit të Gracit kam gjetur në pranverën e sivjetme një biografi të shkurtër të Nahtigalit në trajtën e mirëfilltë të një CV-je të sotme. Është hartuar në tetor të vitit 1913, kur ai u pranua në Grac dhe ka bibliografinë e botimeve të tij deri në atë vit.
Me mbarimin e Luftës I Botërore u vendos në Lubljanë, ku vijoi të jepte filologjinë sllave, kurse më 1927-1928 u emërua edhe rektor. Për meritat e tij ka qenë anëtar korrespondent i Akademisë Serbe në Beograd dhe i Akademisë së Zagrebit. Ka vijuar botimin e shkrimeve shkencore sidomos në fushën e filologjisë sllovene, të gjuhës sllave kishtare dhe të rusishtes. Vdiq në Lubljanë më 29 mars 1958.
Detyra e parë madhore e shqipes së shkruar ka qenë zgjedhja dhe përpunimi i një alfabeti të vetëm dhe atë e zgjidhi Kongresi i Manastirit. Një periudhë e re historike u hap me Komisinë Letrare Shqipe në Shkodër (1916-1918), me të cilën nis kodifikimi në shkallë kombëtare i shqipes standarde dhe tashmë mund të flitet për gjuhën shqipe si gjuha e një shteti-komb.
Sapo u mblodh Komisia (KLSH) njëqind vjet më parë, më 1 shtator 1916, me synimin për të zgjidhur detyrat e ndërlikuara gjuhësore për drejtshkrimin, dolën qartë dy çështje më të gjera: e para, anët e veçanta kërkonin jo vetëm parashtrimin e disa parimeve të përgjithshme, por edhe ngritjen e problematikës në rrafshin më të lartë, domethënë çdo gjë duhej shqyrtuar nga këndvështrimi, se cili do të ishte në tërësi varianti i shkruar jo i shqipes, por i gjuhës letrare shqipe të përbashkët. E dyta, si rrjedhojë e së parës, duheshin mbajtur parasysh edhe faktorët jashtëgjuhësorë, ndër të cilët më kryesorët shfaqeshin ata historikë, gjeografikë, shoqërorë dhe të traditës kulturore.
Vendimi i parë i saj ka qenë për zanoren “ë”, ndërsa një muaj më pas u diskutua, që drejtshkrimi të ishte sa më i përbashkët për të dy dialektet kryesore, për pasojë, formulimi i parë ka qenë “orthografi e përbashkme”, ndërsa më 21 nëntor u kalua te mendimi “për me ba nji gjuhë letrare” dhe atëhere u theksua, se qëllimi më i parë i Komisisë, sipas statutit të saj, do të ishte “lëvrimi i gjuhës e zhdrivillimi i leteratyrës”. Ndërkaq, interpretimi i kësaj nga Gjergj Fishta do të ishte për një “gjuhë administrative” dhe për këtë arsye duhej filluar me përcaktimin e drejtshkrimit. Si shkrimtar, ai ishte i ndjeshëm për fatet e gjuhës së letërsisë dhe intuitivisht ishte më afër domethënies së formulimit për atë, që ne sot e quajmë gjuhë standarde. Një muaj më vonë (11 dhjetor), Gj. Pekmezi flet për “gjuhën e përbashkme”, kurse Kryekomanda austriake, me nismën e së cilës ishte vënë në lëvizje kjo çështje për arsye të qarta shtetërore sipas përvojës historike të perandorisë së dyfishtë dhe me shpresën se ajo do të dilte fitimtare nga Lufta I Botërore, kërkonte sa më shpejt një “gjuhë shkrimi”. Ky ishte një term asnjanës, ndërsa M. Logoreci e interpretoi si “gjuhë administrate”.
Shkurt, Komisia e Shkodrës punoi mirëfilli si një komision letrar, domethënë jo thjesht gjuhësor dhe aq më pak ngushtësisht si thjesht drejtshkrimor, prandaj në punimet e saj u trajtuan si problematika e gjerë e gjuhës së përbashkët në marrëdhënie me dialektet, në veçanti për të vendosur rregullat kryesore të drejtshkrimit, ashtu edhe terminologjia juridike e gjuhësore, edhe përgatitja e librave shkollorë dhe redaktimi i botimeve, edhe përkthimet. Pjesëmarrësit, pavarësisht nga vlerat e tyre të padyshimta, ishin të vetëdijshëm për nivelin e përgatitjes së vet, domethënë ishin të vetëdijshëm se nuk mund ta përballonin punën me atë shkallë të lartë, që e kërkonte një qëllim i tillë me peshë të jashtëzakonshme për të ardhmen e gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Kjo është arsyeja, që u përvijua një propozim për të thirrur edhe studiues të huaj.
Që në njërën prej mbledhjeve të para (16 shtator 1916), u hodh ideja se: “zgjidhja e ndonji çashtjes me randësië mund t’i paraqitet ndonji dijetari t’huej, qi njifet si auktoritet n’filologji shqype.” Konkretisht, që të studioheshin format e elbasanishtes, me sa duket kërkesën e ka shqiptuar i pari Sotir Peci. Kryetari i KLSH, Gj. Pekmezi sërish më 11 dhjetor shfaqi mendimin, që të thirrej një albanolog dhe të dërgohej në Elbasan, duke e kufizuar detyrën që të merrej me fonetikën dhe morfologjinë. Përveç Pekmezit, i cili qysh në fillim të shekullit i kishte kushtuar vëmendje të folmes së Elbasanit, më 3 mars 1917 u vendos, që grupi për ekspeditën të përfshinte edhe Ndre Mjedën, por duke vlerësuar përkthimet e K. Kristoforidhit si mbështetje për trajtën e shkruar.
Meqë vendi ishte nën pushtimin e Austro-Hungarisë, ishte e kuptueshme, se prej andej do të ftoheshin dijetarët e huaj. Këta kanë qenë Maksimilian Lamberci dhe Rajko Nahtigali. I pari mori pjesë në mbledhje të KLSH qysh më 4 qershor dhe u propozua që të bëhej anëtar i KLSH, ndërsa i dyti ka marrë pjesë vetëm në dy mbledhje dhe nuk ka qenë anëtar i saj, prandaj në këtë trajtesë do të ndalem te i dyti, për të treguar rolin e vërtetë të R. Nahtigalit lidhur me punën e KLSH.
Ndonëse puna në krye nisi me drejtshkrimin, në mes të nëntorit u përftua objektivisht mendimi, që të shqyrtohej çështja e një gjuhe letrare dhe jo thjesht afrimi i drejtshkrimeve të dy dialekteve. Për pasojë, më 11 dhjetor Gj. Pekmezi theksoi: “Nuk mund të jetë sot për sot qëllimi ynë i parë orthografia, po pa dyshim nji gjuh’ e përbashkme.” Me mbështetjen edhe të L. Gurakuqit, të nesërmen ideja u konkretizua në tri drejtime: a) si pikënisje e gjuhës së shkruar të merreshin përkthimet e K. Kristoforidhit; b) të thirrej A. Xhuvani si elbasanas dhe c) “do të kërkohet edhe nji albanolog i huaj për studimet e përmirësimet ma të vona”. Siç shihet, që në krye të herës nuk quhej se albanologu i huaj do të ishte anëtar i KLSH.
Nahtigali e ka quajtur të papritur ftesën në periudhën e krishtlindjeve 1916 për të ardhur në Shqipëri. E kishte lajmëruar vetë Gj. Pekmezi si kryetar i KLSH. Për ta kuptuar këtë, e vlen të shënohet se Gj. Pekmezi ka studiuar në Universitetin e Vjenës më 1894-1898 dhe njëkohësisht Nahtigali ka ndjekur po aty të njëjtin Fakultet filozofik më 1895-1899; rrjedhimisht, që prej atëhere miqësia e tyre solli edhe bashkëpunimin deri në kohën e Komisisë Letrare.
Duke ndjekur rregullat e rrepta austriake, Nahtigali paraqiti lutje në zyrat e Universitetit të Gracit, që iu drejtuan Komandës ushtarake të Gracit, sepse nuk duhet harruar, që ishte kohë lufte. Komanda e njoftoi se ishte i dëshirueshëm udhëtimi sa më shpejt dhe, besoj, për këtë do të ketë pasur letërkëmbim me autoritetet e pushtimit në Shkodër, përndryshe nuk ka se si të kuptohet dëshira e shfaqur nga ushtarakët në Grac. Nga ana tjetër, atij i nevojitej edhe leja për t’u larguar nga puna e përditshme. Kam gjetur në Arkivin e Universitetit shkresën përkatëse, dërguar më 13 prill dekanatit të Fakultetit të Universitetit Mbretëror të Gracit:
“Mbi bazën e kërkesës së paraqitur, e quaj të rregullt që profesorit të filologjisë sllave për specialitetin e gjuhës dhe të letërsisë sllovene në Universitetin e Gracit, dr. Rajko Nachtigall, t’i jepet leja e kërkuar për muajin maj.
Ministri i Kulturës e i Arsimit”.
Vetë Nahtigali e ka formuluar me këtë mënyrë: “Ministria e Arsimit pati mirësinë të më akordonte një leje deri në fund të muajit të majit.”
Gazeta “Posta e Shqypnies” më 21 prill menjëherë njoftoi se do të vinte një mik i Shqipërisë në Shkodër dhe bashkë me Gj. Pekmezin e M. Lambercin do të kryenin një udhëtim në Elbasan. Në të vërtetë M. Lamberci nuk do të merrte pjesë në këtë ekspeditë, madje ai ka udhëtuar nga 15 marsi deri më 30 maj 1917 prej Alpeve deri në Berat dhe u kthye në Shkodër. Gjithsesi, botimi i njoftimit lidhet me faktin, që këtë gazetë e drejtonte Gjergj Fishta, kurse botohej shqip e gjermanisht. Me këtë shpjegohet përse një javë më pas në prill aty do të botohej gjermanisht artikulli i shkurtër i Nahtigalit “Formimi i përemrave pronorë në shqipen dhe koncepti i gabuar i derisotëm mbi ta”, si një përshëndetje për ardhjen e tij dhe ndoshta i kërkuar për këtë rast. Rrjedhimisht, ka qenë Gj. Fishta, një prej themeluesve të KLSH, ndër ata, që gjithashtu kishte shprehur mendimin për ta ftuar dijetarin slloven.
Gj. Pekmezi kishte pasur ndihmesën e Nahtigalit për hartimin e Gramatikës së gjuhës shqipe, botuar më 1908, në të cilën shprehej në të mirë të mbështetjes te dialekti i mesëm për gjuhën e shkruar shqipe. Këtu e ka zanafillën edhe animi i Nahtigalit për të folmen e Elbasanit me këtë rol. Kongresi i Elbasanit më 1909 rekomandoi të folmen e
Elbasanit, sepse është “dialekt që kuptohet në të gjitha anët e Shqipërisë dhe që sjell bashkim”. Ky ishte një vazhdim i Kongresit të Manastirit dhe historikisht lidhej me idenë se Elbasani do të bëhej kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë, ndërsa Manastiri do ta birrte rolin që kishte pasur. Njëkohësisht aty u hap Shkolla Normale, në të cilën drejtor ishte Luigj Gurakuqi, mbështetës i kësaj zgjidhjeje për gjuhën e shkruar; për më tepër, ai do të kryesonte Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit në Shkodër pas pushtimit austriak.
Dijetari slloven duket se ka mbërritur në Shqipëri pas 20 prillit, po të nisemi nga lajmi i gazetës më 21 prill. Por nuk ka ardhur më 26 prill, siç e shënon T. Osmani në librin për Komisinë Letrare më 2004, që është libri më i mirë deri më sot për këtë ngjarje historike, sepse në procesverbal është shënuar, që ai ishte i pranishëm në dy mbledhje: më 24 dhe 25 prill. Ardhjen e njoftonte edhe gazeta “Vëllazënija” më 4 maj, kurse sërish “Posta e Shqypnies” më 5 maj, pasi njofton, se tashmë ishte formuluar një vendim i KLSH, sipas të cilit gjuha letrare do të mbështetej në të folmen e Elbasanit, shënon se komisioni prej tre vetash do të studionte të folmen përkatëse. Natyrisht, Nahtigali është takuar me përfaqësuesit e KLSH, por kujdesi kryesor ka qenë përgatitja e ekspeditës në Elbasan, së bashku me Ndre Mjedën dhe Gj. Pekmezin. Sipas fjalëve të tij: “Hyri në kontakt me zotërinjtë e Komisisë Letrare të Shqipërisë dhe kreu punët përgatitore të detyrës për të cilën e kishin ftuar.” Po kështu merret vesh nga procesverbali, pavarësisht se ai është tejet i cunguar: “me të u bisedue gjan’ e gjatë mbi çeshtjen e ë-së e disa tjera çeshtje gjuhësije me randsi, edhe Ju treguen pikat ma të nevojshmet qi janë per t’u studiuem në Shqipni të mesme.” U nisën më 30 prill, pas kthimit prej Vjene të Gj. Pekmezit. Me sa duket, Nahtigali ka qëndruar në qytetin e Elbasanit, ku pati mundësinë të dëgjonte edhe fshatarë nga rrethi, kurse Mjeda dhe Pekmezi shkuan në fshatrat deri në Devoll dhe te lumi i Holtës, ndërsa disa informantë nga krahina e Gramshit u porositën që të shkonin në Elbasan.
Ekspedita u kthye në Shkodër para mbylljes së majit, sepse Nahtigali e kishte të kufizuar lejen, po edhe Pekmezi shihet se tashmë ishte në krye të punës më 30 maj. Përkthimi i një paragrafi të Parathënies së botuar shqip në një vëllim me punimet e tij (Prishtinë, 2015) është i pasaktë dhe duhej të ishte kështu: “Ecuria e udhëtimit studimor të përshkruar shkurt iu dorëzua përpara kthimit në atdhe autoriteteve të Shkodrës dhe e nënshkruar nga të dy pjesëmarrësit e tjerë të udhëtimit studimor, dr. Gj. Pekmezi dhe prifti Don A. Mjeda, me titullin ‘Raport mbi udhëtimin në Shqipërinë e Mesme me qëllimin studime gjuhësore’.” Pështjellimi i përkthimit për këtë pikë në librin e botuar në Prishtinë më 2015 ka ardhur për dy arsye. E para, nuk është kuptuar se Nahtigali me kolegët duhej t’u paraqisnin një raport autoriteteve austriake të pushtimit në Shkodër, sepse siç është tashmë e qartë, në kohë lufte gjithçka do të kalonte përmes tyre. Së dyti, në gjuhën shqipe pas një ekspedite jepet një raport dhe jo një “referat” apo “lajme”. Pjesa që vijon aty është përmbajtja e atij raporti për autoritetet zyrtare. Në fund Raporti ka datën: Elbasan, 19 maj 1917.
Edhe këtu ka nevojë për një shpjegim.
Ende duke qenë në Elbasan, anëtarët e ekspeditës kanë nisur hartimin e dokumenteve që duhej të paraqisnin. Në fund të së ashtuquajturës “Promemorie” është data: Elbasan – Shkodër, 17-26 maj 1917, domethënë duke ndenjur në Elbasan Nahtigali e ka nisur punën për oponencën ndaj vendimeve të Komisisë Letrare dhe e ka përfunduar më vonë në Shkodër, pak ditë përpara largimit nga Shkodra. Kurse dy ditë më pas, më 19 maj po në Elbasan ka nisur përgatitjen e Raportit për autoritetet ushtarake në emër të anëtarëve të ekspeditës. Në Shkodër i bie të jetë kthyer më 22 maj dhe në fund të afatit, domethënë në fund të majit, është kthyer në Austri.
Teza për vendosjen e të folmes së Elbasanit në bazë të gjuhës së shkruar shqipe nuk është pranuar pa kundërshtime nga Komisia Letrare e Shkodrës. Një diskutim i veçantë u përftua për tekstet e përkthimeve të Kristoforidhit. Vetë Gjergj Pekmezi ishte i vetëdijshëm, se gjuha e përdorur nga Kristoforidhi nuk ishte thjesht trajta e shkruar e të folmes së Elbasanit, ndërsa Sotir Peci shtonte, se ishte një gegërishte e përzier. Rrjedhimisht, para se të vinte Nahtigali, puna e KLSH dhe debatet kishin ecur përpara dhe kryesorja ishte, se drejtshkrimi u lidh me çështjen e gjuhës së përbashkët që më 21 nëntor 1916; në fund të janarit 1917 ishin përgatitur Parimet e rregullat e drejtshkrimit; në shkurt u përcaktuan parimet për terminologjinë. Por ndihej qartë se nevojitej një njohje më e mirë në terren dhe më 3 mars u vendos që të dërgohej me grupin edhe Ndre Mjeda. Pas kthimit nga Elbasani Nahtigali dorëzoi raportin gjermanisht dhe u largua pa marrë pjesë më tej në mbledhjet e Komisisë, sepse Promemoria e tij ishte ende gjermanisht. Komanda austriake i dërgoi një letër Komisisë, të cilën ajo e diskutoi dhe pranoi më 27 qershor, që raporti të botohej, por nuk më del të jetë shtypur gjë. Kjo renditje kronologjike është me rëndësi, se jep mundësinë për ta argumentuar përfundimin, që Nahtigali nuk ishte thirrur për të marrë pjesë në punimet e KLSH, por për të bërë një ekspeditë dhe pastaj për të hartuar atë, që ne e quajmë sot oponencë kundrejt përfundimeve të arritura prej saj.
Promemorien e përktheu shqip N. Mjeda dhe u lexua më 3 korrik. Ashtu siç e do rregulli, pas një jave nisi diskutimi i saj. L. Gurakuqi paraqiti vërejtjet e veta, ndërsa M. Lamberci që më 4 korrik kishte shtjelluar se si ishte tërhequr për vete nga këmbëngulja për të vënë në bazë të folmen e Shkodrës dhe kishte pranuar të folmen e Elbasanit: “si themel për gjuhën e përbashkme, ase për gjuhën e shkrimit, d.m.th. si gjuhë zyrtare e ndërmjetshme, e cila do të përdoret paskëtaj si ndër dhanjet zyrtare, ashtu edhe ndepër shkollat shqipe.” Një javë më pas, duke vijuar kundërshtimet ndaj Promemories së Nahtigalit, ai hodhi poshtë edhe disa zgjidhje të dhëna në gramatikën e Sami Frashërit. Ecuria historike ka dëshmuar, se zgjidhjet e Lambercit nuk gjetën vend në drejtshkrimin e shqipes.
Gjermanisht Promemoria është botuar më 17 gusht 1917 me titullin Die Frage einer einheitlichen albanischen Sprache dhe brenda ka një Parathënie, ndërsa para titullit tashti është shtuar PROMEMORIA. Vetë autori e ka quajtur një raport specialisti, një ekspertizë siç i thonë sot, ose një recension teknik, që do t’i shërbente punës së mëtejshme të Komisisë. Dhe me të vërtetë, kur u vendos rishtypja e Rregullave të drejtshkrimit më 24 shtator 1917, u vu në dukje se ishin bërë disa përmirësime, duke u mbështetur edhe në kërkimet e ekspeditës në Elbasan, e sidomos për zgjidhjen e rasteve me dysorë, por pa sjellë ndonjë ndryshim themelor. Thelbi i gjithë trajtesës së Nahtigalit është argumentimi për të zgjedhur gjuhën e Shqipërisë së mesme për një varg arsyesh, duke përfshirë edhe anën gjeografike, si dhe nga mishërimi i lëvruar i saj në tekste prej K. Kristoforidhit dhe prej autorësh të tjerë. Natyrën e një oponence këtij materiali ia japin edhe shpjegimet plotësuese në një Shtojcë, e cila zë më shumë se një të tretën e tij.
Punime të tjera lidhur me shqipen të R. Nahtigalit janë vetëm tre: Artikulli i shkurtër që u përmend i 28 prillit 1917 për pronorët e shqipes; punimi “Mbi alfabetin e Elbasanit dhe literaturën e shkruar me të” botuar më 1923; Luka XV 11-32 në përkthimin e vëllezërve Anastas dhe Spiridon Celio (Çelo) nga Gjirokastra”, botuar më 1925. Titulli i punimit të dytë është me një përkthim të papranueshëm në botimin e Prishtinës më 2015, sepse nuk ka në gjuhën shqipe ndonjë fjalë “letërshkrim” për literaturën. Për shkrimin e fundit e kam shqyrtuar hollësisht rastin e vëllezërve Çelo, të J. Kopitarit dhe D. Obradoviqit në librin Përkthimi i V. Meksit dhe redaktimi i G. Gjirokastritit 1819-1827, botuar më 2012. Përfundimi im ka qenë, se dorëshkrimi i vëllezërve Çelo u përket viteve 1827-1828.
Gazeta “Posta e Shqypnies” më 3 tetor 1917 ka botuar një njoftim, se pranë universitetit të Gracit ishte krijuar një Institut Ballkanologjik dhe nën drejtimin e R. Nahtigalit do të jepej mësim gjuha shqipe. E hetova këtë pikë në Grac dhe nuk gjeta asnjë gjurmë të një instituti të tillë, as dhe të dhënies së shqipes nga ana e Nahtigalit.
Ndihmesa e Nahtigalit është quajtur e dobishme si në vitin e vizitës në Shqipëri, edhe më pas. Gazeta “Posta e Shqypnies” më 31 tetor e ka njoftuar daljen e broshurës së Nahtigalit dhe ka dhënë një përmbledhje të shkurtër shqip. Pasi e quan një autor të zellshëm, shton se e ka shtjelluar me mjeshtëri të madhe trajtesën e vet “si mund të pritej prej mendjet t’kthjellt t’nji Nachtigalit. Tue botue i famshmi dietaar ket vepër, i ka ba letratyrës shqype e kombit shqyptar nje sherbim t’madh.” Kongresi Arsimor i Lushnjes më 1920 përsëriti pothuaj të njëjtën kërkesë si katër vjet më parë nga Shkodra: “të thërrasi sa ma shpejt prof. R. Nahtigalin për të punuem bashkë me Komisinë Letrare mbi themelimin e nji gjuhe të përbashkme”. Ndoshta këtë herë nisma ka dalë nga A. Xhuvani, i cili ishte edhe kryetar, por tashmë gjuhëtari slloven ishte në Lubljanë, ku ishin jo të pakta ndërlikimet pas shkëputjes prej Austro-Hungarisë dhe nuk erdhi më në Shqipëri. Ftesa është njoftuar po me ato fjalë te “Kumtari arsimuer” në prill 1921.
Meqë kërkesa është përsëritur edhe më vonë nga A. Xhuvani, ka reaguar Karl Gurakuqi (më 1928): “Ç’bani dr. Nachtigalli, që qe thirrë prej Komisis Letrare të Shkodrës? Vajti në Polis të Elbasanit për me pam a ishte gjuha e Kristoforidhit ende gjallë në popull, e kurgja tjetër.” Siç shihet, ka pasur edhe ndonjë kundërshtim ndaj vlerës së ndihmesës të Nahtigalit. Kur thotë se Nahtigali vajti në Polis, K. Gurakuqi gabon, së pari për arsyen se ai ndenji në Elbasan dhe nuk ishte e nevojshme të shkohej në Polis për të parë ai ishte gjallë gjuha e shkruar e Kristoforidhit. Së dyti, dijetari slloven kishte ardhur për një qëllim më të përgjithshëm, për të bërë oponencën e punimeve të Komisisë Letrare. Këtë herë në debat u përfshinë edhe autorë të tjerë, prandaj A. Xhuvani u përgjigj në janar 1929, duke mos u druajtur ta shprehte, që disa dijetarë të huaj ishin me përgatitje më të lartë dhe pikërisht ky kishte qenë argumentimi edhe më 1917. Ai shkruante: “Më vjen liksht të trajtonj, kur shpërçmohet puna e njëj të huaji të diçmë, si të Nachtigallit, bie fjala: unë kam punue me Nachtigallin për disa ditë dhe e tregonj pa u poshtëruar, se kam fituar mjaft nga ay.”
Pasi ishte vënë në zbatim kërkesa për të ndjekur shqipen e mesme në punët shtetërore, L. Naraçi ka kërkuar më 1938 që të ribotoheshin Vendimet e Komisisë Letrare dhe “Promemoria” e Nahtigalit dhe e kolegëve të tij, madje e ka përsëritur kërkesën edhe në gusht te po ajo gazetë.
Idriz Ajeti i ka bërë nderimin e duhur pikërisht në vitin e vdekjes më 1958.
Albanologia A. V. Desnickaja (1968) ka gabuar datën, duke e quajtur se Nahtigali erdhi në Shqipëri më 1916, ndërsa si të vetmin argumentim të tij në të mirë të së folmes elbasanase sjell faktin, se ai u mbështet në të dhënat e prefekturës për rolin e tregut, ku vinin njerëz nga shumë krahina dhe tregtarët elbasanas luanin rolin e “përkthyesve”, meqë të folurit e tyre kuptohej prej të gjithëve. E quan dëshminë e Nahtigalit më të saktë sesa të Pekmezit lidhur me ruajtjen e togjeve ‘mb’, ‘nd’, ndërsa i sheh si fragmentare e të paqarta dallimet e përmendura ndërmjet folësve myslimanë dhe ortodoksë të qytetit.
Disa herë është shkruar, se Nahtigali ka marrë pjesë në Komisinë Letrare. Kështu është shprehur Fadil Raka (1997): “Në punën e Komisisë Letrare morën pjesë edhe dy albanologë të huaj: R. Nahtigal e M. Lamberc, i pari nga Graci i Austrisë e i dyti nga Vjena”. (f. 179) Këtë të dhënë e ka marrë nga J. Kastrati (Për historinë e ortografisë shqipe, “Përparimi”, 1971, nr 7, 607). Të njëjtën gjë e ka përsëritur fjalë për fjalë më 2010 (f. 147). Po këshu Sh. Krasniqi (2004) thotë: “Në mbledhjet e mëvonshme morën pjesë edhe të ftuar të tjerë… prof. Rajko Nahtigal (albanolog).” Për më tepër, ai e ka titulluar një ndarje të Kapitullit VII: “Kontributi i Rajko Nahtigalit në Komisinë Letrare”, ndërsa synimi kryesor i këtij shkrimi nga ana ime, është që të vërtetohet se kjo nuk qëndron, aq më pak që të barazohet me pjesëmarrjen e mirëfilltë si anëtar të M. Lambercit. Nga ky këndvështrim nuk do të ishte e drejtë, që të pohohej edhe se: “Në lidhje me njësimin e gjuhës letrare të shqipes, Nahtigali, sikurse edhe anëtarët e tjerë të Komisisë Letrare… u pajtua me mendimin e përgjithshëm.” Të njëjtin qëndrim në kundërshtim me realitetin historik ka shprehur edhe R. Ismajli (2005), duke shkruar se “mori pjesë në Komisinë Letrare”.
I vetmi shkrim shqip pak a shumë i gjerë për gjuhëtarin slloven është ai i vitit 1977 prej Franc Jakopinit (1921-2002), gjuhëtar slloven, akademik, specialist për gjuhët sllave lindore, autor i shkrimeve edhe për Kopitarin, Miklosiçin etj. Aty jepen të përmbledhura qëndrimet kryesore të Nahtigalit për shqipen e shkruar dhe drejtshkrimin e saj, si dhe përmbajtja përgjithësisht e katër punimeve të tij kushtuar problematikës shqipe. Artikulli përfundon me këtë vlerësim: “Nuk ka kurrfarë dyshimi se Nahtigali ishte fytyrë interesante jo vetëm në rrethin e filologëve sllavë; përvojën e tij të gjatë dhe hetimin e rrahjen e shumë çështjeve ndër gjuhë sllave diti ta transponojë në mënyrë subtile edhe në studimet e veta albanologjike.” (Citimi është sipas botimit më 1977, sepse në ribotimin më 2015 është bërë një redaktim arbitrar, ndërsa do të duhej një përkthim i ri, ashtu si edhe për disa materiale të tjera që janë me dobësi të ndjeshme).
Brenda kornizës partiake të ateizmit, Androkli Kostallari më 1985 e quante thellësisht të gabuar programin e R. Nahtigalit për krijimin e gjuhës letrare shqipe mbi bazën e Biblës, të një gramatike, një fjalori dhe teksteve folklorike. Në këtë vijë e quante se edhe përkthimet e K. Kristoforidhit nuk mund ta luanin atë rol, që luajti p.sh. përkthimi i Biblës nga Martin Luteri për gjermanët. Ky arsyetim në vështrimin e parë qëndron, sepse në Shqipëri kishte një gjendje fetare krejt të ndryshme nga Gjermania ose Serbia e V. Karaxhiqit. E megjithatë ai arsyetim është i padrejtë historikisht. Është e vërtetë, që shumica e popullsisë shqiptare ishte e islamizuar, por siç e kam dokumentuar plotësisht, përkthimet e Kristoforidhit lexoheshin me dëshirë edhe nga myslimanët, sepse ishin shqip, në një kohë kur shqipja ndalohej dhe mallkohej. Nahtigali ka theksuar, se “Ungjilli i tij është libri më i përhapur në Shqipëri.” Do të shtoja, se as sot nuk botohen e përhapen libra me një tirazh aq të madh sa përkthimet e Kristoforidhit. Nga ana tjetër, proza shqipe në kuptimin e mirëfilltë në atë kohë nuk ekzistonte si pjesë e formacionit letrar shqip dhe përfaqësohej vetëm nga literatura fetare. Por kryesorja është se tema e përkthimeve të Kristoforidhit luajti rol vendimtar për orientimin e KLSH drejt të folmes së mesme aspak për arsye se ishin përkthime fetare, por sepse ato përfaqësonin një mishërim gjuhësor tashmë të pranuar me nivel të lartë, aq sa edhe Gj. Fishta i quajti si një argument të pakundërshtueshëm, kurse Nahtigali e ka vlerësuar si më të madhin mjeshtër të gjuhës shqipe dhe përfaqësuesin më të rëndësishëm të bashkimit mendor të mbarë popullit. Natyrisht, është e kuptueshme dëshira e pazbatueshme e Nahtigalit për ta nxjerrë në krye Biblën, por më duket se edhe ai vetë e ndiente këtë pamundësi, prandaj e ka mbyllur “Promemorien” e tij me këtë thirrje: “Bëni para së gjithash gramatikën sipas Kristoforidhit dhe dialektit të Elbasanit! Të tjerat vijnë më pas.”
Është një hamendësim krejt në erë pohimi i P. Duka-Gjinit më 1992, se nisma për të ngritur KLSH paska qenë “nën mbrojtjen e autoriteteve ushtarake të kryesueme nga gjenerali Trollman dhe i ndikuem nga dr. Nachtigall, studiues ky i gjuhës sonë.” Siç e përmenda më lart, vetë Nahtigali është shprehur se ishte habitur kur e mori vesh ftesën që të shkonte në Shkodër.
Natyrisht, vend të veçantë do të zinte puna e R. Nahtigalit në të dy monografitë e vitit 2004 për Komisinë Letrare. Në të parën T. Osmani ka dhënë edhe një jetëshkrim të shkurtër të tij. Nuk është e saktë, se shkollën e mesme e bëri në Novo Mesto; e kreu në Lubljanë. Gjithashtu doktoraturën e ka marrë në Vjenë, nën udhëheqjen e Jagiqit, jo në Moskë. Me vlerë të veçantë është në këtë vëllim botimi i Procesverbaleve dhe ribotimi “Laimet e Komisis Letrare Shqipe në Shkodër”, Nr. 2, që ishte i panjohur edhe për gjuhëtarët. Aty përfshihen diskutimet rreth Promemories së Nahtigalit dhe në mënyrë të hollësishme kundërshtimet e M. Lambercit.
Monografia e dytë është botuar po atë vit nga Sheremet Krasniqi, që e përmenda pak më sipër. Ai ka grumbulluar aty një material të gjerë nga shtypi i kohës, duke ndjekur edhe jehonën e vendimeve të Komisisë deri te vlerësimi i KLSH në Kongresin e Drejtshkrimit më 1971. Përfundimi i tij për Nahtigalin është: “… dha një kontribut të çmueshëm në punën e Komisisë Letrare dhe shumë nga tezat që i kishte fiksuar atëherë si optimale, sot kanë zënë vend në gjuhën letrare shqipe”.
Autoriteti i Nahtigalit ka shërbyer si referim jo vetëm gjatë punimeve të KLSH, por edhe për përdorimin e një varianti të shkruar të shqipes në gjuhën zyrtare dhe shkollore gjatë periudhës së Pavarësisë. Ndihmesat e R. Nahtigalit i përkasin historisë së shqipes së shkruar, ndërsa me ngulitjen e shqipes standarde atyre nuk u referohen më në studimet për strukturën e saj.
Shtator 2016